TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Mars 2023, 07:10

Shqiptarët e Tuzit nisin festën pas fitores në zgjedhje, Nik Gjeloshaj fiton mandatin

Shkruar nga Pamfleti
Shqiptarët e Tuzit nisin festën pas fitores në zgjedhje, Nik
Nik Gjeloshaj

Tuzi ka shpërthyer në festë pas zgjedhjeve lokale që u mbajtën ditë e djeshme në Malin e Zi.

Nik Gjeloshaj dhe koalicioni “Forumi Shqiptar” morën 18 mandate dhe zyrtarisht fituan të drejtën edhe për kryetarin e komunës së Tuzit.

Shqiptarët nisin festën nën ngjyrat kuqezi dhe sigurisht nën tingujt e muzikës shqiptare.

“Faleminderit të gjithë votuesve që sot kanë dalë në mënyrë demokratike, kanë shprehur vullnetin e tyre dhe kanë treguar se malësia do bashkim, do zhvillim. Shqiptarët vazhdojnë të qeverisin. Kemi qeverisur mirë, kjo është nota më e mirë që na kanë dhënë qytetarët e malësisë, falenderojmë të gjithë ata që na kanë përkrahur, falenderojmë diasporën, falenderojmë gjithë shqiptarët kudo që janë për mbështetjen që na kanë dhënë, edhe kësaj here i kemi bashkuar shqiptarët kudo që janë. Fitorja absolute është përgjegjësi më e madhe për ne për t’u munduar edhe më shumë 4 vitet e ardhshme”, tha Nik Gjeloshaj për mediat shqiptare.

30 qendrat e votimit u hapën në orën 7 të mëngjesit dhe u mbyllën në orën 20:00 në mbrëmje.

Procesi u zhvillua i qetë dhe në votime morën pjesë rreth 62 përqind e mbi 12 mijë qytetarëve me të drejtë vote në këtë komunë.

Në zgjedhjet e së dielës garuan 4 koalicione dhe tri forca politike të pavarura. Në koalicionin “Forumi shqiptar” të udhëhequr nga Alternativa Shqiptare e kryetarit aktual të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, bëjnë pjesë edhe Lidhja Demokratike e Shqiptarëve, Unioni Kombëtar Shqiptar dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi.

Në anën tjetër gjendet koalicioni i gjerë i përbërë nga Partia Demokratike Socialiste e Presidentit aktual Milo Gjukanoviç, Socialdemokratët, Partia Boshnjake dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve.

Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës, e më pas një nga komunat e kryeqytetit.

Banorët e Tuzit pritën gati dy dekada për t’u ndarë në një komunë të pavarur, që ishte kërkesa kryesore politike të spektrit politik shqiptar në Malin e Zi.

Në zgjedhjet e para, pas ndarjes nga komuna e kryeqytetit, Partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit Gjukanoviç humbi pushtetin në Tuz, ku deri atëherë kishte një bazë të fortë elektorale dhe mbante pushtetin në këtë komunë.

Këto zgjedhje ishin si shumë të rëndësishme në komunën që mbizotërohet nga shqiptarët për shkak edhe të klimës jo fort të mirë kohët e fundit dhe trysnisë anti-shqiptare.

Për këtë, nga Amerika, mbërritën me qindra shqiptarë, vetëm për të marrë pjesë në votime.

Lini një Përgjigje