TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota31 Janar 2026, 20:52

Rusia dhe SHBA në timon, Ukraina në rimorkio, Evropa spektatore!

Shkruar nga Stefano Stefanin

Rusia dhe SHBA në timon, Ukraina në rimorkio, Evropa spektatore!

Vladimir Putin dhe Donald Trump

Armëpushimi i shkurtër nuk ndryshon ekuilibrat ushtarakë, por nxjerr në pah realitetin e diplomacisë: Moska dhe Uashingtoni negociojnë, Kievi konsultohet me ndërprerje, ndërsa Evropa mbetet te dritarja, e përjashtuar nga tryeza ku vendoset fati i saj.

Një fundjavë e qetë dhe pa ankthe u premtohet banorëve të Kievit. Për ta është një frymëmarrje e madhe pas netëve të gjata pa gjumë, të kaluara mes vrapimeve drejt strehimoreve në temperatura që luhaten mes -20 dhe -30 gradë Celsius, ndërsa dronët dhe raketat ruse po godasin gjithnjë e më shpesh objektiva civilë dhe jo ushtarakë.

Tre ditë pushim, një grimë normaliteti. Por asgjë më shumë. Dhe kjo mbetet e pasigurt për qytetet e tjera të Ukrainës. Kremlini ka deklaruar se deri të dielën nuk do të ketë sulme mbi kryeqytetin ukrainas. Ndërprerja e sulmeve nisi që të premten në mbrëmje.

Le të përpiqemi të hyjmë paksa në lëkurën e ukrainasve të "kallkanosur", një përvojë e vështirë për ne italianët, evropianët apo amerikanët, që nga qielli presim vetëm reshje bore mbi pistat olimpike të Cortina-s dhe jo bomba.

Duhet të falënderojmë Donald Trump-in që kërkoi armëpushimin, Vladimir Putinin që e pranoi (gjithsesi me kursim: 3 ditë në vend të një jave të kërkuar nga presidenti amerikan) dhe Volodymyr Zelensky-n që tregoi maturi.

Edhe pse përfitues i kësaj pauze, Zelensky rrezikon ta paguajë këtë me presione të reja nga amerikanët për të dorëzuar territore që Rusia ende nuk i ka pushtuar. Me popullatën ukrainase në kufijtë e durimit, ky armëpushim humanitar duhej pranuar menjëherë.

Ai e falënderoi Trumpin, një gjest i domosdoshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, për “përpjekjet në mbrojtjen e jetëve njerëzore”. Por vendosi kushtin e reciprocitetit: Ukraina nuk do të godasë infrastrukturën energjetike ruse, në rast se Rusia i shmanget sulmeve të ngjashme.

Për Zelensky-n, kjo është edhe një përpjekje për të shpëtuar Zaporizhian nga kthetrat e ngrirjes dhe bombardimeve. Në një luftë që po hyjnë në vitin e katërt pa ndërprerje, tre ditë armëpushim janë thjesht një shpërqendrim nga dy shtyllat e konfliktit: fronti ushtarak dhe procesi i çalë i negociatave.

Ky proces është i tillë sepse nga katër këmbët mbi të cilat duhej të mbështetej tryeza, vetëm dy janë realisht të ngulura në tokë: Rusia dhe SHBA-ja. Ukraina përfshihet me hope, ndërsa Evropa mbahet qëllimisht e mënjanuar.

Dhe dy këmbë e gjysmë nuk prodhojnë dot ekuilibër. Prandaj ky armëpushim i shkurtër është plotësisht pjesë e skemës së dialogut Rusi-SHBA mbi kushtet që Ukraina duhet të pranojë për t’i dhënë fund luftës në Evropë. Një dialog dypalësh për një çështje që në fakt prek katër palë.

Negociata nuk është tripalëshe, edhe pse duket si e tillë. Ukraina konsultohet nga amerikanët “në mënyrë të alternuar”, por pa pasur një dialog direkt me rusët. Sa për evropianët, Kremlini as që dëshiron t’i dëgjojë.

Gjithsesi, evropianët kanë arritur të bëhen të pranishëm në Uashington, ndoshta duke e bezdisur Trumpin, por me një peshë që nuk mund të injorohet. Në fakt, amerikanët synojnë t’u besojnë evropianëve garancitë kryesore të sigurisë për Ukrainën pas konfliktit, si dhe barrën e rindërtimit dhe integrimit të Kievit në BE.

Pa e nënvlerësuar lehtësimin e qytetarëve të Kievit, kjo fundjavë konfirmon dinamikën: Rusia dhe SHBA në timon, Ukraina në rimorkio, Evropa spektatore. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, e shpjegoi shumë qartë origjinën e armëpushimit.

Sipas tij, Moska pranoi një “kërkesë personale” të Trump për të ndalur sulmet mbi kryeqytetin “deri të dielën”, për të krijuar kushte më të favorshme për negociata. Dhe nuk përmendi qytete të tjera, as infrastrukturën energjetike.

Në fakt, Kievi u kursye të premten mbrëma, ndërsa vazhduan sulmet në pjesën tjetër të vendit. Paralelisht, Trump njoftoi se Putin kishte pranuar një javë pa sulme mbi Kievin dhe qytete të tjera. Por tashmë presidenti amerikan na ka mësuar me premtime të tepruara.

Kjo ndërprerje është jetike për qytetarët, por e parëndësishme për fatin e negociatave. Një armëpushim kaq i shkurtër nuk ndryshon asgjë në pozicionet ushtarake. Gjithsesi, ai ka një vlerë politike të dyfishtë: pozitive, nëse do të tregonte një zbutje të Rusisë drejt një armëpushimi pa afat (gjë që nuk po duket në Moskë); dhe negative, në rast se pas fasadës humanitare fshihet përpjekja e Trump për ta bindur Zelensky-n të dorëzojë Donetsk-un, të cilin rusët ende nuk po e pushtojnë dot të gjithin.

Shantazhi amerikan ndaj Kievit duket se është: “lëshoji territore Rusisë në këmbim të garancive amerikane!”. Por Zelensky nuk ka ndërmend t’ia dorëzojë Moskës “linjën e fortesave”. Kjo do të ishte vetëvrasje ushtarake dhe politike.

Por me Trumpin duhet luajtur loja e negociatave. Dhe presidenti ukrainas e bën këtë si profesionist: dje nxori nga “kapelja” një ftesë për Putinin që të vijë në Kiev për të biseduar. E di shumë mirë që nuk do të pranohet, por kjo e ndihmon të manovrojë mes Uashingtonit dhe Moskës./ Përshtati "Pamfleti", nga “La Stampa”

rusia dhe shba europa

Lini një Përgjigje