Tensioni i ri gjeopolitik në Lindjen e Mesme dhe rreziku i një ndërprerjeje të zgjatur të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit po shkaktojnë tronditje të forta në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimet e naftës, karburantit ajror dhe, si pasojë, në kostot e transportit në të gjithë Europën.
Presionet tashmë po reflektohen në çmimet e karburanteve, në transportin ajror dhe në planifikimin më të gjerë të Bashkimit Europian për sigurinë energjetike.
Ndërkohë, situata ka shkaktuar tashmë pasiguri të theksuar në tregun e naftës dhe në industrinë e rafinimit, për shkak të luhatjeve ekstreme të çmimeve dhe mungesës së një marrëveshjeje që do të garantonte përfundimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Rritje mbi 106% e çmimit të karburantit ajror
Ndikimi ekonomik është i konsiderueshëm edhe për shkak të rritjes së fortë të çmimeve. Sipas të dhënave të IATA-s, bazuar në platformën Platts të S&P Global, çmimi mesatar global i karburantit ajror në dalje të rafinerisë ishte 99 dollarë për fuçi në fund të shkurtit. Deri më 20 mars ai u rrit në 197 dollarë, ndërsa më 17 prill arriti në 188.08 dollarë për fuçi në Europë. Në baza vjetore, rritja arrin në 106.5%, duke rënduar ndjeshëm kompanitë ajrore, pasi karburanti përbën rreth 25%–40% të kostos operative.
Lini një Përgjigje