TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Shkurt 2026, 14:20

Një marrëveshje apo luftë? Rifillojnë negociatat bërthamore SHBA-Iran në Zvicër, Trump blindon rajonin me luftëanije

Shkruar nga Pamfleti

Në javët e fundit, SHBA ka shtuar ndjeshëm praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, përfshirë vendosjen e aeroplanmbajtëses “Gerald R. Ford” në Mesdhe. Administrata Trump po shqyrton disa skenarë ushtarakë në rast dështimi të negociatave, nga goditje të kufizuara ndaj objektivave ushtarake deri te sulme më të gjera kundër infrastrukturës bërthamore dhe raketore të Iranit.

Një marrëveshje apo luftë? Rifillojnë negociatat
Aeroplanmbajtësja Gerald R. Ford, më e madhja e Marinës, në brigjet e Kretës të hënën. Ajo u urdhërua të lundronte në Mesdhe si pjesë e fushatës së presionit të Presidentit Trump kundër Iranit. Kredia... Stelios Misinas/Reuters

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë nisur në Gjenevë një raund të ri bisedimesh për programin bërthamor iranian, të cilat konsiderohen vendimtare për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ministria e Jashtme e Iranit konfirmoi të enjten fillimin e negociatave, ndërsa rezultati i tyre mund të përcaktojë nëse palët do të shmangin një përplasje ushtarake apo do të arrijnë një marrëveshje të re.

Presidenti Donald Trump, në fjalimin e tij për Gjendjen e Unionit të martën, deklaroi se preferon zgjidhje diplomatike të ngërçit me Iranin, por theksoi vijën e tij të kuqe: “Nuk do ta lejoj kurrë sponsorin më të madh të terrorit në botë, që janë ata pa asnjë dyshim, të ketë armë bërthamore, nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë.”

Nga ana tjetër, Irani ka përjashtuar dorëzimin e plotë nga pasurimi i uraniumit. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, shkroi në rrjetet sociale: “Bindjet tona themelore janë plotësisht të qarta: Irani në asnjë rrethanë nuk do të zhvillojë armë bërthamore; por as ne iranianët nuk do të heqim dorë nga e drejta jonë për të përfituar nga teknologjia paqësore bërthamore për popullin tonë.”

Propozimi i pritshëm i Iranit
Sipas katër zyrtarëve iranianë, të cituar nga The New York Times, Teherani pritet të paraqesë një propozim që ruan një nivel të kufizuar pasurimi, duke i dhënë njëkohësisht mundësi presidentit Trump të shpallë sukses diplomatik. Propozimi parashikon pezullimin e aktiviteteve bërthamore dhe të pasurimit të uraniumit për një periudhë tre deri në pesë vjet. Më pas, Irani do t’i bashkohej një konsorciumi bërthamor rajonal, duke mbajtur një nivel shumë të ulët pasurimi, rreth 1.5 për qind, për kërkime mjekësore.

Teherani gjithashtu do të ofrojë hollimin gradual të rreth 400 kilogramëve uranium të pasuruar në nivel të lartë që zotëron aktualisht. Procesi do të mbikëqyrej nga inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), me qëllim garantimin e transparencës dhe respektimit të marrëveshjes.

Çfarë po ndodh në Gjenevë?
Delegacionin iranian e drejton ministri Araghchi, ndërsa palën amerikane e përfaqëson i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Trump. Bisedimet ndërmjetësohen nga Omani. Ky është raundi i tretë i negociatave që nga rifillimi i tyre këtë muaj, pas kërcënimeve të presidentit Trump për ndërhyrje ushtarake gjatë trazirave në Iran në janar.

Organizatat e të drejtave të njeriut raportuan se gjatë shtypjes së protestave u vranë të paktën 7 mijë persona.

Në tryezë, Irani duhet të bindë SHBA-në se nuk synon militarizimin e programit të tij bërthamor dhe, njëkohësisht, t’i ofrojë presidentit Trump hapësirë politike për të pretenduar një marrëveshje më të fortë se ajo e arritur nga administrata Obama. Nga ana e saj, Uashingtoni duhet të ofrojë stimuj konkretë, përfshirë heqjen e kërcënimit ushtarak dhe lehtësimin e sanksioneve ekonomike që kanë goditur sistemin bankar dhe eksportet e naftës së Iranit, duke e çuar ekonominë drejt kolapsit.

Zyrtarë iranianë kanë deklaruar publikisht se propozimi i tyre përfshin edhe angazhime ekonomike, si blerja e mallrave amerikane përfshirë avionë pasagjerësh  si dhe ftesa për kompani amerikane që të investojnë në sektorin energjetik, të naftës dhe gazit, dhe në minierat e mineraleve strategjike si litiumi. Sipas zyrtarëve iranianë, udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili në marrëveshjen e parë kishte ndaluar hyrjen e kompanive amerikane, tani ka dhënë miratimin e tij.

Hossein Mousavian, ish-diplomat i lartë iranian dhe zëdhënës i ekipit negociator në vitin 2015, deklaroi për The New York Times: “Një bashkëpunim i madh ekonomik mes Iranit dhe SHBA-së mund të funksionojë si katalizator për ndërtimin e besimit.”

Megjithatë, programi raketor i Iranit dhe mbështetja e tij për grupe të armatosura në rajon nuk janë pjesë e këtyre bisedimeve. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi: “Irani refuzon refuzon  të flasë për raketat balistike, me ne apo me këdo tjetër, dhe kjo është një problem i madh.” Ai shtoi se në të ardhmen do të nevojiten diskutime më të gjera përtej çështjes bërthamore.

Si arritën palët në prag lufte?

Në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë, presidenti Trump tërhoqi SHBA-në nga Marrëveshja e Përbashkët Gjithëpërfshirëse e Veprimit (JCPOA), e arritur në vitin 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore nën administratën Obama. Marrëveshja kufizonte pasurimin e uraniumit në 3.5 për qind dhe parashikonte transferimin e rezervave të pasuruara në Rusi. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike dhe agjencitë amerikane të inteligjencës kishin konstatuar se Irani po e zbatonte marrëveshjen.

Pas tërheqjes, SHBA vendosi sanksione të ashpra ndaj eksporteve të naftës dhe sistemit bankar iranian. Franca, Britania dhe Gjermania iu bashkuan zbatimit të sanksioneve, duke e lënë Iranin pa përfitimet ekonomike të parashikuara.

Në përgjigje, Irani rriti gradualisht nivelin e pasurimit nga 3.5 për qind në 60 për qind – pranë nivelit 90 për qind që konsiderohet i nevojshëm për armë bërthamore – dhe grumbulloi sasi të mjaftueshme për të prodhuar disa bomba nëse do të vendoste ta bënte këtë, me një kohë reagimi prej disa javësh, sipas kreut të IAEA-s, Rafael Grossi. Teherani këmbëngul se programi i tij ka qëllime paqësore.

Në qershor, ndërsa bisedimet po vazhdonin, Izraeli ndërmori një sulm të befasishëm ndaj Iranit, duke nisur një luftë 12-ditore. Konflikti përfundoi me sulme ajrore amerikane ndaj tre objekteve kryesore bërthamore iraniane, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke ndalur përkohësisht programin. Sipas zyrtarëve iranianë dhe amerikanë, rezervat e uraniumit të pasuruar besohet se ndodhen nën rrënojat e një prej objekteve.

Çfarë pritet më tej?
Në javët e fundit, SHBA ka shtuar ndjeshëm praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, përfshirë vendosjen e aeroplanmbajtëses “Gerald R. Ford” në Mesdhe. Administrata Trump po shqyrton disa skenarë ushtarakë në rast dështimi të negociatave, nga goditje të kufizuara ndaj objektivave ushtarake deri te sulme më të gjera kundër infrastrukturës bërthamore dhe raketore të Iranit.

Irani ka paralajmëruar se do të reagojë menjëherë ndaj çdo sulmi, duke synuar bazat amerikane në rajon dhe Izraelin me raketa balistike. Ajatollah Khamenei ka deklaruar se Irani do të përpiqet të fundosë anije luftarake amerikane në rast konflikti.

Analistë dhe ish-zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë, përfshirë gjeneralin në pension David Petraeus, kanë paralajmëruar se një luftë me Iranin mund të jetë e gjatë, shkatërruese dhe me kosto të larta për forcat amerikane.

Sanam Vakil, drejtoreshë e programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Chatham House, vlerësoi: “Ky do të jetë raundi vendimtar. Nëse Irani nuk tregon mjaftueshëm gatishmëri për kompromis dhe SHBA nuk tregon gatishmëri për të ofruar lehtësim të mjaftueshëm sanksionesh, situata do të shpërthejë. Të enjten do të vendosin të gjitha kartat në tryezë.”

Vëmendja ndërkombëtare mbetet e përqendruar në Gjenevë, ndërsa rezultati i këtyre bisedimeve pritet të përcaktojë jo vetëm fatin e programit bërthamor iranian, por edhe balancën e sigurisë në Lindjen e Mesme.

një marrëveshje apo luftë

Lini një Përgjigje