
Trazirat në Francë pas vdekjes së 17-vjeçarit nga policia, sollën të tjera viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale. Një 27-vjeçar u vra dhe një person tjetër u plagos nga një plumb gome të policisë gjatë trazirave. Ngjarjet tragjike nxjerrin në pah tensionet dhe sfidat e thella që vendi po përjeton, pas vdekjes së një adoleshenti 17-vjeçar francez me prejardhje algjeriane, ngjarje kjo që ka shkaktuar protesta të forta.
Ndërkohë, presidenti Emmanuel Macron po përgatitet të prezantojë një ligj emergjent për të rindërtuar zonat e prekura dhe për të marrë masa të menjëhershme për të përballuar situatën e vështirë. Rasti i vrasjes së 27-vjeçarit ndodhi midis të shtunës dhe të dielës në qytetin e Marseljes. Edhe pse u transportua menjëherë në spital, ai nuk arriti të mbijetojë goditjes së fortë në gjoks. Lajmi i trishtë u bë i ditur natën e kaluar, kur prokuroria e Marseljes njoftoi për hetimet e tyre në lidhje me rolin e agjentëve të policisë. Megjithatë, ende nuk ka detaje të sakta se a ishte viktima pjesë e protestave apo ishte thjesht kalimtar.
Dyshimi për abuzim policor shfaqet edhe në rastin e dytë në Mont-Saint-Martin, afër kufirit me Belgjikën. Një djalë 25-vjeçar, Aimène Bahouh, ndodhet në gjendje kome që nga e premja, më 30 qershor. Ai ishte në drejtim të një automjeti bashkë me dy miqtë e tij pasi kishte mbushur benzinë në një stacion shërbimi, kur u godit nga një plumb i hedhur nga një agjent i repartit special të policisë Raid. Dëshmitarët tregojnë se ai u rrëzua papritur mbi timon me pas panë shumë gjak. Prokuroria ka nisur një hetim për "dhunë vullnetare" në lidhje me këtë rast.
Në një takim me 250 kryetarë komunash nga e gjithë Franca, presidenti Emmanuel Macron shpreh planin e tij për të adresuar situatën pas një jave shkatërrimesh dhe konfliktesh të mëdha.
Lini një Përgjigje