Rikthimi i aktiviteteve sizmike që Skandinavia përjetoi përkohësisht 9000 vjet më parë, përkoi me shkrirjen e shpejtë të kapakut akullnajorë fino-skandinav që në atë kohë mbuloi të gjithë rajonin...
Midis viteve 1900-1950, Toka regjistroi mesatarisht 3.4 tërmete në vit me një magnitudë më të madhe se 6.5. Kjo shifër u dyfishua në 6.7 tërmete në vit deri në fillim të viteve 1970, dhe gati u pesëfishua në vitet 2000. Edhe intensiteti i tyre është rritur, me më shumë se 25 tërmete të mëdha në vit, ose dyfishi sesa në periudhat e mëparshme.
Kjo sipas bazës së të dhënave të ngjarjeve emergjente EM-DAT, e cila përpiloi shfaqjen dhe efektet e 22.000 fatkeqësive të mëdha natyrore gjatë shekullit XX-të. A mund të arrijmë në përfundimin se ekziston një lidhje shkakësore me rritjen e aktiviteteve njerëzore, siç sugjerojnë disa ekspertë?
Kjo ide u hodh për herë të parë në vitin 2011 nga një ekip kërkimor australian i udhëhequr nga profesori i gjeologjisë Giampiero Iaffaldano. Në atë kohë, u pretendua se intensifikimi i sezonit të Musonit në Indi e kishte përshpejtuar me 20 për qind gjatë 10 milionë viteve të fundit lëvizjen e pllakës tektonike indiane.
Iaffaldano theksoi se mbyllja dhe hapja e pellgjeve oqeanike, apo shfaqja e maleve të larta si Andet ose Tibeti, janë procese gjeologjike që ndikojnë tek klima. “Ne kemi treguar për herë të parë se e vërtetë është e kundërta. Pra që evolucioni i klimës mund të ndikojë në përshpejtimin e lëvizjes së pllakave tektonike”- theksoi ai.
Deri tek ky studim, asnjë ekip nuk ka qenë në gjendje të tregojë një lidhje bindëse midis ndryshimeve afatshkurtra klimatike dhe rritjes së numrit të tërmeteve në botë. Por tani shkencëtarët po pyesin mbi ndikimin e shkrirjes akullnajore në mantelin e Tokës.
“Akulli mban nën presion pjesë të mëdha të kores së Tokës”- thotë gjeofizikania Andrea Hampel. Së bashku me kolegët e tij nga Universiteti Ruhr në Bochum, Gjermani, ajo ka zbuluar se pesha e akullnajave të mëdha në tokë e ngadalëson lëvizjen e pllakave kontinentale.
Me ndihmën e simulimeve kompjuterike, ajo tregoi se rikthimi i aktiviteteve sizmike që Skandinavia përjetoi përkohësisht 9000 vjet më parë, përkoi me shkrirjen e shpejtë të kapakut akullnajorë fino-skandinav që në atë kohë mbuloi të gjithë rajonin.
Sipas këtij simulimi, presioni vertikal i ushtruar nga akulli, mund të ketë parandaluar rrëshqitjen spontane të pllakave kontinentale përgjatë vijave ndarëse gjeologjike. Por si një burim, tensionet mekanike për shkak të lëvizjeve të kores së tokës vazhduan të grumbulloheshin, dhe u çliruan kur akulli u shkri, duke shkaktuar tërmete më të shpeshta dhe më të fortë në Evropën Veriore.
A mund të ndodhë më gjerësisht sot i njëjti fenomen për shkak të ngrohjes globale? Disa studiues thonë se po, madje pretendojnë se ky mekanizëm ka filluar tashmë që të vihet në lëvizje, sidomos në Alaskë. Sepse pikërisht aty janë akullnajat më të mëdha në botë me sipërfaqe disa qindra kilometra katrorë dhe qindra metra të trasha.
Degradimi i shtresave të akullit në Grenlandë dhe Antarktidë, do të çojë në një rritje të shpeshtësisë së tërmeteve. Në 200 vitet e fundit, ato kanë humbur më shumë se 5000 km2 akull. “Toka po ngrihet në mënyrë të njëpasnjëshme, dhe kjo ngritje ndodh në dy faza. Së pari, është ngritja e menjëhershme për shkak të efektit elastik të humbjes së masës së akullit, dhe më pas është faza e ngritjes më e ngadaltë teksa ri-pozicionohet manteli i Tokës”- shpjegon Chris Rollins, studiues në Universitetin Fairbanks në Alaskë, SHBA.
Alaska Jugore, është një zonë e kuqe në koren e Tokës ku ndodhin shumë tërmete për shkak të mbivendosjes së pllakës kontinentale të Amerikës së Veriut dhe asaj të Paqësorit. “Teksa akulli shkrin, vijat ndarëse arrijnë ndonjëherë kufirin e tyre maksimal të tolerimit të presionit”- shpjegon ai.
Dhe kjo është ndoshta ajo që ndodhi në vitin 1958, kur një tërmet me magnitudë 7.8 shkaktoi një rrëshqitje të jashtëzakonshme. “Bazuar në modelet tona, ne parashikojmë se degradimi i shtresave të akullit të Grenlandës dhe Antarktidës gjatë ngrohjes globale, do të çojë në një rritje të shpeshtësisë së tërmeteve në këto rajone”- thotë Andrea Hampel, që drejtoi studimin e fundit.
Por kjo nuk është e gjitha. Sipas disa vullkanologëve, midis tyre Bill McGuire, profesor në Kolegjin Universitar të Londrës, shkrirja e kapakut të akullit në Grenlandë, mund të çlirojë presionin që mbante të mbyllura vrimat vullkanike dhe të shkaktojë rrëshqitje gjigante dheu në shtratin e detit në brigjet e këtij territori shumë pranë Danimarkës.
“Ndryshimet klimatike kanë ndodhur disa herë në historinë e Tokës, dhe ato prodhojnë dallgë të mëdha shkatërruese”- paralajmëroi ai së fundmi në një intervistë për “New Scientist”. Ka të ngjarë që në të ardhmen të ketë edhe më shumë rrëshqitje të dheut, sepse akullnajat malore po vazhdojnë të tkurren dhe po shkrin akulli deri dje i përhershëm. Shkencëtarët kanë gjetur gjurmë gjeologjike të ngjarjeve të ngjashme. 100.000 vjet më parë, rrëshqitja e një pjese të madhe të vullkanit Mauna Loa në Hawai pati shkaktuar dallgë kataklizmike mbi 300 metra të larta në mbarë rajonin.
Më së afërmi në kohë, më 17 tetor 2015, shkrirja e akullnajës Tyndall në Alaskë, solli rrëshqitjen e mbi 180 milionë tonëve gurë në ujërat e fiordit të pabanuar Taan, duke ngritur një dallgë gjigante 193 metra që përmbyti 20 kilometra katrorë tokë, përpara se të tërhiqej sërish në det.
“Më shumë rrëshqitje të tilla ka të ngjarë të ndodhin në të ardhmen, ndërsa akullnajat malore vazhdojnë që të tkurren dhe të shkrijnë ato që deri dje quheshin akujt e përhershëm”- shkruan gjeologu amerikan Bretwood Higman, autori kryesor i një studimi mbi këta skenarë të frikshëm, botuar në “Nature”.
Por në këto zhvillime shumë shqetësuese, mund të fshihet një rreth vicioz. Këta tërmete po e përshpejtojnë ngrohjen globale, pretendon një ekip shkencëtarësh rusë. Për të arritur në këtë përfundim, ata vëzhguan dy periudha të rritjes së papritur të temperaturës në Arktik, në vitet 1930 dhe 1980.
“Këto dy periudha u paraprinë nga tërmete të mëdha në një rajon 2000 km larg”- shpjegojnë autorët e studimit. Por u desh kohë që valët tektonike të arrinin deri në cipën e trashë akullnajore në Ishujt Aleutinë në Alaskën Jugperëndimore. Midis 15 dhe 20 vjet, dhe me një shpejtësi prej rreth 100 km në vit. Nëse vërtetohet kjo hipotezë, do të thotë se sasi të mëdha metani, gazi më i fuqishëm serë, do të çlirohen në atmosferë nga lëkundjet tektonike që kanë ndodhur që nga ajo kohë./Përshtati Pamfleti nga “Worldcrunch”
Lini një Përgjigje