TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Qershor 2026, 11:23

Protestat në Tiranë, Balla-demokratëve: PD kërkon shpëtim, por PS nuk mposhtet dot

Shkruar nga Pamfleti
Protestat në Tiranë, Balla-demokratëve: PD kërkon
Balla

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu përgjigj në Kuvend deputetëve të Partisë Demokratike lidhur me deklaratat e tyre për protestën që prej një muaji zhvillohet para Kryeministrisë. Sipas Ballës, opozita po përpiqet ta përdorë protestën si rrugëdalje nga situata e saj politike, pasi, sipas tij, i është "marrë sheshi" nga protestuesit.

“Axhendën e parlamentit e përcakton vetëm vota dhe interesi kombëtar. Demokracia është sistem që merr frymë vetëm përmes parlamentarizmit. Parlamenti është vendi ku forca e argumentit duhet të mbizotërojë mbi argumentin e forcës. Mua më duket se ju po vuani nga sindroma e Stokholmit. Ju kanë marrë sheshin dhe doni që të bashkoheni me ata që ju kanë marrë sheshin, edhe pse ata ju anatemojnë udhëheqësin. Dëgjova këtu një deputetin tuaj që në një lojë fjalësh për emrat e forcave tona politike, ra në kurthin e harresës mbi faktin se sot në krye të PD është një sekretar partie.

I vetmi sekretar partie në krye të një partie politike sot në Shqipëri. Njëkohësisht edhe varkëtari i Enver Hoxhës që gëzohej kur ai i jepte dorën. Mes jush, edhe nga ata që gëzojnë kur thirret “Berisha në burg.” Ka mes jush nga ata që doni të ikë Saliu dhe shpresoni ta bëjë protesta. Juve protesta ju mundi, por ne protesta nuk na mund dot. Partinë Socialiste të Shqipërisë nuk e mund dot askush”, tha Balla.

Më tej, kreu i grupit parlamentar socialist u shpreh se Partia Demokratike nuk duhet të shpresojë se protesta do ta nxjerrë nga kriza politike.

“Kjo protestë nuk e shpëton PD. Fryma e protestës është anti-establishment për ata që e kuptojnë. Nga kjo protestë nuk do të lindë dot një PD e re, ndërkohë që ne PS e kemi shumë të re. Mund të lindin vetëm parti ideologjike”, tha ai.

Në përfundim të debatit, Kuvendi rrëzoi mocionin me debat të kërkuar nga Partia Demokratike për pesë kërkesat e protestuesve. Mocioni nuk mori votat e nevojshme, duke u rrëzuar me 75 vota kundër dhe 19 vota pro.

 

Lini një Përgjigje