Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun iranian Abbas Araghchi, në fokus të së cilës ishte situata në Iran dhe tensionet në Lindjen e Mesme.
“Kam dashur të bëj një përditësim mbi konfliktin në Iran dhe situatën në rajon”, shkroi Tajani në platformën X.
Ai theksoi shqetësimin e Italisë për rritjen e tensioneve, duke nënvizuar nevojën për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm dhe për të intensifikuar përpjekjet për arritjen e një armëpushimi dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Sipas tij, këto hapa janë të domosdoshëm për të parandaluar pasoja negative në sigurinë ushqimore dhe stabilitetin, veçanërisht në Afrikë.
Tajani theksoi gjithashtu se për Italinë zhvillimi i një programi bërthamor iranian për qëllime ushtarake përbën “vijë të kuqe”, duke paralajmëruar për rrezikun e një gare të re armatimesh në rajon.
Ai shtoi se Irani duhet të përdorë ndikimin e tij mbi Hezbollah-un për të ndalur sulmet ndaj Izraelit dhe për të arritur paqe në Liban përmes negociatave.
Në përfundim, Tajani theksoi angazhimin e Italisë për të mbështetur çdo përpjekje ndërkombëtare për paqe, duke mbajtur të hapura kanalet e dialogut dhe duke promovuar stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Lini një Përgjigje