
Kryeministri indian Narendra Modi ka reaguar tragjedisë që tronditi vendin, ku një avion i “Air India” me 242 persona në bord u rrëzua. Ai shprehet i tronditur ndërsa shton se “nuk mund ta përshkruajmë dot më fjalë dhimbjen që ndjejmë”.
“Tragjedia në Ahmedabad na ka tronditur dhe ka përhapur trishtim. Është e pamundur të përshkruhet me fjalë dhimbjen që ndiejmë. Në këtë orë të trishtueshme, mendimet e mia janë me të gjithë të prekurit. Jam në kontakt me ministrat dhe autoritetet që po punojnë për të ndihmuar të prekurit”, tha Modi.
Ndërkohë, ministri i shëndetësisë ndonëse nuk dha shifra, deklaroi se numri i viktimave mund të jetë i lartë. Megjithatë, informacione të pakonfirmuara siç raportojnë mediat ndërkombëtare flasin për të paktën 130 të vdekur.
"Air India" tha se fluturimi AI171, i cili u nis nga Ahmedabad për në Londër Gatwick në orën 13:38 sipas orës lokale, mbante 242 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit. Mes tyre janë 169 shtetas indianë, 53 shtetas britanikë, shtatë shtetas portugezë dhe një shtetas kanadez.
“Të plagosurit po dërgohen në spitalet më të afërta”, njoftoi linja ajrore.
Aeroporti i Ahmedabadit tha në një deklaratë se të gjitha fluturimet janë pezulluar deri në njoftim të mëtejshëm pasi aeroplani u rrëzua "menjëherë pas ngritjes, jashtë aeroportit".
Lini një Përgjigje