Duhet theksuar se armët bërthamore të Koresë së Veriut nuk janë thjesht për qëllime mbrojtëse: ato synojnë gjithashtu të arrijnë një efekt shtrëngues, të mobilizojnë mbështetjen e regjimit, dhe ta mbrojnë nga mbështetja e tepruar nga Kina dhe Rusia...
Problemi i Koresë së Veriut do të përkeqësohet, para se të përmirësohet. Ky vend vazhdon të perfeksionojë teknologjinë e raketave balistike që dalin dhe ri-hyjnë në atmosferën e Tokës për të goditur objektivin. Por edhe raketat me lëndë djegëse të ngurtë, të cilat do të rrisin ndjeshëm fuqinë dhe rrezen goditëse të armëve të saj bërthamore.
Këto përmirësime, do ta nxjerrin jashtë loje mbrojtjen raketore në Gadishullin Korean, dhe do të kërcënojnë territorin e SHBA-së dhe të aleatëve të saj në Azi. Përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, ekspertët presin një provë të shtatë bërthamore nga Pheniani ose ndonjë provokim tjetër që do të synojë enkas të bërë bujë.
Në janar të këtij viti, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, e etiketoi publikisht Korenë e Jugut si “armikun kryesor” të vendit të tij. Ai hoqi dorë nga bashkimi paqësor i vendit, duke u distancuar nga një qasje e mbështetur prej dekadash nga paraardhësit e tij.
Këto lëvizje, marrin një rëndësi shtesë kur shihen nën sfondin e zhvendosjes gjeopolitike të Phenianit drejt përqafimit të autokracive dhe thirrjeve të vazhdueshme të regjimit të Kim për “përgatitjet për lufte” që nga fillimi i vitit 2023. Ndërkohë, Pheniani po afrohen akoma më shumë me Moskën, duke i dërguar artileri dhe raketa, në këmbim të furnizimeve shumë të nevojshme si ushqim dhe naftë dhe ndoshta edhe teknologji ushtarake.
Rezultati është një krizë që po afrohet, dhe që kërkon një qasje të ri-kalibruar. Ashtu si gjatë viteve të kaluara, debati mbi politikën e Koresë së Veriut është ndarë në kampe rivale. Njëra palë dëshiron të dyfishojë masat parandaluese dhe de-nuklearizimin e plotë, dhe tjetra dëshiron angazhimin me vendin komunist dhe kontrollin e armëve.
Të dyja kampet bien dakord se status quo-ja aktuale është e paqëndrueshme. Dhe asnjëra nga prej tyre nuk mbështet një rikthim tek politika e “durimit strategjik” të praktikuar gjatë administratës Obama. E megjithatë, pa një plan tjetër në dispozicion, Uashingtoni do të mbetet i bllokuar tek një politikë durimi jo dhe aq strategjike.
Sfidat e sotme burojnë nga historia komplekse e Koresë së Veriut, papajtueshmëria e sistemit të SHBA-së me atë të Koresë së Veriut, dekadat e mosbesimit të ndërsjellë dhe nga prioritetet strategjike të Koresë së Veriut. Për t’i kapërcyer këto sfida, ne rekomandojmë heqjen dorë nga një marrëveshje e madhe, në favor të një qasjeje të re.
Ajo duhet të kombinojë parandalimin, sigurinë dhe angazhimin për të krijuar stimuj për përparim, të cilët mund të ketë sukses pavarësisht nëse Kim Jong Un ulet apo jo në tryezë.
Origjina e problemit të Koresë së Veriut, buron nga kolonializmi japonez, premtimi i pa mbajtur i Amerikës për t’i ardhur në ndihmë Koresë në vitin 1882, dhe një kujdestari ndërkombëtare e pas Luftës së Dytë Botërore, që krijoi terrenin për rivalitetin e vazhdueshëm ideologjik të gadishullit.
Pushtimi i Koresë së Veriut, i nxitur nga Bashkimi Sovjetik dhe i ndihmuar edhe nga Kina komuniste, shkaktoi një luftë civile që evoluoi në një luftë rajonale midis palëve të treta. Konflikti kërcënoi të përshkallëzohej në një përballje midis superfuqive bërthamore.
Ndërsa kjo fatmirësisht nuk ndodhi asnjëherë. Megjithatë Lufta Koreane, i dha formë modelin e luftës me prokurë të Luftës së Ftohtë që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Në fund të luftës, 2 vjet bisedime të vështira kulmuan me një armëpushim jo të lehtë që mbetet ende në fuqi.
Ndaj palët ndërluftuese, kanë mbetur të bllokuara në një gjendje lufte teknike, derisa të arrihet një zgjidhje politike. Vendimmarrja e Koresë së Veriut, është ndikuar gjithmonë edhe konteksti gjeopolitik më i gjerë. Kim Il Sung, shpërfilli udhëzimet e drejtpërdrejta të liderit sovjetik Nikita Khrushchev për të zbehur disi kultin e tij të personalitetit dhe për të përqafuar qeverisjen pluraliste.
Përgjatë viteve, Moska dhe Pekini kanë luftuar për kontrollin e partnerit të tyre të vogël.
Por mosbesimi ka qenë gjithnjë aty. Ndonëse sovjetikët ndihmuan Korenë e Veriut të ndërtonte një reaktor bërthamor në Yongbyon në vitet 1950, udhëheqësit e Phenianit nuk u angazhuan plotësisht për zhvillimin e armëve bërthamore deri në vitet 1970, pasi u shqetësuan për besueshmërinë e klientëve të tyre, dhe panë me shqetësim rritjen ekonomike të Koresë së Jugut.
Leksioni për Korenë e Veriut? Që kur u drejtohet klientëve të shumtë, mund të minimizojë ndikimin e tyre, duke maksimizuar përfitimet. Dhe e shohim ende sot jehonën e kësaj qasjeje, ndërsa Kim kundërshton presidentin rus Vladimir Putin dhe e mban Kinën në distancë.
Sot, Koreja e Veriut paraqet një kërcënim konvencional, bërthamor, kimik dhe biologjik, gjë që përbën një problem global dhe një precedent i rrezikshëm që e dobëson Traktatin mbi Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Shembulli i Phenianit është tani një udhërrëfyes i vërtetë për shtetet diktatoriale që kërkojnë të pajisen me armë bërthamore:Shtrëngoni dhëmbët dhe vuani pasojat e sanksioneve për një farë kohe, dhe mund të keni armët tuaja nukleare dhe të kërcënoni me to fqinjët.
Kompromiset e nevojshme, e kanë një kosto politike si në Uashington ashtu edhe në Phenian. Si SHBA-ja edhe Koreja e Veriut nuk i e tolerojnë humbjet, ndaj kokëfortësia është shndërruar në një pjesë përbërëse të qasjes strategjike. Ndonëse shumica e analistëve amerikanë e pranojnë se de-nuklearizimi i plotë nuk është i realizueshëm (ose nuk ka qenë kurrë), asnjë president i SHBA-së nuk dëshiron të hyjë në histori duke hequr dorë nga ky qëllim.
Por nga ana tjetër, duhet theksuare se armët bërthamore të Koresë së Veriut nuk janë thjesht për qëllime mbrojtëse: ato synojnë gjithashtu të arrijnë një efekt shtrëngues, të mobilizojnë mbështetjen e regjimit, dhe ta mbrojnë nga mbështetja e tepruar nga Kina dhe Rusia.
Ajo që e ndërlikon më tej enigmën e Koresë së Veriut për politikë-bërësit amerikanë, janë ndryshimet e dukshme të politikave strategjike që Pheniani ka ndërmarrë vitet e fundit. Rrënja e këtyre ndryshimeve, mund të gjurmohet në dështimit e samitit të Hanoit midis Trump dhe Kim, dhe mungesës së një përparimi diplomatik midis dy vendeve në fund të vitit 2019.
Paralajmërimi i Kim Jong Un në fund të atij për një “konfrontim të gjatë” me Shtetet e Bashkuara, parashikoi me saktësi se ku do të shkonte Veriu. Gjatë 5 viteve të ardhshme, do të ndërmerrte një sërë hapash provokues. Së pari, Pheniani njoftoi një plan 5-vjeçar të zhvillimit të mbrojtjes, i përqendruar në përparimin e aftësive bërthamore.
Po ashtu, rifilloi testimin e raketave balistike ndërkontinentale që e kishte pezulluar në prill 2018, dhe deklaroi se “nuk do të ketë më asnjë pazar mbi” armët bërthamore të Veriut. Ajo rrëzoi një politikë 3-dekadëshe të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara përmes denuklearizimit, e nisur nga Kim Il Sung dhe e mbështetur nga Kim Jong Il.
Armiqësia historike midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut shtrihet në disa breza dhe e përhapur në kulturë. Koreanët e Veriut mësojnë se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut e nisë Luftën Koreane (e quajtur “Lufta e Madhe Çlirimtare e Atdheut”) dhe mbeten një kërcënim urgjent edhe sot e kësaj dite.
Duke pasur parasysh mungesën e rrëfimeve alternative, shumica e 25 milionë banorëve të vendit e pranojnë këtë fakt. Edhe në Amerikë, shumica e njerëzve e shohin Korenë e Veriut si të prapambetur, të bezdisshme, të paarsyeshme dhe madje një vend të lig. Ndryshimi i papritur i situatës, mund të vijë në formën e një lufte të paparashikuar me dy fronte në Azi, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, të dy Koretë, Kinën, Japoninë dhe Tajvanin.
Ai mund të nisë me një provokim ose llogaritje të gabuar të Koresë së Veriut, që del jashtë kontrollit. Mund të shkaktohet nga uria, paqëndrueshmëria e regjimit, një grusht shteti apo një aksident bërthamor. Parandalimi dhe përgatitja për këto skenarë përfshin planifikimin, bashkëpunimin me aleatët tanë dhe menaxhimin e krizave me kundërshtarët tanë.
Vetëm një krizë mund t’i bindë politikë-bërësit të investojnë kapitalin e nevojshëm politik për ndryshim. Për këtë qëllim, do të nevojiten parandalimi, siguria dhe angazhimi, si dhe një dozë e shëndetshme pragmatizmi. Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Koreja e Veriut do të duhet të dëshmojnë mirëbesim.
Për këtë ia vlen të punohet, por ndryshimi nuk duhet pritur brenda natës, veçanërisht për sa kohë që Kina dhe Rusia vazhdojnë të financojnë papajtueshmërinë e regjimit të Kim me SHBA-në. Në frontin diplomatik, në vend të fantazisë jorealiste të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse përmes një pazari të madh, përpjekjet duhet të përqendrohen në ndërtimin e shtresave të mbivendosura dhe mbështetëse të nismave që shmangin katastrofën dhe përshpejtojnë rezultatet pozitive. /Marrë me shkurtime nga “War on the Rock”
Shënim: Jonathan Corrado, drejtor i politikave në “The Korea Society”, ku harton programe dhe kryen kërkime mbi aleancën SHBA-Kore dhe Gadishullin Korean. Rachel Minyoung Lee, anëtare e “38 North Program” në Qendrën Stimson.
Lini një Përgjigje