Raúl Guillermo Rodríguez Castro, nipi dhe njherësh truprojë e ish-liderit kuban Raúl Castro, po shfaqet si një figurë e papritur në kontaktet mes SHBA dhe Kubës, në një kohë tensioni të lartë mes dy vendeve.
I njohur me nofkën “Gaforrja” për shkak të një karakteristike fizike që nga lindja, Rodríguez Castro ka kaluar më shumë se një dekadë pranë gjyshit të tij, duke vepruar si truprojë dhe portë hyrëse drejt një prej figurave më të fuqishme në Kubë. Ai ka qenë vazhdimisht pranë tij në takime ndërkombëtare dhe në dalje publike, shpesh duke koordinuar komunikimin dhe sigurinë.
Edhe pse nuk mban një rol zyrtar publik, ai konsiderohet si një person me ndikim brenda rrethit të ngushtë të pushtetit. Emri i tij rrallë përmendet në median shtetërore kubane, ndërsa profili i tij ka qëndruar kryesisht në prapaskenë.
Sipas raportimeve, në një moment kur marrëdhëniet SHBA-Kubë janë në pikën më të tensionuar, Rodríguez Castro po del nga hija për të marrë një rol ndërmjetësues me administratën Trump, e cila ka synuar të sfidojë strukturat tradicionale të pushtetit në ishull.
Ai është kolonel në Ministrinë e Brendshme dhe gëzon një stil jete që tejkalon atë të zakonshëm për një oficer ushtarak, duke u shfaqur shpesh në ambiente luksoze në Havana. Video të publikuara në rrjetet sociale e tregojnë në jahte private dhe në ambiente elitare, një realitet larg përditshmërisë së shumicës së kubanëve.
Familjarë të tij kanë deklaruar se ai mbështet ndryshime pozitive për vendin, ndërsa mbetet një figurë besnike ndaj gjyshit dhe strukturës së pushtetit.
Roli i tij i ri si kanal komunikimi me SHBA përfaqëson një zhvillim të pazakontë, duke reflektuar dinamikat e reja brenda elitës kubane dhe përpjekjet për të menaxhuar presionin ndërkombëtar në një moment kritik.
Lini një Përgjigje