TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Maj 2023, 19:53

Pa sukses në fushëbetejë, ndihmat për Ukrainën mund të vihen në rrezik

Shkruar nga Pamfleti

Pa sukses në fushëbetejë, ndihmat për Ukrainën mund

Në vijat e frontit në Ukrainë nuk ka pasur shumë lëvizje prej se forcat e vendit kanë çliruar qytetin e Hersonit nga ushtria pushtuese ruse, nëntorin e kaluar. Por, presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se ushtria e tij është tani gati të nisë një kundërofensivë të re. Ai nuk ka specifikuar se kur, por ka thënë se nuk mund të zvarritet pafundësisht.

“Ne jemi të aftë t’i japim fund kësaj lufte. Por, jo gjithçka do të ndodhë menjëherë - nesër. Na duhet kohë për t’u stërvitur, por e dimë se si ta bëjmë më shpejt”, ka thënë Zelensky.

Ushtria ukrainase është duke trajnuar dhjetëra mijëra trupa të reja - disa prej tyre në kampe në SHBA dhe në vende të ndryshme të Evropës - që pritet të marrin pjesë në ofensivën e pranverës.

Kievi ka marrë, gjithashtu, grumbuj armësh të prodhimit perëndimor, përfshirë tanke Leopard dhe Challenger. Njësitë e tij, të rregullta dhe të parregullta, do të hyjnë në ofensivë me më shumë se 32 miliardë dollarë armë nga arsenalet e SHBA-së - plus miliarda të tjera nga aleatët evropianë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se “mbi 98 për qind” e automjeteve ushtarake që i janë premtuar Ukrainës, janë dorëzuar.

“Në total, ne kemi trajnuar dhe pajisur më shumë se nëntë brigada të reja ukrainase. Kjo do ta vendosë Ukrainën në një pozicion të fortë, për të vazhduar rimarrjen e territorit të pushtuar”, ka thënë Stoltenberg.

Rusia ka mbledhur gjithashtu forca që do të përpiqen të thyejnë mbrojtjen ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut. Ajo po kryen edhe një fushatë të re rekrutimi, ndërsa ka zgjeruar tashmë linjat e saj mbrojtëse - me fusha të minuara e llogore.

“Thirrja për rekrutim, e cila ka filluar më 1 prill, po zhvillohet sipas planit dhe do të përfundojë më 15 korrik. Deri më tani, 52 mijë qytetarë kanë marrë urdhra dhe më shumë se 50 mijë janë paraqitur në zyrat e regjistrimit ushtarak”, ka thënë udhëheqësi i mobilizimit ushtarak në Rusi, Andrey Biryukov.

Megjithatë, Instituti për Studime të Luftës, me seli në Uashington, e nxjerr Rusinë të dobësuar. Në një hulumtim që ka publikuar më 23 prill thuhet se “ka shumë gjasa” që “shumica e elementëve rusë në Ukrainë të jenë nën kapacitetet e plota, për shkak të humbjeve që kanë pësuar gjatë fazave të mëparshme të luftës”.

“Rusët kanë probleme të mëdha me mbledhjen e forcave”, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, George Barros, një prej autorëve të hulumtimit.

“Kur presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpallur mobilizim të pjesshëm shtatorin e kaluar, 700 mijë rusë janë larguar nga vendi, sepse e kanë kuptuar se ushtria ruse ka humbur më shumë pajisje dhe njerëz në Ukrainë brenda një viti, sesa që kanë humbur sovjetikët gjatë një dekade në Afganistan. Pra, është një narrativë shumë e njohur tashmë, se Ukraina është vendi ku të rinjtë dhe të moshuarit rusë shkojnë për të vdekur”, thotë Barros.

Ai shton se një tjetër dallim midis betejave të vitit të kaluar dhe luftimeve sot është se makineria luftarake ruse është, po ashtu, e dobësuar. Nga 20-30 mijë predha në ditë, sa ka hedhur verën e kaluar, ajo sot gjuan rreth 10 mijë. /REL

ukraina lufte

Lini një Përgjigje