Përtej raketave dhe dronëve, rajoni po dëshmon një betejë narrativash midis “nderit kombëtar” që buron nga pavarësia dhe “ombrellës së huaj” të sigurisë.
Fushata ushtarake e Iranit kundër Izraelit dhe shteteve të Gjirit, nuk është thjesht një çështje raketash dhe dronësh. Teherani po udhëheq një përpjekje për një “Islam persian” të pavarur, duke synuar të diferencohet nga varësia ndaj Perëndimit.
Pyetja qendrore është nëse hapësira islame mund të qëndrojë e vetëmbështetur pa ndihmën perëndimore. Kjo luftë shkon përtej taktikave ushtarake. Ndërsa analistët numërojnë interceptimet e raketave dhe vlerësojnë dëmet në infrastrukturën energjetike, nën sipërfaqe zhvillohet një fushatë e gjerë ndërgjegjësimi.
Simbolika dhe prestigji i saj mbartin një vlerë strategjike po aq të rëndësishme sa edhe armët. Në bërthamë qëndron ballafaqimi gjeopolitik midis fuqive islame jo-arabe (Irani dhe Turqia) dhe shteteve arabe të Gjirit.
Kur Irani lëshon raketa ndaj objektivave në shtetet e Gjirit, synimi nuk është vetëm ushtarak. Qëllimi është të ekspozojë brishtësinë e tyre. Kur shtete me buxhete marramendëse mbrojtjeje - si Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe - mbeten të varura nga radarët dhe sistemet interceptuese amerikane, kjo e minon narrativën e tyre si shtete sovrane.
Brishtësia e tyre nuk lidhet vetëm me efikasitetin e raketave amerikane “Patriot”, por prek nervin e pavarësisë në aspektin e sigurisë. Kufizimet e fuqisë ushtarake, i paraqesin këto regjime si të paafta për t’u vetëmbrojtur dhe tërësisht të varura nga aleancat e jashtme.
Irani synon të diktojë një kundër-narrativë: “fuqia e pavarur iraniane” kundrejt “varësisë arabe nga ombrellat e huaja”. Sipas kësaj logjike, Irani qëndron i vetëm si një fuqi perandorake që sfidon Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa shtetet e Gjirit fshihen pas mbështetjes së Uashingtonit.
Teherani po lufton për të ashtuquajturin “nder persian”, me synimin që të hyjë në negociatat e ardhshme nga një pozicion heroik, duke zhvlerësuar statusin politik dhe të sigurisë së rivalëve arabë në sytë e botës myslimane.
Në këtë kontekst, janë domethënëse deklaratat e liderit të opozitës turke dhe ish-kryeministrit Ahmet Davutoglu, të bëra këtë javë. “Ata që heshtin ndaj sulmeve kundër Iranit, duke ndjekur logjikën ‘rroftë gjarpri që nuk më prek mua’, duhet ta kuptojnë se radha do t’i vijë gjithsecilit”- paralajmëroi ai.
Këto vërejtje nuk janë thjesht një sulm politik i brendshëm ndaj presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Davutoglu ka skicuar një hartë gjeopolitike që ndan rajonin në dy entitete: fuqitë jo-arabe, Irani dhe Turqia, me “thellësi strategjike” - histori perandorake, industri mbrojtjeje të pavarur dhe sovranitet të pakushtëzuar nga Perëndimi; dhe shtetet arabe, të cilat sipas tij, e kanë dorëzuar lirinë e tyre, në këmbim të një ombrelle mbrojtëse të huaj.
Davutoglu e sheh Erdoğan-in të kapur në një kurth mes detyrimeve ndaj NATO-s dhe ambicies për të udhëhequr botën myslimane. Mesazhi i tij është se përpjekja për të blerë një paqe të përkohshme duke braktisur Iranin është një iluzion i rrezikshëm. Sepse sapo të mposhtet Teherani, Perëndimi do të merret me kështjellën tjetër sovrane, Ankaranë.
Në këtë tension midis sovranitetit islamik dhe varësisë arabe, spikat rasti i Katarit. Ndërsa Davutoglu bën thirrje për qëndresë kundër “gjarprit perëndimor”, Katari zgjedh një lojë delikate ekuilibri: dobësimin e kontrolluar të Perëndimit, pa e lejuar të shembet plotësisht.
Për Katarin, SHBA-ja është një rrjetë sigurie që garanton mbrojtje ushtarake dhe imunitet rajonal. Interesi i tij është që Perëndimi të mbetet mjaftueshëm i fortë për ta mbrojtur, por mjaftueshëm i dobët për të mos kufizuar lirinë e tij ideologjike dhe diplomatike.
Deklaratat e Davutoglu, të ndërthurura me lëvizjet ushtarake të Iranit, tregojnë se lufta rajonale nuk bazohet vetëm te armët bërthamore apo terrorizmi. Ajo është një betejë mbi përkufizimin e sovranitetit mysliman në shekullin XXI.
Shtetet arabe që mbështeten te Perëndimi nuk janë thjesht rivalë të Iranit dhe Turqisë, por një simptomë e dobësisë historike që synon ta çrrënjosë boshti Turqi-Iran. Në fund, Lindja e Mesme islame është e ndarë mes dy botëkuptimeve.
Njëri e sheh aleancën me Perëndimin si domosdoshmëri ekzistenciale; ndërsa tjetri kërkon ta zëvendësojë varësinë me një nacionalizëm agresiv që shenjtëron fuqinë e shtetit mysliman mbi lirinë e individit.
Paradoksi i madh i Iranit dhe Turqisë, është se ndërsa promovojnë “nderin kombëtar” si alternativë ndaj varësisë arabe, ato investojnë burime gjigante në shtypjen e qytetarëve të tyre, duke e kthyer sovranitetin në një burg pa liri.
E vërteta e hidhur është se, ndërsa e mallkojnë Perëndimin si “gjarpër”, Perëndimi mbetet streha e preferuar e miliona emigrantëve që largohen nga shtetet e tyre “sovrane”. Shumë iranianë, të shtypur nga regjimi i Ajatollahëve, i drejtohen ende Perëndimit dhe vlerave të tij.
Për ta, Perëndimi nuk është agresor, por e vetmja adresë shpëtimi. Fituesi i kësaj fushate nuk do të përcaktohet nga fuqia e armëve, por nga aftësia e popujve të rajonit për të përqafuar narrativën e pavarësisë myslimane, kur të shohin se sovraniteti kombëtar - si në Turqi dhe Iran - shndërrohet në një burg të brendshëm dhe humbet çdo lloj tërheqjeje.
Shënim: Ronit Marzan, profesoreshë e historisë dhe autore e librit “Ati, Biri dhe Shpirti i Revolucionit: Rinia në Pranverën Arabe”./ Përshtati "Pamfleti Nga “Haaretz”
Lini një Përgjigje