Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi për portalin Axios, se po shqyrton mundësinë e dërgimit të një grupi të dytë goditës aeroplanmbajtës në Lindjen e Mesme, si masë përgatitore për veprim ushtarak në rast se negociatat me Iranin nuk japin rezultat.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani rifilluan bisedimet të premten e kaluar në Oman, për herë të parë pas luftës 12-ditore të qershorit. Paralelisht me këtë proces diplomatik, administrata Trump ka ndërmarrë një forcim të ndjeshëm ushtarak në rajonin e Gjirit.
“Ose do të arrijmë një marrëveshje, ose do të na duhet të bëjmë diçka shumë të ashpër, si herën e fundit”, deklaroi Trump për Axios.
Presidenti amerikan tha se pret që raundi i dytë i bisedimeve SHBA–Iran të zhvillohet javën e ardhshme. Ai konfirmoi gjithashtu se një flotë ushtarake është tashmë në lëvizje drejt rajonit dhe se po konsiderohet dërgimi i një grupi tjetër goditës.
“Kemi një armatë që po shkon atje dhe mund të shkojë edhe një tjetër”, tha Trump, duke shtuar se po “mendon” për dërgimin e një aeroplanmbajtëseje shtesë.
Një zyrtar amerikan konfirmoi se janë zhvilluar diskutime për vendosjen e një grupi të dytë goditës në zonë. Kjo do t’i shtohej aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln dhe flotës së saj shoqëruese, e cila përfshin avionë luftarakë, raketa Tomahawk dhe disa anije luftarake. Gjatë një pjese të madhe të luftës në Gaza, SHBA kishin dy aeroplanmbajtëse të dislokuara në rajon.
Trump u shpreh optimist për rrugën diplomatike, duke deklaruar se Irani “dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje” dhe se këtë herë po merr pjesë në bisedime më seriozisht se në raundet e mëparshme, për shkak të presionit ushtarak.
“Herën e kaluar nuk besonin se do ta bëja”, tha Trump, duke iu referuar vendimit të tij për të goditur objektet bërthamore të Iranit në qershor. “I mbivlerësuan aftësitë e tyre”. Sipas tij, këtë herë bisedimet janë “shumë të ndryshme”.
Lini një Përgjigje