Trump ka qenë gjithnjë e më i shpejtë për t’iu drejtuar dhunës.
Javën e kaluar, shefi i policisë së Minneapolisit, Brian O’Hara, tha se gjëja që e frikëson më shumë është “momenti kur gjithçka shpërthen”. Unë e ndaj këtë shqetësim. Nëse ndjekim trajektoren e ngjarjeve, është mjaft e qartë se po shkojmë drejt një lloj shpërbërjeje.
Ne ndodhemi në mes të të paktën katër shthurjeve: shthurjes së rendit ndërkombëtar të pasluftës; shthurjes së qetësisë së brendshme kudo ku agjentët e Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) zbresin me çizmet e tyre të rënda; shthurjes së mëtejshme të rendit demokratik, me sulme ndaj pavarësisë së Rezervës Federale dhe më falni lojën e fjalëve ndjekje penale të sajuara kundër kundërshtarëve politikë; dhe, së fundi, shthurjes së mendjes së Presidentit Trump.
Nga këto katër, shthurja e mendjes së Trumpit është kryesorja, ajo që çon drejt të gjithave të tjerave. Narcisistët ndonjëherë përkeqësohen me kalimin e moshës, ndërsa frenimet e mbetura u zhduken. Efekti është i destinuar të jetë i thellë kur narcisisti rastis të jetë president i Shteteve të Bashkuara.
Çdo president që kam mbuluar ndonjëherë bëhet gjithnjë e më i mbushur me veten sa më gjatë qëndron në detyrë; dhe kur nis nga niveli i vetëvlerësimit të Trumpit, efekti është madhështi e tepruar, ndjenjë e fortë e së drejtës, mungesë empatie dhe reagim i egër ndaj fyerjeve të perceptuara.
Për më tepër, gjatë vitit të kaluar, Trump ka qenë gjithnjë e më i shpejtë për t’iu drejtuar dhunës. Në vitin 2025, SHBA-ja kreu ose kontribuoi në 622 misione bombardimi jashtë vendit, duke vrarë njerëz në vende që variojnë nga Venezuela te Irani, Nigeria dhe Somalia, për të mos përmendur Minneapolisin.
Harku i tiranisë anon drejt degradimit. Tiranët zakonisht dehen nga pushteti i tyre, gjë që gradualisht zvogëlon vetëpërmbajtjen, rrit ndjenjën e së drejtës dhe vetëpërqendrimin, shton prirjen për rrezik dhe vetëbesimin e tepruar, ndërsa përshkallëzon izolimin shoqëror, korrupsionin dhe paranojën mbrojtëse.
Kohët e fundit e kam gjetur të dobishme t’u kthehem historianëve të Romës së lashtë, duke filluar nga origjinalët si Kato dhe Taciti. Këta burra patën një pamje nga rreshti i parë të tiranisë, me raste studimore të shpërndara para tyre, Nero, Kaligula, Komodi, Domiciani, Tiberi. Ata e kuptuan lidhjen e ngushtë mes moralit privat dhe rendit publik dhe se, kur ka një kalbëzim të të parit, do të ketë një kolaps të të dytit.
“Nga të gjitha pasionet dhe oreksat tona, dashuria për pushtet është më tiranike dhe më pak shoqërore për nga natyra, pasi krenaria e një njeriu kërkon nënshtrimin e shumicës,” shkroi Edward Gibbon në veprën e tij klasike të vitit 1776, Rënia dhe Shkatërrimi i Perandorisë Romake.
Ai vazhdoi: “Në rrëmujën e përçarjes civile, ligjet e shoqërisë humbasin forcën e tyre dhe vendi i tyre rrallëherë zëvendësohet nga ato të humanizmit. Zelli i përplasjes, krenaria e fitores, dëshpërimi i dështimit, kujtesa e padrejtësive të së shkuarës dhe frika e rreziqeve të ardhshme kontribuojnë të gjitha në ndezjen e mendjes dhe në heshtjen e zërit të mëshirës. Nga motive të tilla, pothuajse çdo faqe e historisë është njollosur me gjak civil.”
Historiani anglez i shekullit XVIII, Ewëard Wortley Montagu, bëri dallimin mes ambicies dhe etjes për dominim. Ambicia mund të jetë një tipar i lavdërueshëm, pasi mund t’i shtyjë njerëzit t’i shërbejnë komunitetit për të fituar admirim publik. Etja për dominim, shkruante ai, është një pasion tjetër, një formë egoizmi që na shtyn të “tërheqim gjithçka drejt qendrës tek vetja, çfarëdo që mendojmë se na mundëson të kënaqim çdo pasion tjetër”.
Etja e pangopur për dominim, vazhdon ai, “i dëbon të gjitha virtytet shoqërore”. Tirani egoist lidhet vetëm me ata të tjerë që ndajnë egoizmin e tij, që janë të etur të mbajnë maskën e gënjeshtrës së përhershme.
“Miqësia dhe armiqësia e tij do të jenë njësoj të rreme dhe lehtësisht të këmbyeshme, nëse ndryshimi i shërben interesit të tij.”
Këta historianë u impresionuan nga forca personale që tiranët e vjetër mund të gjeneronin. Njeriu i etur për pushtet është gjithmonë aktiv, qendra e shfaqjes, i pamëshirshëm, vigjilent, mosbesues, i shqetësuar kur diçka i del përpara.
Taciti ishte veçanërisht i aftë në përshkrimin e efektit që tirani ka mbi njerëzit përreth tij. Kur tirani merr për herë të parë pushtetin, ndodh një “vrapim drejt skllavërisë”, ndërsa turma të mëdha servilësh përulen para njeriut të madh. Lajkat duhet të përshkallëzohen vazhdimisht dhe të bëhen gjithnjë e më përulëse, derisa dinjiteti i çdo ndjekësi të zhvishet plotësisht.
Pastaj vjen ajo që mund ta quash zhdukja e së mirës, ndërsa njerëzit moralisht të shëndetshëm fshihen për të mbijetuar. Ndërkohë, e gjithë shoqëria priret të mpaket. Rrjedha e pandërprerë e ngjarjeve tronditëse përfundimisht e mbingarkon sistemin nervor; vala në rritje e brutalitetit, që dikur dukej shokuese, fillon të duket e zakonshme.
Ndërsa sëmundja e tiranisë përparon, qytetarët mund të humbasin përfundimisht zakonet e demokracisë, artin e bindjes dhe kompromisit, besimin ndërpersonal, intolerancën ndaj korrupsionit, frymën e lirisë, etikën e masës.
“Është më e lehtë të shtypësh shpirtin dhe entuziazmin e njerëzve sesa t’i ringjallësh. Madje, mbi ne bie një lidhje me vetë pasivitetin e imponuar, dhe përtacia që në fillim urrehej, në fund dashurohet.”-shkroi Taciti.
Nuk kam mjaft imagjinatë për të ditur se nga do të vijë shpërbërja e radhës, ndoshta përmes ndonjë krize të brendshme, kriminale apo të jashtme? Megjithatë, më bëri përshtypje një fjali që Robert Kagan shkroi në një ese mbi efektet e politikës së jashtme të Trumpit në The Atlantic: “Amerikanët po hyjnë në botën më të rrezikshme që kanë njohur që nga Lufta e Dytë Botërore, një botë që do ta bëjë Luftën e Ftohtë të duket si lojë fëmijësh dhe botën pas Luftës së Ftohtë si parajsë.”
Dhe jo, nuk mendoj se Amerika po shkon drejt diçkaje të ngjashme me një kolaps të stilit romak. Institucionet tona janë shumë të forta dhe njerëzit tanë, thellë-thellë, ende kanë të njëjtat vlera demokratike.
Por e di se ngjarjet po shtyhen përpara nga psikika e dëmtuar e një njeriu të vetëm. Historia nuk regjistron shumë raste ku një udhëheqës i çmendur pas pushtetit, duke rrëshqitur drejt tiranisë, të ketë rifituar papritur arsyen dhe të jetë bërë më i moderuar. Përkundrazi, rrjedha normale e sëmundjes shkon drejt përkeqësimit dhe shthurjes gjithnjë e më të përshpejtuar.
Dhe e kuptoj pse etërit themelues të Amerikës kaluan kaq shumë kohë duke lexuar historianë si Taciti dhe Kato. Thomas Jefferson e quajti Tacitin “shkrimtarin e parë në botë, pa asnjë përjashtim”.
Ata e kuptuan se etja për pushtet është një impuls parësor njerëzor dhe se edhe të gjitha masat mbrojtëse që ndërtuan në Kushtetutë nuk janë të mjaftueshme për ta frenuar këtë etje, kur ajo nuk përmbahet etikisht nga brenda.
Siç e shprehu John Adams në një letër të vitit 1798: “Ne nuk kemi një qeveri të armatosur me pushtet të aftë të përballet me pasionet njerëzore të shfrenuara nga morali dhe feja. Lakmia, ambicia, hakmarrja apo galanteria do t’i këpusnin fijet më të forta të Kushtetutës sonë, ashtu si një balenë e çan një rrjetë.”/ Përshtati “Pamfleti”, nga “New York Times”.
Vlen për kryehalabakun botëror dhe po aq për halabakët provincialë si ky i yni. Justifikoj gjermanët e frustruar nga padrejtësitë e luftës ĺ që i besuan Hitlerit, madje dhe fanatizmin çifut, por nuk kuptoj arsyen pse 1/2 e amerikanëve të bardhë e duan këtë mostrën që nuk ka asgjë pozitive. Artikulli është fantastik. E njoh shumë mirë Tacitin dhe Romën. Mesa duket çdo gjë ripërsëritet edhe Kaligula, edhe lvani i tmerrshëm edhe Xhingis hani. Edhe për ne Ali Pasha.