Kasetat e reja nga NABU, që përmbajnë biseda mes disa prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Presidentit Volodymyr Zelenskyt, përbëjnë një zhvillim të ri problematik për qeverinë dhe zbulojnë përfshirje të rrethit të tij në skema korrupsioni.
Pjesa e dytë e bisedave të regjistruara në mënyrë të fshehtë, në kuadër të hetimit më të madh kundër korrupsionit në Ukrainë, është publikuar nga Ukrainska Pravda, një nga mediat kryesore investigative në vend. Këto materiale implikojnë figura kyçe të rrethit të ngushtë të presidentit Volodymyr Zelensky në diskutime që lidhen me pagesa për lirime me kusht, kontrata të mbrojtjes, prona luksoze dhe emërime në poste publike. Publikimi ka nxitur edhe kërkesa për pezullimin e drejtuesit të sigurisë kombëtare.
Të ashtuquajturat “Kasetat e reja të Mindich”, pjesë e ‘Operacionit Midas’, zbulojnë një skemë të dyshuar ryshfeti prej 100 milionë dollarësh, e drejtuar nga persona të afërt me Zelenskyt në kompaninë shtetërore Energoatom. Regjistrimet përfshijnë biseda midis një biznesmeni të sanksionuar që ndodhet në arrati dhe ish-ndihmësit të presidentit, aktualisht në krye të sigurisë kombëtare, duke thelluar një skandal që tashmë ka çuar në largimin e disa zyrtarëve.
Regjistrimet janë realizuar nga Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) si pjesë e një hetimi për korrupsion në nivele të larta pranë administratës presidenciale në Bankova. Deri tani, Zelensky nuk është përmendur drejtpërdrejt në këto akuza, por përfshirja e bashkëpunëtorëve të tij të afërt ka ndikuar negativisht në perceptimin publik ndaj tij.
Në qendër të çështjes qëndron Tymur Mindich, i cili u largua nga Ukraina vetëm disa orë para një kontrolli të NABU-së në banesën e tij, ku u gjetën shuma të mëdha parash dhe sende luksoze, përfshirë një tualet prej ari. Ai aktualisht ndodhet në Izrael, vend që nuk ekstradon shtetasit e vet.
Në bisedat e regjistruara, Mindich komunikon me Serhiy Shefir, ish-ndihmës i parë i presidentit dhe partner i hershëm biznesi; me Rustem Umerov, atëherë ministër i mbrojtjes dhe aktualisht sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare; si dhe me një grua të identifikuar vetëm si Natalia. Bisedat janë zhvilluar në rusisht dhe janë regjistruar në apartamentin e Mindich në Kiev gjatë verës 2025.
Mindich ka mohuar çdo shkelje dhe e ka cilësuar çështjen si një “inskenim mediatik”. Zyra e tij nuk ka komentuar për regjistrimet e fundit. Nga ana tjetër, zyra e Umerov ka deklaruar se nuk komenton materiale të pjesshme me autenticitet të paqartë. Në një deklaratë në parlament më 28 prill, Umerov tha se i kishte dhënë të gjitha shpjegimet përkatëse institucioneve hetimore.
Çfarë përmbajnë kasetat?
Regjistrimet përfshijnë tre biseda të ndara nga qershori dhe korriku 2025. Në të parën, Mindich dhe Shefir diskutojnë çështjen ligjore të ish-zëvendëskryeministrit Oleksiy Chernyshov, konkretisht mënyrën e sigurimit të 120 milionë UAH për lirimin e tij me kusht. Ata përmendin një fond të përbashkët informal dhe individë me nofkat “Kisel” dhe “Sova”, që sipas Ukrainska Pravda mund të jenë deputetë që i kalonin të ardhura Shefirit.
Në regjistrim, Shefir shprehet se ndarja e fondeve bëhej sipas një marrëveshjeje të brendshme mes tyre.
Biseda e dytë mes Mindich dhe Umerov lidhet me kompaninë e armatimeve “Fire Point”, e cila prodhon dronë dhe raketa, përfshirë modelin Flamingo. Kompania, e lidhur me persona pranë presidentit, ka përfituar kontrata shtetërore me vlerë mbi 1 miliard dollarë në vitin 2025.
Fire Point ka qenë një nga përfituesit kryesorë të kontratave gjatë kohës së Umerov si ministër dhe gjithashtu merr financime ndërkombëtare nëpërmjet modelit danez. Një investim i drejtpërdrejtë nga grupi EDGE i Emirateve të Bashkuara Arabe për 30% të aksioneve e vlerëson kompaninë në rreth 2.5 miliardë dollarë.
Në regjistrim, Mindich shpreh pakënaqësi për mungesë financimi dhe diskuton shitjen e një pjese të aksioneve. Umerov pyet nëse marrëveshja do të ishte në interes të tyre, ndërsa diskutohet edhe riorganizimi i mundshëm i drejtimit, përfshirë emërime të reja në qeveri.
Biseda e tretë lidhet me ndërtimin e pronave luksoze në zonën Kozyn pranë Kievit. Një grua e quajtur Natalia përmend përfundimin e fasadave të një projekti të lidhur me një figurë të lartë politike dhe ndarjen e pronave mes Mindich dhe një personi të identifikuar si “Vova”, një formë e zakonshme e emrit Volodymyr.
Zgjerimi i skandalit
Operacioni Midas ka përfshirë 15 muaj hetime, mbi 70 kontrolle dhe rreth 1,000 orë regjistrime. NABU e përshkruan skemën si një organizatë kriminale që kontrollonte prokurimet e Energoatom dhe kërkonte ryshfete sistematike nga furnitorët.
Hetimi nisi pas pushtimit rus të vitit 2022, kur u konstatuan abuzime me prokurimet gjatë kohës së luftës. Rritja e tarifave të energjisë në 2023 rriti të ardhurat dhe mundësitë për abuzim financiar.
Mes të dyshuarve është edhe ish-ministri i Energjisë German Hlushchenko, i arrestuar në shkurt 2026 gjatë tentativës për të kaluar kufirin. Ai u akuzua për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe pastrim parash. Zelenskiy kërkoi dorëheqjen e tij dhe të zyrtarëve të tjerë, duke deklaruar se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.
Ish-zëdhënësja e presidentit, Iuliia Mendel, deklaroi publikisht se persona pranë Zelenskiy-t kishin ndikuar në emërime dhe kishin përfituar financiarisht nga ndërmarrjet shtetërore.
Presioni politik
Disa media ukrainase sugjerojnë se publikimi i këtyre materialeve lidhet me presionin politik pas miratimit të një pakete ndihme prej 90 miliardë eurosh nga BE. Sipas tyre, kjo mund të ndikojë në emërimet në institucionet e drejtësisë.
Rrjedhjet në media konsiderohen shpesh si pjesë e rivaliteteve politike të brendshme. Ukrainska Pravda theksoi se publikimi u bë në interes të publikut, edhe pse verifikimi i plotë i materialeve mbetet i kufizuar.
NABU i ka kërkuar presidentit pezullimin e Umerov dhe ndërhyrje në strukturën e kompanisë Fire Point për të garantuar transparencë dhe furnizim të qëndrueshëm për ushtrinë.
Institucionet NABU dhe SAPO funksionojnë të pavarura dhe janë krijuar me mbështetjen e FMN-së dhe BE-së për të luftuar korrupsionin.
Në verën e kaluar, Zelenskyt u përball me kritika pasi tentoi të ndryshojë ligjin për të vendosur këto institucione nën kontroll presidencial, por u tërhoq pas protestave publike.
Ngjarjet lidhen me hetimet që po afroheshin gjithnjë e më shumë drejt rrethit të tij të afërt. Kohët e fundit janë shtuar akuzat për prirje autoritare dhe është vërejtur rënie e mbështetjes në sondazhe.
Mendel deklaroi se publikimi i regjistrimeve po nxjerr në pah mënyrën e funksionimit të strukturave të brendshme të pushtetit, duke theksuar se institucionet shtetërore janë përdorur për interesa private nga persona pranë presidentit./ Përshtati “Pamfleti”, nga “BNE IntelliNews”
Ukraina tani, ka nevoje per " rindertim"..Sepse Rindertimi vjen pas shkaterrimit! Por, duhen fonde dhe nje plan Marshall per "Rindertim" njesoj si me Shqiperim por me nhe ndryshim thelbesor, ne Shqiperi nuk ndodhi shkaterrimi qe te hartohej Rindertimi... "Fire Point " mund te marrim ne konsiderate, rrezatimin nuklear te Chernobyl. Eshte, History, por.....edhe mund ta riperseritim, duhen fonde per rindertim!