
Qeveria e Orban ndërtoi një gardh në kufi në vitin 2015 për të mbajtur jashtë azilkërkuesit, një ide që u bë një premtim qendror i fushatës për Trump dhe që sot është më e pranuar në Evropë.
Viktor Orban dëshiron ta bëjë Evropën sërish të madhe ose të paktën t’i japë asaj një shkëlqim Trumpian. Kryeministri hungarez, një fans i hapur i ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe një ikonë e nacionalizmit të krahut të djathtë në Evropë, do bazohet tek kjo moto, e njohur shkurt si MEGA, për 6 muajt që vendi i tij do të mbajë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, duke filluar nga e hëna.
Jo shumë kohë më parë, Orban u mënjanua si një lider problematik. Shumica politike centriste e Evropës e shmang vazhdimisht. Por pozicionet e tij për shumë çështje delikate, përfshirë migrimin dhe identitetin kulturor, kanë marrë tani mbështetje nga disa parti kryesore.
Në mbarë Evropën, nga Holanda në Sllovakinë fqinje, nacionalistët dominuan në zgjedhjet e fundit. Në zgjedhjes parlamentare të së dielës në Francë, Tubimi Kombëtar i udhëheqëses së ekstremit të djathtë Marine Le Pen fitoi raundin e parë, duke e vendosur partinë më pranë qëllimit të saj për të fituar kontrollin e Asamblesë Kombëtare, dhe duke i dhënë një goditje të fortë presidentit francez Emmanuel Macron.
Presidenca hungareze e BE-së, përkon me një periudhë vendimtare për bllokun, ku përfshihen zgjedhjet presidenciale në SHBA, si dhe një ndryshim në udhëheqjen e Brukselit pas zgjedhjeve të muajit të kaluar, në të cilat partitë e ekstremit të djathtë e shtuan ndjeshëm peshën e tyre.
Diplomatët dhe liderët evropianë, të cilët janë shumë të frustruar nga qëndrimi shpesh kundërshtues i Hungarisë, ngushëllohen me faktin se presidenca e BE-së ka pak fuqi vendimmarrëse. Megjithatë ajo do t’i japë qeverisë së Orban hapësirë për të diktuar axhendën e BE-së dhe për t’i dhënë atij një megafon si një zë që flet në emër të bllokut.
Me Trumpin që gjendet tani në një pozicion më të fortë pas debatit me Biden të enjten e kaluar, kandidati amerikan do të ketë një aleat të ngushtë në një rol më të spikatur përtej Atlantikut. Për të parandaluar që Hungaria të prishë punë këtë vit, udhëheqësit kryesorë të BE-së, zgjidhën së fundmi një sërë çështjesh potencialisht të diskutueshme, përfshirë emërimin e një grupi të ri liderësh për bllokun.
Pjesa më e madhe e fokusit të BE-së deri në dhjetor, do të jetë tek ky tranzicion politik, duke e kufizuar ndjeshëm ndikimin e politikave të Hungarisë. Gjithsesi Orban ka ende mundësi të promovojë pikëpamjet e tij. Ai është një nga udhëheqësit e rrallë të BE-së që uron rikthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, pjesë e një romance (vëllazërie) që filloi përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, kur Orban u shfaq si udhëheqësi më i ashpër kundër migracionit.
Qeveria e Orban ndërtoi një gardh në kufi në vitin 2015 për të mbajtur jashtë azilkërkuesit, një ide që u bë një premtim qendror i fushatës për Trump, dhe që sot është më e pranuar në Evropë. Kur lideri hungarez iu bashkua në vitin 2022 asaj që atëherë quhej Twitter, shkroi:”Ku është miku im i mirë, @realDonaldTrump?”.
Llogaria personale e Trump u ndalua nga platforma, sot e quajtur X, pas sulmit të një viti më herët të mbështetësve të tij ndaj Kapitol Hill në Uashington. Gjatë një vizite në rezidencën Mar-a-Lago në mars të këtij viti, Trump e lavdëroi Orbanin, duke e quajtur atë një “lider fantastik”.
Pasi partia Fidesz e Orban, u rendit e para në Hungari në zgjedhjet evropiane të qershorit, Orban deklaroi: “Ne fituam pjesën e parë, 1-0. Tani le të presim që Donald Trump të fitojë të dytën në SHBA”. Ndërsa pikëpamjet e kanë vënë shpesh Orban kundër liderëve të tjerë evropianë, ai mund të ketë tani më shumë aleatë, pikërisht si rezultat i ndryshimit të erërave politike.
Pas zgjedhjeve të fundit evropiane, “mund të ketë më shumë qeveri, që janë ndoshta pak më miqësore, ose disi më të lidhura me qeverinë hungareze”, thotë Zselyke Csaky, studiuese në Qendrën për Reformat Evropiane. Nëse është kështu, shton ajo, pyetja mund të mos jetë më se cilat politika po bllokon Hungaria, por ndikimi që një ndryshim më i gjerë politik do të kishte tek vendimmarrja evropiane.
Ndërkohë, presidenca hungareze mund të ngatërrojë mesazhet e BE-së, pikërisht gjatë një periudhe të paqëndrueshmërisë globale. Për shembull, një fitore e Donald Trump në nëntor, ka të ngjarë të pritet me shumë entuziazëm nga Orban, ndërsa shumë kryeqytete të tjera evropiane do të dërgojnë urime formale.
Marrëdhëniet e Orban me administratën Biden, janë thuajse po aq të tensionuara sa edhe me Brukselin. Në mars të këtij viti, qeveria e tij thirri ambasadorin e SHBA-së në Budapest për të protestuar ndaj komentit të presidentit Biden se lideri hungarez “po synon të vendosë diktaturën në vendin e tij”.
Zyrtarët hungarezë dhe ambasadori amerikan David Pressman, e kanë kaluar pjesën më të madhe të 18 muajve të fundit, duke sulmuar njëri-tjetrin nëpër rrjetet sociale. Administrata Biden akuzoi javën e kaluar qeverinë e Orban për përdorimin e një ligji të ri për të ngacmuar dhe ndëshkuar shoqërinë civile dhe median e pavarur.
Për një kohë të gjatë, liderët evropianë e kanë konsideruan Orban si një politikan gjithmonë të gatshëm për të arritur një marrëveshje. Ai kaloi shumë vite në bllokun kryesor politik të qendrës së djathtë të BE-së, Partinë Popullore Evropiane, nga e cila vijnë presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe ish-kancelarja gjermane Angela Merkel.
Në vitin 2015, në mesin e shqetësimeve në rritje për lirinë e medias në Hungari, ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili nuk kundërshtonte sjelljen e tij të turpshme, e përshëndeti Orban në një samit të BE-së me termin “diktator”, përpara se t’i kapte dorën dhe t’i jepte një shuplakë të lehtë në faqen e tij të djathtë.
Të dy burrat buzëqeshën. Kur Ludovic Orban, që nuk ka lidhje gjaku me Viktorin, u bë kryeministër i Rumanisë në nëntorin e vitit 2019, u pyet se si njerëzit do të bënin dallimin midis dy liderëve të Bashkimit Evropian ai u përgjigj “Epo, unë jam i miri!”. Por batuta dhe buzëqeshje të tilla janë zhdukur prej kohësh.
Brukseli ka bllokuar dhjetëra miliarda euro nga buxheti dhe nga fondi i rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia që i takojnë Budapestit, duke e akuzuar Hungarinë se nuk po zbaton rregullat e BE-së, dhe se nuk ka dhënë garanci se përdorimi i këtyre parave është i mbrojtur nga korrupsioni.
Orban thotë se kjo lëvizje është një hakmarrje politike për pikëpamjet e qeverisë së tij. Që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainën, veprimet e Orban kanë sjellë një ftohje të madhe të marrëdhënieve me aleatët. Qeveria e tij ka mbajtur lidhje të ngushta me Kremlinin dhe Pekinin, është përpjekur të zbusë sanksionet, dhe ka bllokuar vendimet për dërgimin e armëve në Ukrainë.
Në një moment në fillim të luftës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha Orban në sy se duhet të zgjidhte se në cilën anë do të ishte. Të enjten e shkuar, Orban ishte vota e vetme nga liderët e BE-së kundër një mandati të dytë për zonjën Von der Leyen.
Ai e denoncoi si të “turpshme” një marrëveshje të arritur midis tre partive centriste të Bashkimit Evropian, të cilat mbajnë shumicën në bllok, për të ndarë postet kryesore të unionit. Zyrtarët hungarezë këmbëngulin se do ta marrin shumë seriozisht presidencën. Ata duan të çojnë përpara zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu Orban, ka thënë ditët e fundit se dëshiron ta përdorë presidencën për të rritur konkurrencën brenda bllokut. Zyrtarët thonë se Hungaria do të luajnë rolin e ndërmjetësit të ndershëm të presidencës, duke vepruar me kujdes për të mbështetur pikëpamjet e tyre.
Por udhëheqësit e tjerë të BE-së, janë mosbesues se si Orban do ta menaxhojë artin e arritjes së kompromisit. “Të qenit në një pozicion ku duhet të bësh kompromise, është një pozicion interesant të paktën një herë në jetë, ndaj unë ia rekomandoj patjetër zotit Orban”, u tha gazetarëve javën e kaluar kryeministri belg Alexander De Croo./ Përshtati "Pamfleti", nga “Wall Street Journal”.
Lini një Përgjigje