TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Nëntor 2024, 13:13

Paqja Ukrainë-Rusi mund të firmoset në Beograd, Vuçiç ofrohet si ndërmjetës

Shkruar nga Orhan Dragas

Paqja Ukrainë-Rusi mund të firmoset në Beograd,

Legjitimiteti për t’i qasur Beogradit si një vend negocimi, buron nga aftësia e tij për të mbajtur marrëdhënie pozitive me të gjitha palët, edhe gjatë kohës së ndarjes së madhe globale.

Që nga Lufta e Dytë Botërore, nuk ka pasur asgjë të ngjashme me pushtimin rus të Ukrainës. Paqja që do të vijë në Ukrainë, do të jetë e ndryshme nga ajo që kujtojmë apo kemi studiuar në orën e historisë. Helsinki, Vjena dhe Gjeneva, janë referenca të famshme të diplomacisë, pasi aty janë arritur dhe firmosur marrëveshje që i kanë dhënë fund konflikteve të përgjakshme në mbarë botën.

Por ato nuk do të jenë pjesë e historisë së re të Ukrainës dhe Rusisë. Paqja në Ukrainë, po kërkon një vend që mund të sigurojë jetëgjatësinë e saj. Është e vështirë, në mos gati e pamundur, të gjesh një vend apo njerëz në botën e sotme që të ndjekin një rrugë të mesme. Planeti ynë është tejet i polarizuar.

Nuk ka asnjë konflikt që të mos na ndajë, për shembull në një Veri të zhvilluar dhe një Jug të varfër, ose në një Perëndim në rënie dhe një Lindje në rritje. Ndarja është bërë një aspekt i pashmangshëm i reflektimit intelektual, për të mos përmendur strategjitë politike që po vendosin mbi të shpresat e tyre për epërsi.

Serbia ka një pozicion unik në skenën ndërkombëtare, e cila e lejon të mbajë një qasje të balancuar midis aktorëve më të rëndësishëm globalë. Legjitimiteti për t’i qasur Beogradit si një vend negocimi, buron nga aftësia e tij për të mbajtur marrëdhënie pozitive me të gjitha palët, edhe gjatë kohës së ndarjes së madhe globale.

Është pikërisht ky ekuilibër, pra midis mbështetjes së fortë morale dhe materiale për Ukrainën, dhe marrëdhënieve pragmatike me Rusinë, ai që e bën Serbinë shumë të kualifikuar për një mision kaq historik. Ata që janë përpjekur t’i rezistojnë polarizimit, janë përballur me vështirësi të mëdha nga të dyja palët.

Strategjia më e rrezikshme e një shteti sot, është të shmangë rreshtimin me ndonjë bllok të caktuar: NATO-n, Rusinë apo aleatët e saj nga shtetet renegate si Irani dhe Koreja e Veriut; apo bllokun kinez dhe ndjekësit e tij të heshtur nga Azia Lindore, Afrika dhe Amerika Latine.

Po blloqet në krizën e Lindjes së Mesme, ku aleancat dhe armiqësitë janë më të vjetra?

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se shpreson që lufta me Rusinë të përfundojë përmes mjeteve diplomatike në vitin 2025. Edhe ne shpresojmë që kjo të arrihet. Nëse ai e beson këtë, atëherë le ta ndihmojmë të realizojë shpresën e tij, pasi është vërtet koha e duhur.

Pavarësisht shpresave dhe pritshmërive tona, ne nuk e dimë se si do të jetë kjo paqe. Unë vetë jam dakord me pritshmëritë e çdo ukrainasi, që paqja të ruajë shtetin ukrainas dhe popullin e tij brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Kjo pritshmëri bazohet në trashëgiminë civilizuese që na la rendi i pas Luftës së Dytë Botërore, i zyrtarizuar në Kartën e OKB-së.

Beogradi gëzon tashmë reputacionin e një qyteti të hapur ndaj dialogut. Organizimi i negociatave për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, si dhe i shumë takimeve të tjera ndërkombëtare, kanë treguar se Beogradi mund të jetë vend i përshtatshëm për diskutime komplekse. Për më tepër, Serbia zotëron kapacitete infrastrukturore dhe kushte sigurie për të siguruar pa probleme organizimin e ngjarjeve të tilla.

Megjithatë, negociatat e paqes janë në duart e negociatorëve. Por le të shqyrtojmë se çfarë kërkesash duhet të plotësojë mikpritësi dhe dëshmitari i këtij akti historik. Para së gjithash, ai duhet të jetë i pranueshëm nga të dyja palët. Jo si ndërmjetës, por thjesht si një mikpritës që i bën të dyja palët të ndihen njëlloj të respektuara dhe të mirëpritura.

Në kryeqytetin e kujt rusët dhe ukrainasit do të ndihen të sigurt, të respektuar dhe të rrethuar nga vullneti i mirë? Gati të gjitha kryeqytetet e njohura në botë për paqeruajtjen, si Helsinki i lartpërmendur (NATO), Vjena (BE) dhe Gjeneva (mikpritësja zvicerane e konferencës së dështuar të paqes), nuk e kalojnë testin.

Negociatorët rusë, nuk do të vijnë në asnjë kryeqytet të NATO-s dhe BE-së, dhe ata ukrainas nuk do të shkojnë në asnjë kryeqytet, që nuk ka ofruar të paktën një mbështetje të dukshme për rezistencën e tyre ndaj agresionit rus. Në fillim të luftës, Turqia u përpoq të shërbente si ndërmjetëse midis palëve ndërluftuese, dhe përpjekjet e saj nuk ishin fare pa sukses. Ndërmjetësimi i saj ishte i suksesshëm në shkëmbimin e të burgosurve dhe eksportin e drithrave nëpërmjet porteve të Detit të Zi. Por Turqia është anëtare e NATO-s. Nga ana tjetër Kina ka paraqitur një lloj plani për paqe, duke pretenduar neutralitetin e vet, por ka shumë prova të mbështetjes së saj për Moskën, të cilat e skualifikojnë atë.

Si një vend që ka vuajtur sanksionet, bombardimet dhe ndryshime politike delikate, Serbia e kupton kompleksitetin e negociatave të paqes, dhe e njeh mirë kalimin nga konflikti në stabilitet.

Historia e saj, sado e vështirë që është, tregon se dialogu, pavarësisht sfidave të tij, mbetet e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt stabilitetit dhe zhvillimit.

Neutraliteti i Serbisë, mund të bëhet një katalizator për ripërcaktimin e rolit të vendeve më të vogla në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në një kohë kur fuqitë e mëdha po e dominojnë axhendën globale, Serbia mund të dëshmojë se edhe shtetet më të vogla mund të kontribuojnë për paqen në nivel global, me pozicionin dhe diplomacinë e tyre unike.

Serbia është e pranueshme për Moskën, sepse nuk është anëtare e NATO-s apo e BE-së, të cilat Kremlini i konsideron si armiq. Serbia është e pranueshme, pasi është i vetmi vend evropian që nuk ka vendosur sanksione ekonomike kundër Rusisë. Përveç Turqisë, Serbia është i vetmi vend evropian që nuk ka pezulluar trafikun ajror me Rusinë, dhe shërben si një nga qendrat e rralla për rusët (ata që lejohen) të udhëtojnë në Evropë.

Nga ana tjetër, ajo e ka mbështetur politikisht Ukrainën, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, përfshirë Krimenë, sa herë që ka qenë e nevojshme. Kjo mbështetje, ka qenë e vazhdueshme jo vetëm që nga shkurti 2022, por edhe që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në vitin 2014.

Në OKB, Serbia ka votuar 4 herë për dënimin e agresionit rus, së bashku me kërkesën për tërheqjen e trupave ruse nga territoret e pushtuara në Ukrainën Lindore. Po ashtu, ka votuar për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Është po aq e rëndësishme që në këtë qasje, Serbia të vazhdojë të dërgojë ndihma humanitare dhe fonde për popullin ukrainas, duke përfshirë 32.4 milionë dollarët në mars të këtij viti. Deri më sot, Serbia ka dërguar gjithsej 52 milionë dollarë ndihma në Ukrainë.

Raporte të ndryshme, tregojnë se Serbia ka dërguar një sasi të konsiderueshme armësh me vlerë mbi 1 miliardë dollarë në Ukrainë, një lëvizje që shumica e anëtarëve të NATO-s nuk e kanë bërë ende. Zonja e Parë e Serbisë, Tamara Vuçiç dhe Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, kanë kontribuar akoma më shumë për të bashkuar dy kombet, me takimet e tyre të shpeshta në mbrojtje të refugjatëve, pacientëve në spitale dhe mbi të ardhmja për edukimin e të rinjve ukrainas kur të vendoset paqja.

Duke pritur bisedimet e paqes, Serbia mund të simbolizojë fillimin e një epoke të re për Evropën, ku paqja nuk do të mbështetet vetëm tek superfuqitë, por më tepër tek një përkushtim i përbashkët ndaj vlerave dhe një mirëkuptim reciprok të nevojave të të gjitha palëve.

Marrëveshja e Beogradit, mund të bëhet model për proceset e ardhshme të paqes në mbarë botën. Paqja e ardhshme do të jetë e vështirë për t’u arritur, dhe do përballet me pengesa të panumërta. Megjithatë, le të përpiqemi të eliminojmë të paktën një pengesë të rëndësishme. Marrëveshja e Beogradit mund të bëhet simbol jo vetëm për rimëkëmbjen e Ukrainës, por edhe për ripërtëritjen e besimit tek diplomacia./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Kyiv Post”

Shënim:Dr.Orhan Dragaš, ekspert serb për sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, themelues ​​dhe drejtor i Institutit Ndërkombëtar të Sigurisë me qendër në Beograd.

 

aleksandar vucic vladimir putin volodymyr zelensky

Lini një Përgjigje