
Ky armëpushim, ka të ngjarë të rezistojë, tani për tani. Por vështirë se mund të jetë pararojë e një paqeje më të gjerë.
Mëngjesi i së mërkurës në Bejrutin Jugor, nisi njëlloj si për pjesën më të madhe të dy muajve
të fundit: me shpërthime dhe të shtëna me armë zjarri. Megjithatë, këtë herë breshëritë e armëve po ‘kremtonin’ arritjen e paqes. Siç ka ndodhur shumë herë më parë, mbështetësit e Hezbollahut donin të zhvillonin deri në minutën e fundit luftën kundër Izraelit, pavarësisht kostos.
Ndoshta cinikët nuk e kanë gabim, kur thonë se ky armëpushim do të jetë vetëm i përkohshëm. Megjithëse mund të zgjasë edhe për një kohë të gjatë, nëse kjo i përshtatet llogaritjeve të ndërmjetësve të pushtetit në të dyja anët, por edhe mbështetësve të tyre të huaj.
Nga ana tjetër, është më se e mirëkuptueshme psherëtima e lehtësimit që del nga njerëzit e zakonshëm në Liban dhe Izraelin Verior. Sepse marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Libanit (si një përfaqësues i Hezbollahut), nënkupton se që pas 60 ditësh ushtria izraelite do të tërhiqet sërish në kufirin ndërshtetëror në jug, dhe luftëtarët e Hezbollahut do të zhvendosen përtej lumit Litani, 30 km ose më shumë larg kufirit Liban-Izrael.
Izraeli i vazhdoi deri në momentin e fundit sulmet e ashpra ajrore. Një ditë më herët, Hezbollahu lëshoi 250 raketa drejt Izraelit. Hezbollahu dhe civilët libanezë pësuan shumë herë më tepër viktima dhe dëme, në krahasim me dëmet që grupimi militant mund t’i shkaktonte IDF-së dhe civilëve izraelitë.
Por një shenjë ogurzezë për Izraelin, është se pavarësisht nga përzierja shkatërruese e sulmeve të synuara nga shërbimet sekrete, siç ishin shpërthimet nga distanca të mijëra radiomarrëseve dhe ndaj bunkerëve që vranë liderin e grupit Hassan Nasrallah 2 muaj më vonë Hezbollahu ende po luftonte dhe nuk ishte mposhtur.
Ky armëpushim, ka të ngjarë të rezistojë, tani për tani. Por vështirë se mund të jetë pararojë e një paqeje më të gjerë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e justifikoi ndalimin e luftës në “frontin verior” si të nevojshëm, që forcat e tij të rimbushin arsenalet e tyre nga SHBA-ja dhe furnizues të tjerë perëndimorë.
Në këtë mënyrë, IDF mund të dyfishojë përpjekjet e tij për të shtypur Hamasin në Rripin e Gazës. Po ashtu, Netanjahu synon që ta trajtojë Iranin si një kërcënim strategjik, bashkë me “përfaqësuesit” e ndryshëm të Teheranit nga Siria dhe Iraku, nëpërmjet Bregut Perëndimor deri tek Huthit në Jemen.
Në vend se të shpresojmë se më në fund ushtria libaneze dhe Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara me helmeta blu në Liban (UNIFIL), do të jenë vërtet në gjendje të kontrollojnë Libanin jugor, është nevoja e Hezbollahut për të lëpirë plagët e tij, ajo që nënkupton se mund të qëndrojë mënjanë në luftimet e ardhshme që do zhvillohen më në jug.
Dështimi i Netanyahut për ta tulatur Gazën deri më tani, mund të sugjerojë se do ta zhvendosë ushtrinë izraelite atje për të shtypur Hamasin dhe për të liruar çdo peng të mbetur. Por ai bëri të pamundurën për të identifikuar Iranin si armikun nr.1 të Izraelit, dhe i përmendi Huthit si objektiva të vazhdueshëm.
Netanyahu thotë se Izraeli i ka kaluar gjithnjë e më shumë “vijat e kuqe” të vendeve të tjera.
Dhe ai nënkuptonte mbi të gjitha, përpjekjet e SHBA-së për ta frenuar atë. Duke shpallur armëpushimin me Libanin, ai u mburr se kritikët kishin thënë: “Ne nuk do të kthehemi të luftojmë. Por do të rikthehemi në Liban, nëse kjo do të jetë e nevojshme”.
Forcat Ajrore izraelite, hodhën 3 bomba të mëdha në Bejrut, ndërsa Joe Biden doli para medias në Shtëpinë e Bardhë për ta paraqitur armëpushimin si një epilog triumfal i politikës së jashtme të presidencës së tij. Reagimet që erdhën Jeruzalemi ishin shumë të kundërta.
Mjerisht, roli i Biden duket më pak vendimtar dhe më shumë si një shtojcë. Biden shpreson se armëpushimi i fundit në Liban, do të jetë një precedent për marrëdhëniet e Izraelit me Gazën.
Po ashtu, ai foli për një normalizim më të gjerë të raporteve mes Izraelit dhe botës arabe. Netanyahu sugjeroi se armëpushimi në veri, i hapi rrugën një “normaliteti të ri”. Se do të jetë fuqia ushtarake e Izraelit dhe jo shpresat e devotshme për paqe, ato që do ta qetësojnë rajonin.
Netanyahu duket se po përllogarit se administrata e dytë e Trump, do t’i lërë dorë të lirë ndaj Iranit. Zbehja e përballjes ushtarake me Hezbollahun, në një kohë që Izraeli përgatitet për përballjen e vërtetë me Iranin, do ta bëjë armëpushimin 60-ditor të duket më pak si trashëgimia politike e Biden, dhe me shumë si epitafi i tij.
Ndërkohë, Donald Trump e shpalli armëpushimin si “efektin Trump: paqe përmes forcës”. Ndoshta presidenti i porsazgjedhur i SHBA-së, ka pasur ndikim në bindjen e Izraelit për të reduktuar humbjet e tij ushtarake në Liban, ku Hezbollahu ishte i gatshëm të blinte kohë duke pranuar një armëpushim, që i jep atij shansin për t'u ringritur por që i jep kohë edhe Izraelit për të rishikuar pozicionet e tij më në jug.
A do të ndërhyjnë tani Trump dhe ekipi i tij i linjës së ashpër, për të arritur një marrëveshje paqeje që nuk mundi ta arrijë presidenti në largim Joe Biden? Apo Netanyahu do të kombinojë operacionet e mëdha ushtarake ndaj armiqve të Izraelit, me retorikën që flet për arritjen e një paqeje Trumpiane përmes forcës?
Shfrytëzimi i vanitetit të presidentit të ri amerikan, duke e lejuar atë të mbajë kusuret për çdo gjë që nuk shkon sipas planit, do të ishte tipike për Beniamin Netanyahun. Kryeministri izraelit nuk pret ndonjë paqe të përhershme edhe pas fitores.
Megjithatë, Trump dëshiron që të jetë paqebërësi kryesor i botës, nga Gaza në Ukrainë.
Tensionet midis ekipit të ri që pritet të hyjë në Shtëpinë e Bardhë dhe politikanit veteran në Jerusalem janë shumë të dukshme./ Përshtati "Pamfleti", marrë nga "The Independent”
Lini një Përgjigje