Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka bërë publike ekzistencën e një komploti për vrasjen e tij dhe ka njoftuar se do të zhvendoset nga vendbanimi aktual për arsye sigurie.
Në një konferencë për shtyp, Petro deklaroi se do të ndërmarrë masa për të shmangur rrezikun ndaj jetës së tij, duke konfirmuar se zhvendosja do të ndodhë brenda pak ditësh. Ai bëri të ditur se një ditë më parë i kishte shpëtuar një situate që e konsideron atentat të mundshëm, gjatë një udhëtimi me helikopter.
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit të transmetuar drejtpërdrejt, presidenti shpjegoi se helikopteri me të cilin po udhëtonte nuk arriti të ulej sipas planit në departamentin e Kordobës, në zonën e Karaibeve, për shkak të rreziqeve serioze të sigurisë. Sipas tij, mungesa e ndriçimit në pistën e uljes dhe informacionet për kërcënime konkrete e detyruan ekuipazhin të ndryshonte itinerarin.
“Duhet të pranoj se do të zhvendosem pas dy ditësh, duke u përpjekur të shmang vdekjen.”, tha Gustavo Petro.
Petro tha se mjeti ajror devijoi mbi det për disa orë përpara se të ulej në një destinacion tjetër që u konsiderua i sigurt. Ai shtoi se në bord ndodheshin edhe fëmijët e tij dhe se ekzistonte frika për një sulm të armatosur ndaj helikopterit.
Deklaratat e kreut të shtetit vijnë në një moment tensioni, pas raportimeve për zhdukjen e senatores indigjene Aida Quilcué, e cila dyshohet se është rrëmbyer nga grupe të armatosura në një zonë të prekur nga konflikti dhe aktivitetet e trafikut të drogës.
Petro, në detyrë që nga viti 2022, ka paralajmëruar edhe më parë për rreziqe ndaj jetës së tij, duke përmendur rrjete të armatosura të lidhura me trafikun e narkotikëve.
Autoritetet kolumbiane nuk kanë publikuar ende detaje shtesë mbi kërcënimet e përmendura nga presidenti apo mbi hetimet që mund të jenë në zhvillim lidhur me situatën e sigurisë.
Lini një Përgjigje