
Drejtoria e burgut ku kreu i opozitës ruse dhe kritiku më i zëshëm i presidentit Vladimir Putin, Alexei Navalny, po vuante dënimin i tha nënës së tij se ai vdiq nga "sindroma e vdekjes së papritur". Ky është reagimi i parë zyrtar mbi arsyet e vdekjes së Navalny.
Lajmi u bë i ditur nga anëtari i ekipit të Navalny, Ivan Zhdanov. Ky i fundit njoftoi në rrjetin X se familja e Navalny është në pritje të trupit.
Ekipi i Navalny pretendon se ai u vra dhe akuzon autoritetet ruse se e kanë mbajtur trupin e tij për të "mbuluar gjurmët".
Hetuesit rusë thanë se trupi i Navalny nuk do t'i jepet familjes derisa të përfundojë hetimi, sipas zëdhënëses së opozitës Kira Jarmish.
Ajo më parë tha se familja nuk e dinte se ku ishte trupi i tij. Fillimisht, administrata e burgut u tha se trupi i tij ishte në morgun e qytetit Salehard, jo shumë larg burgut, por kur nëna dhe avokati i Navalny mbërritën atje, morgu u mbyll.
Alexei Navalny vdiq në Koloninë Korrektuese Nr. 3 në Distriktin Autonom Yamalo-Nenets në moshën 48-vjeçare, njoftoi të premten departamenti rajonal i Shërbimit Federal të Ndëshkimit.
“Më 16 shkurt të këtij viti, në koloninë korrektuese numër 3, i dënuari Navalny AA është ndjerë keq pas një shëtitjeje, duke humbur pothuajse menjëherë ndjenjat. Menjëherë kanë mbërritur punonjësit mjekësorë nga institucioni dhe është thirrur ekipi mjekësor i urgjencës. Janë kryer të gjitha ndërhyrjet e nevojshme, por nuk kanë dhënë rezultate pozitive. Mjekët e urgjencës deklaruan vdekjen e të dënuarit. Po përcaktohen shkaqet e vdekjes”, thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje