TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Maj 2026, 14:43

Nga kontrolli te përplasja: Si doli jashtë loje strategjia e Merz me Trump 

Shkruar nga Pamfleti
Nga kontrolli te përplasja: Si doli jashtë loje strategjia e Merz me
Friederich Merz dhe Donald Trump

Edhe pse lidershipi gjerman synon të reduktojë me shpejtësi varësinë ushtarake dhe ekonomike nga SHBA, ai beson se do të vazhdojë të varet nga fuqia amerikane, përfshirë parandalimin bërthamor dhe shkëmbimin e informacionit, për vitet në vijim. Për këtë arsye, pavarësisht përçarjeve thelbësore, Merz ka tentuar të ruajë marrëdhënie të mira.

Prej muajsh marrëdhëniet midis kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe Donald Trump lëviznin mbi një fije të tendosur, por tani duket se është shfaqur një çarje, sipas një publikimi të revistës amerikane Politico.

Merz tregoi më shumë fleksibilitet se shumica e liderëve europianë për të pasur favorin e Trump, pasi e konsideronte një domosdoshmëri strategjike ruajtjen e lidhjeve të ngushta me një lider amerikan, i cili dihet se mban mëri.

Megjithatë, nën presionin politik në rritje në vendin e tij, kancelari ka shtuar gjithashtu kritikat ndaj Trump dhe luftës në Iran, pasi të dyja çështjet janë jashtëzakonisht jopopullore për gjermanët. Këtë javë, kancelari gjerman duket se humbi masën në këtë ekuilibër të brishtë dhe irritoi realisht Trump.

Merz, gjatë një vizite në shkolla, tha se SHBA “poshtëroheshin” nga regjimi iranian. Trump reagoi duke sulmuar kancelarin në Truth Social dhe duke kërcënuar Berlinin me skenarin më të keq: tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania.

Kancelari u përpoq të minimizojë përplasjen dhe të vazhdojë sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Ai këmbënguli se gjithçka ishte mirë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas revistës amerikane, Merz me shumë gjasa kishte vënë bast se çështja do të “shfryhej” dhe se Trump në fund do të tërhiqej, sipas parimit “TACO” (Trump Always Chickens Out Trump gjithmonë tërhiqet) që u shpik në Wall Street.

Në fund të fundit, Merz kishte parë Trump të kërcënonte se do të anulonte marrëveshjen tregtare të SHBA me Mbretërinë e Bashkuar për shkak të kundërshtimit të kryeministrit britanik Keir Starmer ndaj luftës kundër Iranit dhe të betohej se do të vendoste “embargo” ndaj Spanjës për shkak të kritikave të forta të kryeministrit Pedro Sánchez. Në asnjë nga këto raste Trump nuk i zbatoi kërcënimet.

Lideri amerikan vazhdoi të ishte i zemëruar të enjten. “Kancelari i Gjermanisë duhet të kalojë më shumë kohë duke u përpjekur të përfundojë luftën midis Rusisë dhe Ukrainës (ku është provuar plotësisht i paefektshëm!) dhe të rindërtojë vendin e tij të shkatërruar, veçanërisht në çështjet e migracionit dhe energjisë, dhe më pak kohë duke ndërhyrë tek ata që përpiqen të eliminojnë kërcënimin bërthamor të Iranit, duke e bërë kështu botën, përfshirë Gjermaninë, një vend më të sigurt!”, shkroi Trump në Truth Social menjëherë pas deklaratave të Merz.

Një përmbysje e rëndësishme

Kjo përbën një përmbysje të rëndësishme në raport me klimën miqësore që ekzistonte mes dy liderëve. Trump më parë kishte vlerësuar qeverinë e Merz për politikat e saj në migracion dhe energji, gjatë një takimi në Zyrën Ovale me kancelarin gjerman. Madje, presidenti amerikan e kishte quajtur kancelarin “mik” që bën “punë vërtet të shkëlqyer”.

Strategjia e Merz ishte të shmangte përplasjen publike me Trump, pavarësisht mosmarrëveshjeve të mëdha në çështje si Ukraina dhe tregtia. Qëllimi ishte të ruante marrëdhënie miqësore dhe të siguronte ndikim të mjaftueshëm për ta afruar presidentin amerikan, në nivel privat, me pozicionet e Gjermanisë.

Kjo qasje është karakteristike e një strategjie më të gjerë gjermane për përballimin e administratës Trump dhe marrëdhënieve problematike transatlantike. Edhe pse lidershipi gjerman synon të reduktojë me shpejtësi varësinë ushtarake dhe ekonomike nga SHBA, ai beson se do të vazhdojë të varet nga fuqia amerikane, përfshirë parandalimin bërthamor dhe shkëmbimin e informacionit, për vitet në vijim. Për këtë arsye, pavarësisht përçarjeve thelbësore, Merz ka tentuar të ruajë marrëdhënie të mira.

Megjithatë, herë pas here, qoftë për shkak të zhgënjimit nga pasojat e veprimeve të Trump apo për koston politike të brendshme që sjell një sjellje e butë ndaj një presidenti thellësisht jopopullor, Merz shpërthen. “Duke nënkuptuar se administrata Trump ‘u poshtërua’ nga iranianët, kancelari mund ta ketë tepruar, duke rrezikuar një përplasje me një president të njohur për prirjen e tij hakmarrëse”, komenton Politico.

Edhe pse rreziqet janë potencialisht shumë të larta për Gjermaninë, liderët politikë mbeten relativisht optimistë, duke theksuar se SHBA kanë nevojë për praninë e tyre ushtarake në Gjermani për operacionet e tyre. Pavarësisht sulmeve të Trump ndaj Merz, shumëkush argumenton se bashkëpunimi ushtarak në terren mbetet i ngushtë dhe i integruar thellë, dhe se një tërheqje e shpejtë amerikane është jorealiste.

“Nuk është hera e parë që përballemi me kërcënime të tilla”, tha Christoph Schmidt, deputet i lartë për çështjet e mbrojtjes nga partnerët socialdemokratë të Merz në qeverinë e koalicionit. “Një tërheqje, në afat të shkurtër, thjesht nuk është e realizueshme. Dhe në afat të mesëm deri afatgjatë, do të dobësonte aftësitë operacionale të ushtrisë amerikane në nivel global”, deklaroi ai.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trump njoftoi plane për të tërhequr 9.500 ushtarë amerikanë nga bazat në Gjermani. Megjithatë, ai nuk arriti t’i zbatonte këto plane dhe pasardhësi i tij, presidenti Joe Biden, i pezulloi ato.

Trump tani ka tre vite për të realizuar çdo plan të ri të mundshëm për tërheqjen e trupave. Për Merz, rreziku më i madh mund të jetë humbja e vëmendjes së Trump, veçanërisht në lidhje me mbështetjen për Ukrainën. Ndërkohë, kancelari gjerman duket i vendosur të rifitojë favorin e Trump. Siç deklaroi më herët këtë javë: “Marrëdhënia personale midis presidentit amerikan dhe meje mbetet, sipas mendimit tim, po aq e mirë sa gjithmonë”. / Politico

donald trump

Lini një Përgjigje