Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka deklaruar se vendi do të vijojë zgjerimin e arsenalit të tij bërthamor, si në aspektin e madhësisë ashtu edhe të kapaciteteve, duke forcuar më tej retorikën kërcënuese ndaj kundërshtarëve.
Strategjinë e re, ai e prezantoi gjatë një kongresi njëjavor të Partia e Punëtorëve të Koresë. Sipas mediave shtetërore, Kim e cilësoi statusin bërthamor të vendit si “të pakthyeshëm dhe të përhershëm”, duke theksuar se Pheniani do të vazhdojë të rrisë kapacitetet e tij “për sa kohë që ekzistojnë armët bërthamore në tokë” dhe për sa kohë që vendi, sipas tij, kërcënohet nga “imperialistët amerikanë dhe pasuesit e tyre”.
“Ne kemi një plan afatgjatë për të forcuar forcën bërthamore kombëtare në baza vjetore në të ardhmen dhe do të përqendrohemi në rritjen e numrit të armëve bërthamore dhe zgjerimin e mjeteve dhe hapësirës për operacione bërthamore”, tha Kim.
Deklaratat e tij u shoqëruan me një paradë ushtarake të zhvilluar të mërkurën në Phenian, në kuadër të aktiviteteve të kongresit. Gjatë saj, Kim paralajmëroi se Koreja e Veriut do të “ndërmerrte sulme të tmerrshme hakmarrëse ndaj çdo force” që cenon të drejtat e vendit.
Lini një Përgjigje