TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Maj 2026, 15:38

Nga Spanja në Greqi, bllokohet kamioni me gjysmë ton drogë në Igumenicë!

Shkruar nga Pamfleti
Nga Spanja në Greqi, bllokohet kamioni me gjysmë ton drogë
Foto ilustruese

Një operacion antidrogë në portin e Igumenicës, në Greqi, ka çuar në sekuestrimin e rreth gjysmë toni kanabis të llojit “Skunk”, i cili po transportohej me kamion nga Spanja. Autoritetet greke arrestuan në flagrancë drejtuesin e mjetit, një shtetas bullgar, ndërsa hetimet janë në vijim për zbardhjen e plotë të rrjetit kriminal të përfshirë.Sipas informacioneve paraprake, ngarkesa e drogës ishte nisur nga Valencia e Spanjës dhe kishte ndjekur një itinerar përmes Italisë, përpara se të mbërrinte në portin e Igumenicës. Kamioni ishte vënë nën mbikëqyrje nga autoritetet greke pas informacioneve të marra rreth një muaj më parë nga homologët bullgarë.

Droga u zbulua gjatë kontrollit falë ndërhyrjes së një qeni të trajnuar antidrogë, të quajtur “Vlad”. Sipas pamjeve të publikuara, qeni reagoi në mënyrë të menjëhershme në pjesën e pasme të kamionit, ku brenda kutive me produkte letre, si peshqirë dhe rrotulla, ishte fshehur lënda narkotike.

Drejtuesi i kamionit u arrestua në vendngjarje, por sipas burimeve ai nuk po bashkëpunon me autoritetet dhe ka refuzuar të japë informacion mbi rrjetin e trafikimit.

Autoritetet greke dyshojnë se bëhet fjalë për një organizatë kriminale të strukturuar, me shtrirje nga vendet e Bashkimit Evropian deri në Turqi. Ky i fundit konsiderohet si destinacion i mundshëm përfundimtar, për shkak të çmimit më të lartë të kësaj lënde narkotike në atë treg.

Lini një Përgjigje