Ngushtica e Hormuzit mund të mbetet e rrezikshme për muaj të tërë. Sipas Pentagonit, pastrimi i saj nga minat detare mund të zgjasë deri në gjashtë muaj dhe nuk pritet të nisë para përfundimit të luftës.
Siç raporton “Washington Post”, zyrtarët amerikanë i kanë informuar ligjvënësit në Kongres se Irani ka vendosur më shumë se 20 mina në këtë korridor strategjik detar.
Sipas të njëjtave burime, një pjesë e minave janë vendosur nga distanca duke përdorur teknologji GPS, gjë që e ka bërë të vështirë për forcat amerikane identifikimin e tyre në kohë reale. Mina të tjera janë vendosur përmes mjeteve të vogla lundruese.
Më herët, “CNN” kishte raportuar se Irani kishte nisur vendosjen e minave që në muajin mars, ndërsa SHBA dhe Izraeli vijonin fushatën e bombardimeve të nisur më 28 shkurt.
Në ditët pasuese, Pentagoni ka bërë të ditur se ka ndërmarrë sulme ndaj mjeteve iraniane që dyshohej se përdoreshin për vendosjen e minave.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar në rrjetet sociale se SHBA po shkatërrojnë këto mjete “me saktësi të pamëshirshme”, duke theksuar se Uashingtoni nuk do të lejojë që Ngushtica e Hormuzit të mbahet “peng”.
Lini një Përgjigje