
Forcat e armatosura iraniane deklaruan se respektojnë interesat dhe sovranitetin e vendeve fqinje dhe se nuk kanë ndërmarrë sulme kundër tyre. Deklarata u publikua përmes mediave shtetërore iraniane.
Reagimi vjen pas deklaratës së presidentit iranian, Masoud Pezeshkian, i cili kërkoi falje ndaj vendeve fqinje për incidentet e fundit. Ai bëri të ditur se këshilli i përkohshëm drejtues i Iranit ka vendosur ndalimin e sulmeve me raketa ndaj vendeve të rajonit, përveç rasteve kur një sulm ndaj Iranit nis nga territori i tyre.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr, selia qendrore Khatam-al Anbiya, që koordinon ushtrinë dhe Gardën Revolucionare iraniane, theksoi se: “Forcat e armatosura të Iranit respektojnë interesat dhe sovranitetin kombëtar të shteteve fqinje dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim armiqësor kundër tyre”.
Megjithatë, në të njëjtën deklaratë paralajmërohet se objektivat e Iranit në rajon mbeten interesat amerikane dhe izraelite.
“Të gjitha bazat ushtarake dhe interesat që i përkasin Shteteve të Bashkuara dhe regjimit sionist në tokë, det dhe hapësirë në të gjithë rajonin do të konsiderohen objektiva kryesore të sulmeve të fuqishme nga forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit”, thuhet në deklaratë.
Lini një Përgjigje