
Pas skandalit që përfshiu ushqime të kontaminuara për foshnja, Bashkimi Evropian po forcon kontrollet mbi importet e vajit të acidit arakidonik, një përbërës me origjinë nga Kina.
Duke nisur nga e enjtja, çdo dërgesë e dytë e vajit të acidit arakidonik nga Kina do t’i nënshtrohet testimit për praninë e toksinës cereulide, sipas një vendimi të publikuar të mërkurën në Gazetën Zyrtare të BE-së.
Sipas Autoritetit Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), toksina cereulide ka çuar në tërheqje të produkteve të ushqimit për foshnje në disa vende të botës. Cereulida është një toksinë e prodhuar nga baktere që mund të shkaktojë të përziera, të vjella dhe dhimbje të papritura stomaku nga 30 minuta deri në gjashtë orë pas konsumimit.
Njoftimi në Gazetën Zyrtare thekson se kontaminimi me këtë toksinë lidhet me vajin e acidit arakidonik nga Kina, i përdorur gjatë procesit të prodhimit.
EFSA ka kryer më herët një vlerësim të rrezikut dhe ka vendosur për herë të parë një nivel udhëzues sigurie për sasinë e lejuar të cereulidës në ushqimin për foshnje.
Në janar, kompanitë ushqimore Danone dhe Nestlé tërhoqën nga tregu në Gjermani disa lote të produkteve të tyre për fëmijë.
Në atë kohë, Nestlé deklaroi se “është e rëndësishme për ne të themi se deri më sot nuk janë konfirmuar sëmundje apo simptoma që lidhen me konsumimin e produkteve të prekura”.
Lini një Përgjigje