
Gazeta serbe properëndimore, “Danas”, i ka kushtuar një artikull takimit në Bruksel dhe shprehet se sfidat për Vuçiçin sapo kanë nisur...
Pakti mes Prishtinës dhe Beogradit për planin franko-gjerman mund të zhbllokojë integrimin e Serbisë drejt BE, por kjo nuk do të thotë se Vuçiç do shpëtojë nga presioni për të sanksionuar Putinin.
Kështu shkruan gazeta serbe properëndimore “Danas”, e cila ka pyetur shumë analistë mbi atë që ndodhi në Beograd.
Suzana Grubjeshiç, nënkryetare e Qendrës për Politikë të Jashtme, tha për Danas se takimi ishte një nga më të rëndësishmit në 10 vitet e fundit, por sanksionet ndaj Rusisë janë ende në tryezën e Vuçiçit.
“Kjo nuk do të jetë një marrëveshje përfundimtare, por do t'i hapë dyert për vazhdimin e integrimit evropian të Serbisë. Sanksionet ndaj Rusisë janë ende një çështje dytësore në lidhje me zgjidhjen e nyjës së Kosovës, sepse BE-ja dhe mbi të gjitha SHBA-ja, vendosën që largimi nga Rusia të bëhet kryesisht përmes Kosovës. Lufta në Ukrainë ka përshpejtuar në mënyrë dramatike përpjekjet për largimin e ndikimit rus nga rajoni dhe leva kryesore e ndikimit është pikërisht çështja e pazgjidhur e Kosovës”, thekson ajo.
Sofija Popoviç, gazetare e portalit European Western Balkans, thotë për Danas se zyrtarët evropianë janë të qartë në pikëpamjen e tyre se marrëveshja do të përshpejtojë integrimin evropian të Serbisë dhe Kosovës. Por sipas saj, BE nuk do japë vendimin final nëse Serbia nuk distancohet nga Putini.
“Fatkeqësisht, gjatë gjithë këtyre viteve, Serbia ka humbur shumë shanse për të bërë pjesën e saj sa i përket reformave. Pra, tani, edhe sikur të vendosim sanksione dhe të lëshojmë Kosovën, anëtarësimi i plotë nuk do të vinte shpejt dhe lehtë”, thotë Popoviç.
Natan Albahari, deputet i PSG-së dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, nuk mendon se detyrimi për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë do të hiqet nëse arrihet marrëveshja me Prishtinën.
“Nëse e dëgjonim atë që tha Boreli se të dyja palët e pranuan marrëveshjen, kjo mund të ketë vetëm një efekt pozitiv në rrugën e Serbisë drejt BE-së. Por duhet të presim se çfarë do të ndodhë në lidhje me udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes. Sepse nëse kjo nuk pranohet, atëherë për ne nuk do të thotë asgjë që ne e kemi pranuar marrëveshjen në parim. Por kjo pyetje nuk do t'i zëvendësojë të gjitha obligimet e tjera që ka Serbia në atë proces. Pra, vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Duhet të kuptojmë se bota ka ndryshuar që nga shkurti i kaluar dhe se detyrimet tona në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë janë gjithashtu të një rëndësie jetike për anëtarët e BE-së”, shpjegon ai.
Pra duket se pas takimeve në Bruksel, do vijnë të tjera sfida për Vuçiçin. /Pamfleti
Lini një Përgjigje