
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka ngritur alarmin se Kremlini mund të zgjerojë agresionin përtej kufijve ukrainas, duke goditur një tjetër shtet evropian.
Gjatë një deklarate në Kiev, pas kthimit nga një takim me presidentin amerikan Donald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Zelensky paralajmëroi se Moska po vë në provë mbrojtjen ajrore të vendeve anëtare të NATO-s përmes sulmeve me dronë dhe hyrjeve të paautorizuara në hapësirën ajrore të vendeve evropiane.
“Putini nuk ka ndërmend të përfundojë luftën vetëm në territorin ukrainas. Ai kërkon të hapë një tjetër front, edhe pse ende nuk dihet ku. Është pjesë e qëllimit të tij strategjik”, u shpreh presidenti ukrainas.
Ai kujtoi incidentet e fundit të dronëve dhe avionëve luftarakë rusë që shkelën hapësirën ajrore të Danimarkës, Polonisë, Rumanisë dhe Estonisë, si pjesë e një fushate për të analizuar kapacitetet mbrojtëse të Evropës.
Zelenskyy shtoi se disa shtete të Bashkimit Evropian po hasin vështirësi në trajtimin e kësaj forme të re kërcënimi.
Presidenti ukrainas përmendi incidentin kur Ukraina kishte detektuar 92 dronë që lëviznin në mënyrë të koordinuar drejt Polonisë. Sipas tij, shumica e tyre u neutralizuan, por 19 arritën të depërtojnë në territorin polak, ku katër u rrëzuan nga forcat e mbrojtjes ajrore të Polonisë.
“Nuk po bëj krahasime mes ushtrive tona. Ne jemi në gjendje lufte; ata jo”, tha Zelenskyy.
Lini një Përgjigje