
“Në këtë biznes ndihem si peshkatar, ndonjëherë kap shpejt, ndonjëherë nuk ka peshk”, i shkruante Daniel Siad, një rekrutues modelesh, Jeffrey Epstein në korrik 2014, duke përshkruar sfidat e punës së tij në kërkim të fytyrave të reja në mbarë botën.
Shkëmbimi i mesazheve, i publikuar në paketën më të fundit të dokumenteve të Departamentit amerikan të Drejtësisë, tregon se Siad shprehte pakënaqësi ndaj Epstein-it, i cili nuk ishte paraqitur në një takim të planifikuar.
“Kisha 2 vajza nga Suedia, një sllovake, 2 franceze dhe rusen, me të cilën fole, si dhe një kineze shumë të bukur me emrin…”, shkruante ai. Epstein u përgjigj: “Sigurisht që do të të rimbursoj për çdo shpenzim”.
Analiza e mesazheve mes Epstein-it dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij nxjerr në pah organizimin e takimeve me një rrjedhë të vazhdueshme vajzash të reja, në dekadën pas lirimit të tij nga burgu për akuza që lidhen me shfrytëzimin seksual të të miturve.
Në komunikime të tjera, Siad theksonte: “Doja të të bëja një surprizë të madhe”, duke raportuar se një udhëtim në Skandinavi kishte qenë “shumë produktiv”, ku të paktën pesë nga vajzat e takimit ishin 16 ose 17 vjeç, si dhe një 15-vjeçare nga Franca, për të cilën shprehej se prindërit kishin dhënë miratimin për karrierën si modele. “Ka miliona të tilla atje jashtë”, shkruante ai.
Sipas “The Guardian”, industria e modës rezulton të ketë qenë një kanal i rëndësishëm për Epstein-in për të njohur gra të reja. Dokumentet tregojnë interesimin e tij të vazhdueshëm për përzgjedhjen e fytyrave të reja, ndërsa mbante marrëdhënie me figura të njohura të industrisë.
Dosjet e paraqesin Siad si një nga korrespondentët më të rregullt të Epstein-it, me transferta bankare që mbulonin shpenzimet e kërkimeve. Për më shumë se një dekadë, ai dërgonte përditësime nga Europa Lindore, Suedia apo Kuba, duke raportuar për vajza të reja për t’ia prezantuar financierit.
Edhe pse pak i njohur publikisht, Siad kishte lidhje të forta në industrinë e modës, përfshirë bashkëpunime me Jean-Luc Brunel dhe Gérald Marie. Brunel, i cili kishte bashkëpunim të ngushtë me Epstein-in dhe kishte përfituar mbështetje financiare prej tij për agjencinë MC2 Model Management, i dha fund jetës në burg në vitin 2022, ndërsa përballej me akuza për përdhunim të të miturve dhe ngacmim seksual, të cilat i kishte mohuar.
Në email-et e publikuara, Epstein shpesh pyeste: “çfarë ka për vajza të reja?”, “ndonjë lajm?”, “mosha?”. Gratë identifikoheshin shpesh sipas kombësisë. Në një rast, pasi mori fotografinë e një 19-vjeçareje, ai u përgjigj: “jo shumë interesante, më vjen keq”. Në një tjetër shkroi: “Është e mirë, gjoksi i saj është i tmerrshëm. Do të duhet të ribëhet”.
Siad ka deklaruar se prezantimet ishin për seanca të ligjshme modelimi dhe se ai largohej menjëherë pas takimeve.
“Nuk kam asgjë për të cilën të qortoj veten”, është shprehur ai për mediat franceze, duke shtuar se nuk kishte dijeni për veprimtari të paligjshme dhe se Epstein kishte abuzuar me besimin e tij.
Ndërkohë, disa gra kanë ngritur akuza ndaj tij, përfshirë pretendime për përdhunim dhe trafikim njerëzor, të cilat Siad i ka mohuar. Avokatja e tij ka deklaruar se nuk ka prova për krim dhe se çështjet bien për shkak të parashkrimit.
Dokumentet sugjerojnë se FBI ishte informuar për aktivitetin e Siad që në vitin 2016, ndërsa prokurorët francezë kanë ngritur një ekip për të analizuar provat e reja. Publikimi i dosjeve ka rikthyer vëmendjen mbi rrjetin e kontakteve të Epstein-it dhe mënyrën e funksionimit të tij përmes industrisë së modës.
Lini një Përgjigje