TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Shkurt 2026, 17:15

Epstein trafikoi gra përmes aeroporteve britanike deri një muaj para arrestimit

Shkruar nga Emma Yeomans
Epstein trafikoi gra përmes aeroporteve britanike deri një muaj para
Jeffrey Epstein /

Qindra dosje, tregojnë se financieri pedofil rezervoi fluturime për gra të reja nga ose përmes Mbretërisë së Bashkuar deri në qershor 2019, pra pak javë para arrestimit të tij...

Të dhënat tregojnë se Jeffrey Epstein trafikonte gra përmes aeroporteve britanike deri në fund të vitit 2019, pra vetëm një muaj para arrestimit të tij. Analiza nga “The Times” e të dhënave të rezervimeve, faturave të karburantit dhe regjistrave të fluturimeve të zbuluara në dosjet e Epstein, tregon se financieri pedofil fluturoi brenda dhe jashtë Britanisë me avion privat më shumë se 60 herë.

Po ashtu, ai rezervoi fluturime komerciale për gra të reja nga ose përmes Mbretërisë së Bashkuar deri në qershor 2019, vetëm një muaj para arrestimit të tij. Gjashtë forca policore po hetojnë nëse viktimat janë trafikuar me avionin privat të Epsteinit në aeroportet komerciale të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe në bazat e RAF-it (Forcat Ajrore Mbretërore), përfshirë Northolt, një stacion sektorial në Ruislip, në perëndim të Londrës, që luajti një rol të rëndësishëm mbrojtës gjatë Betejës së Britanisë në Luftën e Dytë Botërore.

Ish-kryeministri Gordon Brown u ka kërkuar gjashtë forcave policore, përfshirë Policinë Metropolitane, të shqyrtojnë nëse Andreë Mountbatten-Windsor ka përdorur bazat e RAF-it për të bërë udhëtime që mund të kenë qenë të lidhura me Epstein.

Dokumentet e reja tregojnë se avioni i Epstein u ul në RAF Northolt deri në vitin 2015. Andreë gjithmonë ka mohuar të ketë bërë ndonjë gabim. Brown u ka kaluar një dosje me prova, që lidhen me fluturimet brenda dhe jashtë Mbretërisë së Bashkuar, gjashtë forcave policore të cilat mbulojnë të gjitha aeroportet ku mund të kenë zbarkuar fluturimet.

Ish-kryeprokurori i Kurorës, Nazir Afzal, tha se gjetjet ishin “skandaloze”. Ai deklaroi: “Herë pas here, kur policisë i është kërkuar të hetojë Epsteinin në lidhje me abuzimin seksual dhe trafikimin, na është thënë se një shqyrtim paraprak nuk e ka parë të nevojshme diçka të tillë. Si është atëherë e mundur që media si “The Times” dhe të tjerët të zbulojnë prova të rëndësishme inkriminuese, kur një shqyrtim policor nuk ka gjetur nevojë për t'i gjetur ato?”.

Afzal, i cili ndoqi penalisht bandat e ngacmimit seksual në Anglinë Veriore, shtoi: “Këtë javë kemi parë se si kur shteti është viktima e supozuar, mund të lëvizë me ritëm të shpejtë. Ndërsa kur viktimat e supozuara janë gratë, ai gjen një justifikim për të mos lëvizur fare”.

Bashkëpunëtorët e Epstein organizuan fluturime nga Heathrow në Nju Jork për një grua ruse, emri i së cilës është fshirë, vetëm një muaj para arrestimit të tij më 6 korrik 2019. Gruaja udhëtoi më 1 qershor dhe u kthye më 9 qershor.

Ndihmësja e Epstein, Lesley Groff, i bëri një kërkesë të çuditshme një punonjësi të Amex, duke i kërkuar atij të shtonte një të dhënë hoteli të parezervuar në një itinerar. Kur ai iu përgjigj se mund të ishte tepër vonë për të rezervuar dhe anuluar një hotel, Groff pyeti: “A mund ta shkruash thjesht një hotel në një itinerar?”.

Punonjësi gjeti një hotel me anulime brenda ditës, të cilit Groff iu përgjigj: “Thjesht

shtoje në itinerar. Do ta anuloj nesër në mëngjes”. Në vitin 2016, Groff i kërkoi të njëjtit punonjës të rezervonte një “fluturim të rremë” për një grua që udhëtonte për në Miami. Ajo shkroi: “Për këtë fluturim nuk ka kthim…Ky është një fluturim mashtrues… Ajo nuk do të udhëtojë vërtet… por duhet të tregojë një itinerar për këtë fluturim… a mund të përgatitni diçka për mua?”. U propozua një fluturim nga Roma për në aeroportin e Londrës, të cilit Groff iu përgjigj: “Më lejoni të zbuloj nëse bileta e rreme mund të tregojë Londrën”.

Avokatët e Groff kanë thënë më parë se klientja e tyre “nuk kishte qenë kurrë dëshmitare e asgjëje të papërshtatshme ose të paligjshme”. Të dhënat e reja të gjetura nga “The Times” zbulojnë gjithashtu se avioni privat i Epstein u ul në RAF Northolt në vitin 2015, dy vjet më vonë nga sa dihej më parë.

Një faturë karburanti për një avion ajror Gulfstream të përdorur nga Epstein regjistron avionin duke u furnizuar me karburant në bazën RAF më 8 maj 2015. Fluturimet për në Northolt ishin regjistruar më parë vetëm në vitin 2013.

Përpara burgosjes së tij në vitin 2008, Epstein bëri dhjetëra udhëtime brenda dhe jashtë aeroporteve të Mbretërisë së Bashkuar me avionin e tij privat Boeing 727. Udhëtimet, shumica e të cilave ishin për në ose nga Luton, vazhduan pas lirimit të tij nga burgu në vitin 2009 me një frekuencë më të ulët.

Në dhjetor të vitit 2000, Epstein fluturoi për në Luton nga Parisi me Ghislaine Maxwell, asistenten e Maxwell-it dhe një grua tjetër. Të nesërmen ata morën me vete Tom Pritzker, biznesmenin amerikan, dhe një pasagjer të cilit në regjistrat e fluturimeve i referohet vetëm si “një femër”, dhe fluturuan për në RAF Marham, nga ku besohet se kanë shkuar në pronën mbretërore të Sandringham.

Pritzker nuk akuzohet për shkelje. Në një deklaratë më parë këtë muaj, ai tha se i vinte keq për lidhjen e tij me Epstein. Pasi “The Telegraph” pyeti përfaqësuesit e Epstein në vitin 2011 rreth mundësisë që Andrew të kishte ndihmuar në organizimin e uljes, Epstein pyeti pilotin e tij, Larry Visoski, dhe më pas i dërgoi një email Maxwell-it me fjalët: “fola me Larry-n, është e vërtetë”.

Pas ndalesës në Sandringham, aeroplani u zhvendos në Norwich dhe dy ditë më vonë ata fluturuan përsëri për në SHBA, duke u ndalur në Gander të Kanadasë, me shumë mundësi për t’u furnizuar me karburant.

Në dhjetor 2012, avioni i tij u riparua gjerësisht në Stansted dhe, sapo mundi të fluturonte përsëri, Epstein e përdori atë për të sjellë në SHBA një grua të re ruse, emri i së cilës është fshirë. Në komunikim me specialistët e aviacionit, ai kërkoi këshilla nëse gruaja mund të hynte në Mbretërinë e Bashkuar me pasaportën e saj ruse në mënyrë që të fluturonte për në SHBA.

Dokumente të veçanta tregojnë se ai mori me qira një avion “Cessna Citation” për të fluturuar atë dhe gruan nga Parisi në Stansted, e më pas të dy hipën në avionin e tij për t'u kthyer në SHBA.

Ekzistojnë dhjetë forca të ndara policore që po vlerësojnë pretendimet në lidhje me Epstein, të cilat përfshijnë një numër akuzash se ai ka transportuar vajza të shfrytëzuara përmes Mbretërisë së Bashkuar.

Broën u shkroi gjashtë forcave policore duke theksuar shqetësimin e tij në lidhje me trafikimin e dyshuar përmes aeroporteve dhe bazave të RAF-it. Ato ishin Policia Metropolitane, policia e Surrey-t, Sussex-it, Thames Valley-t, Norfolk-ut dhe Bedfordshire-it.

Midis tyre, ato mbulojnë Heathrow-n, Gatwick-un, Luton-in, RAF Marham-in dhe RAF Horsham St Faith-in. Kur Andreë humbi punën e tij si i dërguar tregtar në Mbretërinë e Bashkuar më 21 korrik 2011, Epstein fajësoi Charles-in për largimin e ish-princit nga ky rol.

Epstein shkroi në një email: “Supozoj se ai e di që kjo është vepër e Charles-it”. Email-i ishte një përgjigje ndaj një mesazhi nga një bashkëpunëtor, i cili tha: “Shumë mbulim televiziv në PA dhe gjithmonë reportazh i madh për ty. Çmenduri”.

Besohet se PA është një referencë për Andrew-n (Princin Andrew). Ndërsa shërbeu si i dërguari tregtar i Britanisë së Madhe midis viteve 2001-2011, Andrew kishte qasje në kontakte të larta qeveritare dhe biznesi në të gjithë botën. Andreë u tërhoq nga roli pasi marrëdhënia e tij me Epstein iu nënshtrua një shqyrtimi në rritje.

Email-i i Epstein-it, në të cilin ai kritikoi Charles-in, është vetëm një nga shumë të tjerë në të cilët ai diskutoi humbjen e punës së ish-Princit si i dërguari tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.

Në një email tjetër, Epstein shkroi: “Jam i sigurt se kjo është mirë për të, ai tani do të jetë i lirë...”. Po ashu, një artikull iu dërgua Maxwell në lidhje me dorëheqjen e Andrew-t. Reagimi i saj ishte pyetja “Pse?”, të cilës Epstein iu përgjigj: “Mendoj se ai do të fitojë para...”./Pamfleti nga “Sunday Times”

epstein trafikimi i grave

Lini një Përgjigje