Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se së shpejti do të shqyrtojë një plan të ri nga Irani, por shtoi se “nuk mund ta imagjinojë që ai të jetë i pranueshëm”.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se propozimi sapo i është dërguar nga Irani dhe se do ta analizojë së shpejti. Megjithatë, ai shtoi se e ka të vështirë të imagjinojë se plani mund të konsiderohet i pranueshëm, duke argumentuar se Irani “nuk ka paguar çmim të mjaftueshëm për veprimet e tij ndaj njerëzimit dhe botës gjatë 47 viteve të fundit”.

“Ata më folën për konceptin e marrëveshjes. Tani do të më japin formulimin e saktë,” u tha ai gazetarëve teksa hipte në Air Force One në Florida.
Irani paraqiti një përgjigje me 14 pika ndaj një propozimi nga SHBA, raportoi të shtunën agjencia iraniane e lajmeve Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike.
Tasnim raportoi se SHBA kishte propozuar një armëpushim dy-mujor, por se Irani beson që “çështjet duhet të zgjidhen brenda 30 ditëve” dhe se negociatat duhet të përqendrohen në “përfundimin e luftës” dhe jo në zgjatjen e një armëpushimi.
Zyrtarët iranianë nuk kanë komentuar ende publikisht mbi detajet e përgjigjes së raportuar.
Presidenti gjithashtu kundërshtoi deklaratat që kishte bërë të premten në mbrëmje, kur tha: “sinqerisht, ndoshta është më mirë të mos bëjmë fare marrëveshje. A doni të dini të vërtetën? Sepse nuk mund ta lejojmë që kjo të vazhdojë.”
“Nuk e thashë këtë,” deklaroi Trump të shtunën, duke shtuar “thashë që nëse do të largoheshim tani, atyre do t’u duheshin 20 vjet për t’u rindërtuar. Por ne nuk po largohemi tani”.
Lini një Përgjigje