TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Prill 2026, 19:25

Pse Melania foli pikërisht tani mbi Epstein?

Shkruar nga Adalgisa Marrocco
Pse Melania foli pikërisht tani mbi Epstein?
Melania Trump /

Një deklaratë e papritur e lexuar nga Shtëpia e Bardhë, rikthen në qendër të vëmendjes një skandal që administrata Trump dukej se po përpiqej ta linte pas. Mes hipotezave për një lëvizje parandaluese dhe kalkulimeve politike, mbetet e hapur dilema mbi momentin e zgjedhur për këtë ndërhyrje...

Melania Trump rrallë flet në publik. Dhe kur e bën, zakonisht kufizohet në minimumin e domosdoshëm. Pikërisht për këtë arsye, kur Zonja e Parë doli para kamerave në Shtëpinë e Bardhë për të lexuar një deklaratë të gjatë, tërësisht të përqendruar te Jeffrey Epstein, Uashingtoni u shtang dhe u ndez menjëherë vëmendja e mediave dhe opinionit publik.

Bashkëshortja e Presidentit të SHBA-së denoncoi ato që i cilësoi “gënjeshtra të pabaza” dhe “shpifje”, duke deklaruar se “nuk ka qenë kurrë në dijeni të abuzimeve të tij”. Po ashtu, ajo hodhi poshtë çdo pretendim se financieri kishte ndërmjetësuar në njohjen e saj me Donald Trump.

“E kam njohur bashkëshortin tim në një festë në Nju-Jork në vitin 1998” - saktësoi ajo. Dhe pastaj nënvizoi: “Nuk kam qenë kurrë e përfshirë në asnjë mënyrë. Nuk kam hipur kurrë në avionin e tij dhe nuk kam vizituar ishullin e tij”.

Fjalë të drejtpërdrejta dhe të prera, që megjithatë ngrenë një pyetje të pashmangshme: pse pikërisht tani? Fjalimi erdhi pa paralajmërim, në një moment që shumë analistë e konsideronin si fazë “ftohjeje” të çështjes Epstein.

Pas valës së fundit mediatike lidhur me publikimin e dokumenteve të reja nga Departamenti i Drejtësisë, skandali dukej se po zbehej gradualisht nga qendra e debatit publik. Në plan të parë të axhendës politike kanë kaluar çështje të tjera, mbi të gjitha tensionet ndërkombëtare dhe konflikti në Iran.

Burime të cituara nga Axios sugjerojnë se bëhet fjalë për një zgjedhje personale. Zonja e Parë e SHBA-së “ka ndjerë nevojën të ndërhyjë drejtpërdrejt”, pasi deri tani ia kishte lënë ekipit të saj ligjor përgjigjen ndaj thashethemeve dhe insinuatave.

Surpriza e të enjtes ishte e përgjithshme, duke befasuar edhe gazetarët më pranë kampit konservator. Jacqui Heinrich, korrespondente e Fox News në Shtëpinë e Bardhë, e pranoi se nuk kishte një shpjegim të qartë për këtë veprim.

“Po përpiqemi të kuptojmë nëse ky është një reagim ndaj diçkaje tashmë publike, apo një përpjekje për të paraprirë një histori që pritet të dalë” - tha ajo. Pikërisht kjo e fundit shihet si hipoteza më e besueshme.

Sipas Corey Alpert, analist politik dhe ish-anëtar i administratës Biden-Harris, duket se Melania “po përpiqet t’i paraprijë asaj që ajo beson se do të jetë vala e ardhshme mediatike në lidhje me atë skandal”.

Publikimi i fundit i një shkëmbimi email-esh (me emra të anonimizuar), që sugjerojnë kontakte mes Melania Trump dhe Ghislaine Maxwell në vitin 2002, mund të ketë përshpejtuar vendimin për daljen e fundit.

“Përgjigjja ime ndaj Maxwell-it nuk përbën asgjë më shumë se një korrespondencë të rastësishme. Ishte thjesht një reagim formal dhe banal”- theksoi në deklaratën e saj Zonja e Parë e SHBA-së.

Kjo ka ushqyer dyshimet se Melania po përpiqet të ndërtojë një linjë mbrojtëse përpara zbulimeve të mundshme të reja. Megjithatë, ekziston edhe një interpretim më politik. Rasti Epstein vazhdon të jetë një hije mbi presidencën Trump, ndërsa kalendari elektoral po e shton presionin ndaj të shoqit.

Sipas Alpert-it, nëse demokratët rimarrin Kongresin në nëntor, është e mundur që hetimet mbi dosjet Epstein të intensifikohen ndjeshëm. Ndaj kjo deklaratë mund të shërbejë si një pozicionim paraprak përballë një skenari të tillë.

Pra ndërhyrja e beftë e Melanias synon të vendosë publikisht një version të fakteve përpara se ta bëjnë këtë aktorë të tjerë, politikë apo gjyqësorë. Dhe nuk duket aspak rastësi që në fjalimin e saj, ajo i bëri thirrje Kongresit të zhvillojë dëgjesa publike për t’u “dhënë zë” të mbijetuarve të abuzimeve të Epstein.

Një lëvizje që nga njëra anë, përforcon retorikën e transparencës dhe nga ana tjetër, e zhvendos fokusin nga dimensioni personal në atë institucional. Ndërkohë, Donald Trump ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të ndërhyrjes së bashkëshortes.

Një version që bie në kundërshtim me disa rindërtime të tjera të ngjarjeve, sipas të cilave ai ishte të paktën i informuar për synimin e saj. Është e vështirë të imagjinohet që një deklaratë kaq delikate nga Shtëpia e Bardhë të mos jetë koordinuar me nivelet më të larta të administratës.

Edhe nëse kjo nuk ka ndodhur, vetë theksimi i një distancimi - real apo të inskenuar - mes Presidentit dhe Zonjës së Parë mbetet një element i rëndësishëm për analizë. Në fund, mbetet çështja më e ndjeshme: ndikimi në opinionin publik.

Reagimet e para kritike nga disa viktima të Epstein dhe Maxwell tregojnë kufizimet e kësaj strategjie. Përpjekja për të kontrolluar narrativën rrezikon të prodhojë efektin e kundërt: të rindezë polemikat në vend që t’i shuajë, duke rihapur plagë ende të pambyllura./Pamfleti nga “Huffington Post Italia”

 

melania trump jefrrey epstein

2 Komente

  1. A
    Arben

    Po kjo paska qene ne haremet e Epsteinit. Çfar shkuesie i paska bere Donaldit! E bukur ka qene atehere,pasi edhe dhendrri pak I thyer ka qene, por kurioziteti eshte kush ja sygjeroi Epsteinit ti propozonte kete perri Doni Trumpit? Me kurioze eshte kush eshte ideatori dhe sponsorizuesi i gjithe asaj perandorie te felliqur te Epsteinit!

    1. D
      Donkarios Pedofilidhis

      Ti moj nuse ke shkele ligjin per emigracionin. Ke qendru ne SHBA mbas perfundimit te vizes. Por tashti atij BOLES burrit tend i kane shku’ pordhet ne planc. Po e zhvendos vemendjen nga EPIC FAILURE dhe FURY WORLD FAILURE ne probleme KURVASH. Hahaha…..

      Lini një Përgjigje