
Një person mbeti i vrarë dhe 27 të tjerë u plagosën në sulmet intensive ruse gjatë natës në Kiev dhe Kharkiv.
Një gjendje gatishmërie është shpallur në të gjithë Ukrainën, ndërsa në kryeqytet, autoritetet ushtarake kanë paralajmëruar për kërcënimin e sulmeve me dronë dhe raketa balistike.
Sipas kryetarit të bashkisë Vitali Klitschko, në Kiev u raportuan dëme në pesë lagje.
"Një person vdiq dhe katër u plagosën. Tre nga të plagosurit u shtruan në spital", postoi ai në Telegram, ku raportoi gjithashtu ndërprerje të furnizimit me ngrohje dhe ujë në disa lagje periferike.
Sulmet ndodhën tesksa pritet që të dërguarit të takohen sot në Emiratet e Bashkuara Arabe për një ditë të dytë bisedimesh. Bisedimet janë rasti i parë që zyrtarët e administratës Trump janë ulur me të dyja vendet si pjesë e përpjekjes së Uashingtonit për përparim për t'i dhënë fund pushtimit gati 4-vjeçar të Moskës.
Ministria e jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se bisedimet janë pjesë e përpjekjeve “për të nxitur dialogun dhe për të identifikuar zgjidhje politike për krizën”. Shtëpia e Bardhë e përshkroi ditën e parë të bisedimeve si produktive.
Ka pasur një fluks aktivitetesh diplomatike ditët e fundit, nga Zvicra në Kremlin, edhe pse ka ende pengesa serioze midis të dyja palëve.
Ndërsa Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në Davos të Zvicrës të enjten se një marrëveshje e mundshme paqeje ishte “pothuajse gati”.
Vetëm pak orë para se të fillonin bisedimet trepalëshe, Presidenti rus Vladimir Putin diskutoi një zgjidhje për krizën në Ukrainë me të dërguarit e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, gjatë bisedimeve maratonë gjatë natës.
Kremlini këmbëngul se për të arritur një marrëveshje paqeje, Kievi duhet të tërheqë trupat e tij nga zonat në lindje që Rusia i aneksoi në mënyrë të paligjshme, por që nuk i ka pushtuar plotësisht.
Lini një Përgjigje