Aleksandar Vuçiç thotë se Serbia do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në NATO, pas një rezolute të propozuar një ditë më parë, në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA nga tre kongresistë amerikanë, që mbështesin integrimin e saj në aleancën euroatlantike.
Sipas presidentit serb, Kosovën ende nuk e njohin 4 vende të NATO-s.
“Ne së shpejti do të kemi ushtrime të rëndësishme me ta (NATO). Po bisedojmë me ta, shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Do të luftojmë që diçka e tillë të mos ndodhë. Mos harroni se ekzistojnë katër vende që janë anëtare të NATO-s, siç janë edhe pesë anëtare në BE, që nuk e kanë njohur Kosovën. Nuk e shoh se si kjo mund të kalojë lehtë, por të presim e të shohim”, tha Vuçiç raporton “Tanjug“,
Rezoluta e propozuar nga kongresistët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler kërkon mbështetje për integrimin e Kosovës në NATO, duke argumentuar se kjo do të ndihmonte në forcimin e stabilitetit në rajon dhe në kundërshtimin e përpjekjeve destabilizuese.
“Ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, shtimi i Kosovës në aleancën e NATO do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për t’i dekurajuar përpjekje të tilla armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”, thuhet në rezolutë.
Dokumenti u bën thirrje gjithashtu katër vendeve të NATO-s që nuk e njohin Kosovën të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre, duke theksuar se kjo është thelbësore për të hapur rrugën drejt anëtarësimit.
“Kosova ka demonstruar një përkushtim të qartë ndaj stabilitetit rajonal dhe përafrimit strategjik me vendet e NATO, por progresi i saj drejt anëtarësimit në aleancë po pengohet nga mungesa e njohjes nga një numër i vogël aleatësh. Shtetet e Bashkuara duhet t’i inkurajojnë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të sigurojnë që Kosova të ketë një rrugë të besueshme dhe të arritshme drejt anëtarësimit”, ka thënë Self.
Ai shtoi se anëtarësimi i Kosovës është i rëndësishëm për të kundërshtuar ndikimin e kundërshtarëve në Evropë dhe për të mbrojtur interesat e sigurisë së SHBA-së në Evropën Juglindore.
Lini një Përgjigje