TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Shkurt 2024, 10:17

A është NATO gati për një pushtim të Rusisë?

Shkruar nga Max Jeffery

A është NATO gati për një pushtim të Rusisë?

Edhe nëse planet dhe taktikat e NATO-s do të jenë të sakta, anëtarët e aleancës nuk janë tërësisht të kompletuar për një luftë në shkallë të plotë kundër Rusisë.

Në një pyll pishash 2 orë larg kufirit të Estonisë me Rusinë, po zhvillohen me intensitet përgatitjet për luftë. Ushtarët britanikë, francezë, amerikanë dhe estonezë po provojnë se çfarë do të bënte NATO nëse Vladimir Putin do të vendoste të sulmonte.

Ata kanë sjellë këtu tanket britanike “Challenger II”, një avion luftarak F-16 dhe sisteme e artilerisë Himars - pra disa nga pajisjet më të mira që ka Perëndimi - për një stërvitje 2-javore. Pra përgatitje për një luftë llogoresh, me fusha të minuara, prita dhe goditje mortajash në temperaturën -20°C dhe me një trashësi dëbore mbi 35 cm.

Jo shumë kohë më parë, ideja e luftës ndaj Rusisë shpërfillej dhe trajtohej si një shaka. Kur Mitt Romney kandidoi për president të SHBA-së, deklaroi se Moska ishte një kërcënim për vendin, ndërsa Barack Obama tallej më të duke thënë: “Nuk jemi në vitet 1980. Lufta e Ftohtë ka përfunduar para 20 vjetësh!”.

Ajo ishte mendësia e Amerikës dhe e Evropës, që solli dhe reduktimin e ndjeshëm të buxheteve ushtarake nga vendet perëndimore dhe ri-fokusimin e vëmendjes së ushtrive të tyre për të luftuar në Lindjen e Mesme. Vetëm 5 vjet më parë Emmanuel Macron pretendoi se NATO-ja ishte në “gjendje kome” dhe tha se mos-afrimi me Rusinë do të ishte një “gabim i madh”, pasi sipas tij Putin nuk donte luftë.Pastaj ky i fundit pushtoi Ukrainën.

Aleanca është zgjuar përmes elektroshokut më të fortë të mundshëm”- deklaroi Macron vitin e kaluar. Duket se tani Rusia është e avantazhuar në fushën e betejës dhe udhëheqësit evropianë po paralajmërojnë se së shpejti ajo mund të nisë një sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s.

Kryeministrja e Estonisë, kreu i sigurisë kombëtare i Polonisë dhe Ministri danez i Mbrojtjes, kanë deklaruar se Rusia mund të ketë ushtarë dhe pajisje për të nisur një sulm brenda 3 viteve të ardhshme. Për të qenë gati, NATO zhvillon këtë vit stërvitjet luftarake më të mëdha se në çdo periudhë tjetër që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Gjatë këtij viti, rreth 100.000 trupa nga e gjithë aleanca do të stërviten për mbrojtjen e territorit të aleancës. Në pyllin estonez, shumica e forcave të huaja po operojnë për herë të parë në të ftohtin ekstrem. Ndonjëherë nuk ndizen motorët e makinave, armët bllokohen dhe vështirësohen edhe veprimet e thjeshta siç është hapja e dyerve të kamionëve. Shumica e pajisjeve nuk janë ndërtuar për të punuar në këto temperatura, dhe as ushtarët nuk janë mësuar me këtë lloj acari. “Çështja nuk qëndron vetëm tek qëndrueshmëria fizike, por tek mënyra se si do të përballet mendja juaj me këto kushte atmosferike”- thotë Andrus Merilo, komandanti i brigadës kryesore të Estonisë.

Ai sapo është propozuar nga Ministri i Mbrojtjes i Estonisë, Hanno Pevkur, për të marrë drejtimin e të gjithë ushtrisë. Nëse i jepet ky post, detyra e tij e vetme do të jetë të pengojë një pushtim të mundshëm rus. Udhëheqësit baltikë thonë se veriu është pika më e dobët e NATO- s.

Putini nuk mund të sulmojë dot duke kaluar përmes Ukrainës apo Detit të Zi. Por Rusia ndan një kufi prej 1500 miljesh me Norvegjinë, Finlandën, Estoninë dhe Letoninë. Kjo zonë e gjerë po militarizohet me shpejtësi. Moska po krijon një njësi të re të madhe në rajonin rural të Karelias, që kufizohet me Finlandën dhe që deri në vitin 1940 ishte pjesë e kësaj të fundit.

Finlandezët, të cilët u anëtarësuan në NATO vetëm vitin e kaluar, po debatojnë nëse vendi i tyre duhet të pajiset apo jo me armë bërthamore. Tre shtetet baltike kanë bërë plane për të ndërtuar qindra bunkerë të mëdhenj përgjatë kufijve të tyre me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Nëse Putin sulmon, përgjigja e NATO-s është planifikuar tashmë nga Chris Cavoli, një gjeneral amerikan që komandon operacionet ushtarake të aleancës. “Planet Rajonale” të aleancës parashikojnë vendosjen e forcave në vende të përcaktuara qartë: X tanke për këtë qytet, dhe Y trupa për atë qytet.

Planet, që thuhet se përshkruhen në detaje në një dokument 4.000-faqësh, janë tepër sekrete, por supozohet se përmbajnë taktika të reja ushtarake, bazuar në mënyrën se si ka luftuar Rusia në Ukrainë. Dhe stërvitjet e NATO-s këtë vit, kanë të bëjnë me zbatimin e planeve të Cavolit.

Vendet, përvoja e fundit luftarake e të cilave ishte kundër terroristëve të Shtetit Islamik, duhet të përshtaten me rrethana shumë të ndryshme. Xhihadistët kishin pak artileri dhe një forcë ajrore që përfshinte 3 avionë të vjedhur, prodhime të viteve 1970. NATO do ta kishte më të vështirë përballë fuqisë së madhe të zjarrit që zotëron ushtria ruse.

Në Ukrainë, 470.000 forcat ruse të dislokuara në front mund të qëllojnë me 20.000 predha artileria në ditë, dhe funksionon ende pjesa më e madhe e forcave të saj ajrore. Ushtarët britanikë në Estoni po stërviten për të luftuar në llogore, siç bënë stërgjyshërit e tyre në Evropën Perëndimore një shekull më parë.

James Fern, që drejton njësinë britanike të ushtarëve, thotë se gjatë stërvitjes u kërkon trupave të tij të imitojnë taktikat ruse. “Pra përdorim i madh i artilerisë, shtim të përdorimit të armëve me rreze të gjatë dhe raketave balistike”- thekson ai. Në një nga stërvitjet, britanikët, francezët dhe amerikanët “sulmojnë” estonezët me tanket “Challenger II” dhe sistemin e artilerisë Himars.

Ndërkohë estonezët kanë mjete të blinduara suedeze CV-90, një helikopter dhe mjetet e transporti XA-188 dhe po mbrojnë 2 rrugë që kalojnë dredha-dredha drejt veriut përmes pyllit. Të gjithë ushtarët mbajnë veshur kamuflazh të bardhë dhe qëllojnë me lazer nga armët e tyre ndaj sensorëve në armaturën e palës kundërshtare.

Armët qëllojnë siç duhet, por tanket dhe artileria bëjnë tinguj artificialë. Kur qëllojnë tanket dhe artileria, mesazhet dërgohen në bazë, ku llogaritet se sa njerëz do të kishin vdekur, dhe ia përçojnë të dhënat e nxjerra ushtarakëve në terren. Më pas nga fusha e betejës largohen “të vdekurit”.

Nëse një pengesë e rreme, si për shembull një fushë e minuar, ka nevojë për pastrim, ushtarët komunikojnë me bazën dhe pushojnë për 10 minuta për të simuluar vonesën reale. Pastaj ata vazhdojnë. E gjithë kjo e bën stërvitjen të qetë dhe të ngadaltë. Ajo nis herët në mëngjes dhe duhet të përfundojë afër mesnatës në luftime të afërta ku përdoren dylbitë speciale për shikimin në errësirë.

E pyes një ushtar britanik nëse ushtria britanike është gati për luftë me Rusinë. “Ne mezi po e përballojmë luftën kundër emigracionit të paligjshëm. Nuk po arrijmë të ndalim as disa gomone”- më thotë ai duke ngritur supet.

A mund ta dijë Cavoli se si do të jetë lufta e ardhshme?

Ky është një problem i përhershëm. Ti përgatitesh për luftën e ardhshme duke parë atë të fundit”- thotë një zyrtar i NATO-s.

Në fillim forcat amerikane dhe evropiane nuk ishin të trajnuara për të luftuar në përleshjet e vogla që hasën në Lindjen e Mesme, dhe askush nuk priste që në vitin 2024 të stërvitej për të luftuar sërish në llogore. Shumë zyrtarë të NATO-s nuk e besojnë se do të ketë një luftë me Rusinë. “Nuk jam i sigurt se do të kemi një luftë”- më thotë një nga paraardhësit e Cavolit, Philip Breedlove.

Sekretari i fundit i Përgjithshëm i NATO-s nga Britania, George Robertson, është dakord me këtë qasje. “Unë nuk mendoj se Putin ka dëshirë të kalojë vijën e kuqe të Nenit 5”- deklaron Robertson, duke shtuar se Rusia ka më shumë gjasa të sulmojë Moldavinë ose Gjeorgjinë.

Vetë Putini tha në intervistën e gjatë dhënë për gazetarin Tucker Carlson se nuk do të pushtonte Poloninë apo shtetet baltike. “Pse duhet ta bëjmë këtë. Ne thjesht nuk jemi të interesuar. Anëtarët e NATO-s po flasim për një kërcënim imagjinar”- tha ai.

NATO duhet të jetë shumë e shqetësuar nga fakti se kundërsulmi i Ukrainës ndaj pushtuesve rusë vitin e kaluar, duke përdorur taktikat perëndimore, ishte e pasuksesshëm. Koordinimi i zjarrit të artilerisë, raketave dhe lëvizjeve të trupave, rezultoi të ishte shumë i vështirë dhe sulmet me raketa nuk patën aq ndikim sa të zhvendosnin pozicionet ruse.

Për me tepër Putin po ndreq të metat e ushtrisë së tij. Pasi humbi shumë ushtarë dhe pajisje në sulmin e parë të furishëm ndaj Kievit, ushtria ruse ndërtoi fortifikime me disa shtresa për të mbrojtur territorin që pushtoi në Ukrainën lindore. Po ashtu, Moska ka mësuar të bllokojë sistemet amerikane Himars.

Edhe nëse planet dhe taktikat e NATO-s do të jenë të sakta, anëtarët e aleancës nuk janë tërësisht të kompletuar për një luftë në shkallë të plotë kundër Rusisë. Për shembull, vendeve baltike u mungojnë sistemet e raketave për të mbrojtur hapësirën e tyre ajrore.

Rezervat ushtarake të Evropës janë të pakta, sepse industritë e mbrojtjes nuk po prodhojnë mjaftueshëm. Zyrtarët e NATO-s ankohen se qeveritë evropiane kanë qenë shumë të ngadalta në nënshkrimin e porosive të reja për armë. Por Evropa po e kupton dalëngadalë se nuk mund të mbështetet tek SHBA për të kompensuar mungesën e armëve të saj./ Përshtati Pamfleti nga “The Spectator”

nato rusia

Lini një Përgjigje