Liderët e Indisë, Rusisë dhe Kinës takohen në Tianjin mes tensioneve tregtare me SHBA-në dhe përpjekjeve për të ndërtuar një rend të ri botëror...
Këtë fundjavë, liderët e tre shteteve më të mëdha të botës do të mblidhen në Kinë për samitin euro-aziatik të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO).
Në qytetin port të Tianjinit pritet të ulen në një tryezë kryeministri indian Narendra Modi, presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri kinez Xi Jinping, së bashku me përfaqësues të tjerë shtetesh. Ajo që do të mungojë është prania e presidentit amerikan Donald Trump, i cili megjithatë do të jetë tema më e nxehtë në diskutime.
Ekspertët parashikojnë se politika e Shteteve të Bashkuara, tarifat dhe qëndrimet e Trump do të dominojnë tryezën e samitit. Ky takim përkon me një vendim të fundit të administratës amerikane për të vendosur një tarifë 50 për qind ndaj mallrave indiane, një nga më të lartat e aplikuara nga Trump deri tani. Shtëpia e Bardhë e justifikoi këtë si penalitet për blerjen e naftës ruse nga India, por në praktikë ky hap ka detyruar Modin të afrohet me Pekinin dhe të rifillojë bisedimet me Xi Jinping pas një periudhe tensioni të gjatë.
Ky do të jetë vizita e parë e kryeministrit indian në Kinë që prej vitit 2018. Marrëdhëniet mes dy gjigantëve aziatikë u përkeqësuan në vitin 2020 pas përplasjeve të përgjakshme në kufirin e Himalajeve, por së fundmi të dy vendet kanë filluar rikthimin e vizave turistike dhe planifikojnë rifillimin e fluturimeve direkte të pezulluara gjatë pandemisë. Vetë prania e Modit në Tianjin shihet si një lëvizje strategjike dhe një shenjë e dobësisë gjeopolitike të Indisë përballë presionit amerikan.
Në anën tjetër, Putin do të mbërrijë në Kinë vetëm pak javë pasi Trump e priti me ceremoni në një bazë amerikane në Alaskë. Presidenti rus do të marrë pjesë jo vetëm në samit, por edhe në një paradë të madhe ushtarake në Pekin më 3 shtator, ku pritet të qëndrojë krah për krah me Xi Jinping dhe Kim Jong Un, në një demonstrim të qartë të unitetit mes tre fuqive. Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Kinës janë forcuar ndjeshëm vitet e fundit, me rritje të shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunim ushtarak të paprecedent, përfshirë patrullën e përbashkët të parë të nëndetëseve në Paqësor.
Analistët thonë se lidhja mes Moskës dhe Pekinit është ngjizur nga perceptimi i përbashkët se SHBA-ja përbën kërcënimin kryesor. Kina vuan një ekonomi në ngadalësim dhe një luftë tregtare të ashpër me Uashingtonin, ndërsa Rusia, e goditur nga izolimi ndërkombëtar pas pushtimit të Ukrainës, ka nevojë jetike për mbështetjen e Pekinit.
Në prag të këtij samiti, ekspertët kujtojnë edhe deklaratën e përbashkët të vitit 2022 mes Putinit dhe Xi Jinping, pak ditë para pushtimit rus të Ukrainës, kur dy liderët bënë thirrje për një “rend botëror multipolar”. Trump me politikat e tij të paparashikueshme, që kanë përfshirë sulme ndaj aleatëve tradicionalë dhe dobësimin e rendit ekonomik global, i ka dhënë Pekinit hapësirë për të paraqitur veten si një alternativë më të qëndrueshme dhe të besueshme për fqinjët dhe partnerët.
Megjithëse Organizata e Shangait mbetet e brishtë për shkak të konflikteve mes disa vendeve anëtare, samiti i Tianjinit shihet si një moment kyç ku Kina, Rusia dhe India po përpiqen të projektojnë një model tjetër bashkëpunimi, ndërkohë që SHBA shfaqet gjithnjë e më e paparashikueshme në arenën ndërkombëtare. /Përshtatur nga “CNN”
Lini një Përgjigje