TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Shkurt 2026, 17:34

Rriten dyshimet mbi shëndetin mendor të Trump, 61% e amerikanëve mendojnë se ai është i paparashikueshëm

Shkruar nga Pamfleti
Rriten dyshimet mbi shëndetin mendor të Trump, 61% e amerikanëve
Donald Trump

Në Shtetet e Bashkuara po rritet shqetësimi mes votuesve për gjendjen mendore të presidentit Donald Trump, pak më shumë se një vit pas nisjes së mandatit të tij të dytë. Sipas disa sondazheve të publikuara në orët e fundit, një shumicë e konsiderueshme e qytetarëve amerikanë beson se mosha e presidentit, i cili në qershor do të mbushë 80 vjeç, po ndikon negativisht në qartësinë dhe aftësinë e tij për të qeverisur.

Një sondazh i fundit Reuters/Ipsos tregoi se rreth 61% e të anketuarve e konsiderojnë Trumpin “gjithnjë e më të paparashikueshëm me kalimin e moshës”. Ky vlerësim nuk vjen vetëm nga shumica e votuesve demokratë dhe të pavarur, por edhe nga një pjesë e republikanëve. Të dhënat tregojnë gjithashtu një rënie të numrit të personave që e përshkruajnë presidentin si “mendërisht të mprehtë dhe të aftë për të përballuar sfida komplekse”: kjo përqindje ka zbritur nga 54% në shtator 2023 në 45% aktualisht.

Edhe sondazhe të tjera konfirmojnë këtë prirje. Sipas matjeve të publikuara nga CNN, shqetësimi për aftësitë njohëse të Trumpit është rritur krahasuar me të kaluarën, me një pjesë të opinionit publik që lidh moshën e tij me vështirësi në paraqitjet publike dhe në menaxhimin e detyrimeve qeveritare. Në disa anketime, mbi 50% e votuesve kanë shprehur dyshime për gatishmërinë e tij mendore ose fizike për të ushtruar plotësisht detyrën presidenciale.

Çështja e shëndetit mendor ka marrë vëmendje të shtuar në debatin publik në prag të fjalimit për Gjendjen e Bashkimit, gjatë të cilit Trump mbajti fjalimin e tij më të gjatë ndonjëherë para Kongresit, duke theksuar arritjet e administratës së tij dhe duke synuar mobilizimin e bazës elektorale.

Rezultatet e sondazheve pasqyrojnë një klimë politike të fortë të polarizuar: ndërsa një pjesë e madhe e elektoratit republikan vazhdon të shprehë besim në aftësinë e presidentit për të drejtuar vendin, pakënaqësia e përgjithshme ndaj performancës së tij – në çështje ekonomike, politike dhe institucionale – po ushqen dyshime edhe mbi kapacitetin e tij për udhëheqje.

 

trump shba shendeti mendor

Lini një Përgjigje