Në një reagim të publikuar në rrjetin social Truth, presidenti amerikan paralajmëroi qartë se Irani do të përballet me një sulm të fortë gjatë ditës së sotme.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar ashpër pas deklaratës së presidentit iranian Masoud Pezeshkian, i cili kërkoi falje ndaj vendeve fqinje për sulmet e fundit në rajon. Trump deklaroi se Irani është dorëzuar përballë vendeve të rajonit dhe e cilësoi këtë zhvillim si një humbje historike për Teheranin.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social Truth, presidenti amerikan paralajmëroi qartë se Irani do të përballet me një sulm të fortë gjatë ditës së sotme dhe se objektivat mund të zgjerohen edhe ndaj zonave dhe grupeve që nuk kanë qenë pjesë e operacioneve të mëparshme ushtarake.
“Sot Irani do të goditet shumë fort. Po shqyrtohet seriozisht shkatërrimi i plotë dhe vdekje e sigurt për zona dhe grupe njerëzish që deri në këtë moment nuk ishin konsideruar si objektiva, për shkak të sjelljes së keqe të Iranit”, shkroi Trump.

Deklarata e presidentit amerikan përbën një paralajmërim të drejtpërdrejtë për një përshkallëzim të ri ushtarak kundër Iranit, në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm.
Situata e sigurisë në Lindjen e Mesme mbetet shumë e tensionuar pas një serie sulmesh ushtarake dhe kundërpërgjigjesh mes Iranit, Izraelit dhe forcave amerikane në rajon. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë kryer sulme ndaj objektivave të lidhura me Iranin dhe strukturat e tij ushtarake.
Irani dhe grupet aleate në rajon kanë reaguar me sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave ushtarake dhe infrastrukturës strategjike. Disa vende të rajonit kanë rritur masat e sigurisë dhe kanë kufizuar hapësirën ajrore, duke shkaktuar ndërprerje të fluturimeve dhe tension në transportin ajror.
Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë vende evropiane dhe organizata ndërkombëtare, po bën thirrje për ulje të menjëhershme të tensioneve dhe rikthim në negociata, nga frika se konflikti mund të përshkallëzohet në një përplasje më të gjerë rajonale.
Lini një Përgjigje