TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Prill 2026, 19:03

Miliardat mungojnë, bllokohet plani i Trump për Gazën; kush e tradhëtoi Bordin e Paqes

Shkruar nga Pamfleti
Miliardat mungojnë, bllokohet plani i Trump për Gazën; kush e
Bordi i Paqes

Janë siguruar më pak se 1 miliard nga 17 miliardë dollarët e premtuar; komiteti i administrimit nuk mund të hyjë në Gaza

Bordi i Paqes i Donald Trump ka marrë vetëm një pjesë shumë të vogël nga 17 miliardë dollar që u premtuan për Gazën, duke e penguar presidentin amerikan të çojë përpara planin e tij për të ardhmen e enklavës palestineze të shkatërruar, thanë burime për Reuters.

Dhjetë ditë përpara se sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit ta zhysnin rajonin në luftë, Trump organizoi një konferencë në Uashington ku shtetet arabe të Gjirit premtuan miliarda dollarë për administrimin dhe rindërtimin e Gazës pas dy vitesh shkatërrimi nga Izraeli. Plani parashikon rindërtim në shkallë të gjerë të territorit bregdetar, pasi grupi militant palestinez Hamas të çarmatoset dhe trupat izraelite të tërhiqen.

Premtimet financiare synonin gjithashtu të mbulonin aktivitetet e Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), një grup teknokratësh palestinezë i mbështetur nga SHBA, i cili synon të marrë kontrollin e Gazës nga Hamasi.

Fondet mungojnë

Një nga burimet, një person me njohuri të drejtpërdrejtë për operacionet e bordit të paqes, tha se nga 10 vendet që premtuan fonde, vetëm tre: Emiratet e Bashkuara Arabe, Maroku dhe SHBA kanë kontribuar deri tani.

Sipas këtij burimi, fondet e mbledhura deri tani janë nën 1 miliard dollarë, pa dhënë detaje të mëtejshme. Lufta me Iranin “ka ndikuar në gjithçka”, duke përkeqësuar vështirësitë ekzistuese të financimit, shtoi ai. NCAG nuk ka mundur të hyjë në Gaza për shkak të mungesës së fondeve dhe problemeve të sigurisë.

Edhe pas një armëpushimi të arritur në tetor të kaluar, sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 700 persona në Gaza, sipas autoriteteve shëndetësore atje, ndërsa sulmet militante kanë vrarë katër ushtarë, sipas Izraelit.

Një burim i dytë, një zyrtar palestinez i njohur me çështjen, tha se bordi i ka informuar Hamasin dhe fraksione të tjera palestineze se NCAG nuk është në gjendje të hyjë aktualisht në Gaza për shkak të mungesës së fondeve.

“Nuk ka aktualisht para në dispozicion”, citohet t’u ketë thënë grupeve palestineze i dërguari i bordit, Nickolay Mladenov.

Hamasi ka deklaruar vazhdimisht se është i gatshëm t’ia dorëzojë administrimin NCAG-së, e cila drejtohet nga Ali Shaath, ish-zëvendësministër në Autoritetin Palestinez, që aktualisht ushtron vetëqeverisje të kufizuar në disa pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Komiteti i Shaath pritet të marrë kontrollin e ministrive të Gazës dhe të drejtojë forcën policore. Sipas një burimi diplomatik, ai dhe 14 anëtarët e komitetit ndodhen të izoluar në një hotel në Kajro, nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve amerikanë dhe egjiptianë.

Përfaqësuesit e Bordit të Paqes dhe të NCAG nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment.

Rindërtimi i Gazës, ku katër të pestat e ndërtesave janë shkatërruar gjatë dy viteve të bombardimeve izraelite, vlerësohet nga institucione globale në rreth 70 miliardë dollarë. Vonesat në këtë plan pasqyrojnë edhe vështirësitë e nismave të tjera ambicioze të Trump, i cili është përpjekur të paraqitet si ndërmjetës global i paqes, por ka hasur vështirësi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe po sheh që armëpushimi i kësaj jave me Iranin po përballet me tensione të forta.

Bisedimet për çarmatimin

Egjipti, që po pret bisedimet për çarmatimin, e ka ftuar Hamasin për takime të tjera të shtunën, sipas një burimi brenda grupit militant.

Armëpushimi ndaloi luftën e plotë, por la trupat izraelite në kontroll të një zone të zbrazur nga popullsia që përfshin më shumë se gjysmën e Gazës, ndërsa Hamasi mbetet në pushtet në një brez të ngushtë bregdetar. Bordi i Trump po udhëheq negociatat me Hamasin dhe fraksione të tjera palestineze për çarmatimin.

Izraeli kërkon që Hamasi të dorëzojë armët përpara se të tërheqë trupat nga Gaza, ndërsa Hamasi thotë se nuk do të pranojë pa garanci për tërheqjen izraelite dhe ndalimin e sulmeve.

Një burim diplomatik i njohur me këto bisedime tha se ato mbeten të bllokuara dhe shprehu shqetësimin se Izraeli mund të jetë në kërkim të një arsyeje për të rifilluar një ofensivë të plotë në Gaza.

Zyrtarë ushtarakë izraelitë kanë deklaruar se po përgatiten për një rikthim të shpejtë në luftë të plotë nëse Hamasi nuk dorëzon armët.

Lufta në Gaza nisi pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit, ku sipas të dhënave izraelite u vranë 1,200 persona.

Fushata dyvjeçare e Izraelit ka vrarë më shumë se 72,000 palestinezë, shumica civilë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, dhe ka shkaktuar uri si dhe zhvendosjen e shumicës së popullsisë së territorit. /Përshtati Pamfleti nga Economic Times/

 

bordi i paqes trump gaza

Lini një Përgjigje