TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Qershor 2025, 14:25

Rrëzimi i “Air India”, asnjë i mbijetuar nga avioni Boeing 787-8

Shkruar nga Pamfleti
Rrëzimi i “Air India”, asnjë i mbijetuar nga avioni Boeing
Pamje nga momenti i rrëzimit

Anjë person nuk ka mbijetuar nga rrëzimi i avionit në Indi, i cili do të udhëtonte për në Londër.

Shefi i policisë indiane, ka konfirmuar se nga aksidenti tragjik i avionit Boeing 787-8 Dreamliner, i cili u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabad, nuk ka asnjë të mbijetuar.

“Duket se nuk ka të mbijetuar nga përplasja e avionit”, deklaroi G.S. Mali për “Associated Press”.

Sipas shefit të policisë, për shkak se avioni u rrëzua në një zonë të banuar, ka shumë gjasa që edhe banorë lokalë të jenë mes viktimave, pasi ndërtesa në të cilën u rrëzua avioni është një konvikt mjekësh.

“Po punojmë për të përcaktuar numrin e saktë të viktimave”, shtoi ai.

Avioni mbante në bord 244 persona, përfshirë pasagjerë nga India, Britania, Portugalia dhe Kanadaja.

Rrëzimi i “Air India”, asnjë i mbijetuar nga avioni Boeing
Forcat e kërkim-shpëtimit

Përplasja ndodhi menjëherë pas ngritjes, kur avioni kishte arritur një lartësi prej rreth 190 metrash. Shërbimet e emergjencës vijojnë kërkimet në vendin e ngjarjes, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit tragjik.

Pamjet në kanalet televizive lokale treguan tym që ngrihej nga vendi i rrëzimit në atë që dukej të ishte një zonë e populluar pranë aeroportit në Ahmedabad, një qytet me një popullsi prej më shumë se 5 milionë banorësh.

Çfarë ndodhi?

Avioni i "Air India" me 242 pasagjerë në bord u rrëzua në një zonë të banuar pranë aeroportit në Ahmedabad të Indisë.

Gazeta “Times of India” raporton se avioni kishte destinacion Londrën, por u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar Sardar Vallabhbhai Patel.

Nga 242 pasagjerët në bord, Air India njoftoi se kishte 169 indianë, 53 britanikë, shtatë portugezë dhe një kanadez. Boeing 787-8 Dreamliner, është një avion me trup të gjerë dhe dy motorë. Ky është rrëzimi i parë i një avioni Boeing 787, sipas bazës së të dhënave të Rrjetit të Sigurisë së Aviacionit.

Kryeministri indian Narendra Modi, në një postim në rrjetet sociale, u shpreh i tronditur nga tragjedia ndërsa shtoi se “nuk mund ta përshkruajmë dot më fjalë dhimbjen që ndjejmë”.

“Tragjedia në Ahmedabad na ka tronditur dhe ka përhapur trishtim. Është e pamundur të përshkruhet me fjalë dhimbjen që ndiejmë. Në këtë orë të trishtueshme, mendimet e mia janë me të gjithë të prekurit. Jam në kontakt me ministrat dhe autoritetet që po punojnë për të ndihmuar të prekurit”, tha Modi.

Lini një Përgjigje