Ndërsa retorika e luftës po rikthehet fuqishëm në Gjirin Persik, Irani ka lënë të hapur derën për negociata me Shtetet e Bashkuara. Sinjali erdhi nga një prej figurave më të larta të sigurisë në Teheran, Ali Larixhani, i cili deklaroi se “po formësohet një kornizë negociatash me SHBA-të”.
Në një postim në platformën X, Larixhani theksoi se, pavarësisht klimës së tensionuar: “Në kundërshtim me atmosferën e krijuar nga ‘lufta artificiale’ e mediave, ndërtimi i një strukture për negociata është në zhvillim”.
Ai nuk dha detaje konkrete mbi përmbajtjen apo afatet e mundshme të këtij dialogu, duke lënë hapësirë për interpretime diplomatike në një moment jashtëzakonisht delikat.
Deklarata vjen në të njëjtën kohë kur një armadë e madhe ushtarake amerikane ka mbërritur në Lindjen e Mesme, duke rritur presionin ndaj Teheranit. Të premten, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi nga Zyra Ovale se Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje me SHBA-të.
“Mund t’ju them se ata duan të bëjnë një marrëveshje”, u shpreh Trump para gazetarëve.
I pyetur nëse u kishte vendosur iranianëve një afat kohor, Trump u përgjigj shkurt: “Po”, pa dhënë sqarime të mëtejshme. Më herët, ai paralajmëroi se “koha po mbaron” përpara një sulmi të mundshëm ndaj Iranit, duke shtuar se “shpreson” të mos jetë e nevojshme një goditje ushtarake, ndërsa presioni për një marrëveshje bërthamore rritet.
Lini një Përgjigje