TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Maj 2026, 13:00

Ministri i Jashtëm i Iranit provokon amerikanët: Basti i Netanyahut i ka kushtuar SHBA-së rreth 100 mld dollarë

Shkruar nga Pamfleti
Ministri i Jashtëm i Iranit provokon amerikanët: Basti i Netanyahut i
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi dhe Trump

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi në një reagim në rrjetet sociale thotë Pentagoni nuk po thotë të vërtetën lidhur me koston ekonomike të luftës, e cila sipas tij u nis më 28 shkurt nga administrata e Donald Trump, në bashkëpunim me Benjamin Netanyahu.

“Pentagoni po gënjen për shpenzimet reale të luftës,” shkroi Araghchi në platformën X.

Sipas tij, “bastit” të Netanyahut i ka kushtuar drejtpërdrejt SHBA-së rreth 100 miliardë dollarë deri tani, një shumë që ai pretendon se është katër herë më e lartë se ajo që është raportuar zyrtarisht.

Ai shtoi gjithashtu se kostot indirekte për taksapaguesit amerikanë janë shumë më të larta.

“Fatura mujore për çdo familje amerikane është rreth 500 dollarë dhe po rritet me shpejtësi. ‘Izraeli i pari’ gjithmonë nënkupton ‘Amerika e fundit’,” u shpreh ai.

Ndërkohë ngërçi në bisedimet me Shtetet e Bashkuara ka thelluar përplasjet në nivelet më të larta të udhëheqjes iraniane. Sipas një raporti të publikuar nga Iran International, presidenti Masoud Pezeshkian dhe kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf kërkojnë largimin e ministrit të Jashtëm Abbas Araghchi.

Dy drejtuesit e akuzojnë Araghchin se ka anashkaluar presidencën dhe ka ndjekur udhëzime direkte nga Garda Revolucionare Islamike në negociatat bërthamore me Uashingtonin. Burime të cituara nga media britanike raportojnë se gjatë dy javëve të fundit, Araghchi ka vepruar më shumë si bashkëpunëtor i komandantit të IRGC-së Ahmad Vahidi sesa si anëtar i kabinetit.

Sipas të njëjtave burime, ministri nuk ka informuar presidentin për zhvillimet në negociata dhe ka zbatuar direktiva të ardhura nga struktura ushtarake. Kjo ka shtuar tensionin brenda qeverisë. Pezeshkian u ka deklaruar bashkëpunëtorëve të tij se do ta shkarkojë Araghchi-n nëse kjo situatë vazhdon.

Lini një Përgjigje