Teksa po vazhdon lufta, Ukraina po bëhet gjithnjë e më shumë një viktimë e polarizimit të hidhur të brendshëm në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Në Evropë, kryeministri hungarez Viktor Orban po e nënshtron kontinentin ndaj tekave të tij autoritare dhe kleptokratike...
Bashkimi Evropian e nisi ketë vit me marrjen e masave të reja për të forcuar sigurinë e tij ekonomike, duke e reduktuar varësinë nga vende si Kina, dhe duke mbrojtur sektorët kryesorë dhe teknologjitë në zhvillim. Kjo tregon se Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen po i qëndron angazhimeve të saj gjeopolitike, pavarësisht apelit më të fundit nga kryeministri kinez Li Qiang një javë më parë në Forumin e Davosit.
Në pamje të parë, ky veprim duket se forcon pozitën e Brukselit. Megjithatë, ngjarjet brenda dhe pranë saj, ngrenë jo pak pikëpyetje në lidhje me besueshmërinë e gjeopolitikës evropiane. Më 2 tetor 2023, u dëmtua tubacioni nënujor i gazit natyror “Balticconnector” që lidh Estoninë me Finlandën.
Provat e mbledhura nga analiza e mbeturinave, treguan se tubacioni ishte çarë nga jashtë - dhe ndoshta qëllimisht - nga një spirancë anijeje e tërhequr zvarrë përgjatë shtratit të detit.
Shumë shpejt u zbulua se në momentin e dëmtimit të gazsjellësit, në zonë po lundronte anija e kontejnerëve “Newnew Polar Bear” e regjistruar në Hong Kong, dhe në pronësi të kompanisë kineze “Hainan Xin Xin Yang Shipping”.
Anija u fotografua menjëherë pas incidentit, duke hyrë në portin e Arkhangelsk në Rusi pa njërën nga spirancat e saj. Ky incident, duhej ta kishte detyruar Bashkimin Evropian të tregonte “autonominë e tij strategjike” kundër një provokimi kaq flagrant.
Vetëm një muaj më parë, Von der Leyen, deklaroi se BE-ja po shkonte drejt shndërrimit në një union gjeopolitik të plotë, nëpërmjet mbështetjes së saj për Ukrainën dhe qëndrimit të saj të prerë ndaj një Kine gjithnjë e më agresive. Në prag të Samitit BE-Kinë të dhjetorit 2023, incidenti i “Balticconnector” testoi angazhimin e Brukselit për ta mbajtur Pekinin përgjegjës për sfidimin e sigurisë evropiane.
Ai incident, i dha më shumë peshë tezës se Pekini nuk po mbështet vetëm diplomatikisht Moskën, por se po i ofron edhe një mbështetje të drejtpërdrejtë ekonomike dhe teknike për luftën që po bën në Ukrainë. Përgjigja e BE-së nuk u pa askund, duke neglizhuar kësisoj mbështetjen e Estonisë apo Finlandës, dhe duke i lënë këto të fundit të përballen të vetme me Pekinin.
Ky episod, ngre pikëpyetje serioze në lidhje me peshën gjeopolitike të BE-së në fillim të vitit 2024. Teksa po vazhdon lufta, Ukraina po bëhet gjithnjë e më shumë një viktimë e polarizimit të hidhur të brendshëm në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Në Evropë, kryeministri hungarez Viktor Orban po e nënshtron kontinentin ndaj tekave të tij autoritare dhe kleptokratike.
Për t’iu kundërvëmë kësaj, BE-ja duhet të rishikojë sa më parë procesin e saj vendimmarrës, dhe të artikulojë një vizion të ri kuptimplotë për veten dhe të tjerët. Ndërkohë në SHBA, ligjvënësit që po përkujdesen për administratën potenciale të ardhshme të Donald Trump, po i braktisin parimet e politikës së jashtme amerikane, dhe po e sakrifikojnë statusin global të Uashingtonit.
Në Evropë, politikë-bërësit po presin me akth “Trumpokalipsin“ e afërt, dhe duke u angazhuar në diskutime mbi të ardhmen e partneritetit transatlantik. Këto zhvillime janë “muzikë” për veshët e presidentit rus Vladimir Putin dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping.
Pavarësisht humbjeve të mëdha në trupa dhe armatime, Rusia duket se po e fiton luftën e rezistencës me Ukrainën, përmes kombinimit të luftës hibride, njerëzve që gatshëm të përdoren si “mish për top” dhe paqëndrueshmërisë së vullnetit perëndimor.
Kjo e fundit vetëm sa do ta inkurajojë Jinping të ndjekë “Ëndrrën e Kinës“, e cila përfshin eliminimin e çdo kundërshtimit të brendshëm, homogjenizimin e grupeve të ndryshme etnike, fetare dhe gjuhësore, ribashkimin e provincës rebele të Tajvanit dhe militarizimin e Detit të Kinës Jugore.
Dhe çfarë opsionesh ka Evropa në këto kushte? Pa rishikuar drastikisht qasjen e tij të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Brukselit i mbeten pak opsione në dispozicion. Së pari, vizioni strategjik i Evropës vuan nga një mungesa e duhur e fokusit.
Edhe pse është e nevojshme të merren parasysh skenarë të ndryshëm më të këqij me Pekinin dhe Uashingtonin, prioriteti kryesore duhet të jenë problemet e brendshme. Një shembull tipik është Lituania. Në majin e vitit 2021, ajo u bë vendi i parë i Evropës Qendrore dhe Lindore që u tërhoq nga bashkëpunimi me Kinën.
Kjo ndodhi si pasojë e angazhimit parimor të Vilniusit, për të mbështetur “ata që luftojnë për liri nga Bjellorusia në Tajvan”. Më pas, në nëntor 2021, Lituania lejoi hapjen e një zyre përfaqësuese të Tajvanit. Në shenjë proteste, Pekini tërhoqi menjëherë ambasadorin e tij dhe vendosi sanksione tregtare ndaj Lituanisë.
Në korrikun e vitit të kaluar, vetëm pak ditë përpara samitit të NATO-s në Vilnius, Lituania nisi zbatimin e Strategjisë të saj ambicioze të Indo-Paqësorit, duke reaguar ndaj “ndryshimeve gjeopolitike globale që kanë një efekt të drejtpërdrejtë në vendin tonë dhe BE”.
Por në nëntor, Vilniusi nisi normalizimin e marrëdhënieve me Kinën. Qeveria e Lituanisë e ka kuptuar, që edhe nëse burokracia e saj dhe ajo e Brukselit publikojnë dokumente të shumta strategjike, që fokusohen mbi çështjet globale në rajone të largëta si Indo-Paqësori, fokusi kryesor i Evropës gjeopolitike duhet të jenë periferitë e afërta të kontinentit.
Megjithatë, Evropa po i kushton akoma më pak vëmendje se zakonisht vendeve më pranë saj.
Si në rastin e gazsjellësit në Baltik apo të krizës që po përhapet në Lindjen e Mesme, BE-ja nuk po shihet gjëkundi. Dhe një mungesë e tillë e angazhimit strategjik, është sa pa përgjegjshme aq edhe dritëshkurtër.
Incidenti me “Baltic Connector”, tregoi se identiteti i BE-së si një fuqi normative e vetëshpallur është i vjetruar, dhe nuk përshtatet më me botën e trazirave dhe luftës gjeopolitike. Së dyti, BE-ja duhet ta pranojë se nuk është një fuqi globale, por një fuqi kontinentale.
Përballja me këtë realitet, do të kërkojë në mënyrë të pashmangshme ri-kalibrimin e strategjisë dhe diskursit evropian. Ai duhet të fokusohet në tre pika qendrore. Së pari, BE-ja duhet të investojë në inovacion për të ndihmuar zhvillimin e qëndrueshmërisë ekonomike evropiane.
Së dyti, ajo duhet të zhvillojë aftësitë e veta të fuqisë ushtarake. Epoka e përqendrimit tek tregtia dhe fuqisë ekonomike, e cila i lejonte dikur Evropës të ushtronte normat e saj rregullatore, po i hap tani rrugën një epoke të fuqisë ushtarake.
Vendet anëtare të BE-së me kapacitete të konsiderueshme mbrojtëse si Franca, Gjermania dhe Italia, nuk kanë marrë ende në konsideratë riarmatimin dhe zgjerimin e kapaciteteve të tyre ushtarako-industriale, duke krijuar një boshllëk të madh strategjik.
Nga ana tjetër, disa vende të Evropës Lindore, si Polonia dhe vendet baltike, kanë ndërmarrë tashmë hapa për të forcuar aftësitë e tyre ushtarake. Për t’i adresuar shqetësimet mbi sigurinë, duhen përpjekje më gjithëpërfshirëse dhe të shtuara të përbashkëta në nivelet operacionale dhe strategjike.
Së treti dhe ndoshta paradoksalisht, BE-ja mund të bëhet një aktore e besueshme në nivel global por edhe në Indo-Paqësor, vetëm duke e treguar kapacitetin e saj për të mbrojtur periferinë e saj strategjike. Incidenti “Balticconnector”, e përforcon mungesën e vullnetit dhe aftësisë së përgjithshme të BE-së për të mbrojtur veten dhe fqinjët përballë luftës dhe sulmeve të rënda ndaj infrastrukturën së rëndësishme të energjisë dhe komunikimit.
Për të siguruar një “rol më të fortë për Evropën në botë”, BE-ja duhet të konfirmojë kapacitetin dhe besueshmërinë e saj brenda dhe përreth saj. Pa veprime vendimtare, ajo rrezikon të shndërrohet në një anije të mbytur në ujërat e trazuara të gjeopolitikës globale./Përshtati Pamfleti nga “National Interest”
Shënim: Maximilian Mayer, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Politikës Globale të Teknologjisë në Universitetin e Bonit në Gjermani. Emilian Kavalski, politog bullgaro- australian, lektor në Universitetin Jagiellonian në Krakov, Poloni.
Lini një Përgjigje