Ndërsa tensionet gjeopolitike dhe paqëndrueshmëria politike arrijnë kulmin, brenda lëvizjes MAGA ka nisur një luftë e ftohtë për pushtet. Aleatët më besnikë të Donald Trumpit po kthehen në kritikët e tij më të ashpër, duke përgatitur terrenin për një tranzicion të mundshëm përpara përfundimit të mandatit.
Kërcënimi i çmendur i Donald Trumpit për të shkatërruar “të gjithë civilizimin” e Iranit, shkaktoi një tronditje të madhe në Uashington. Për momentin Armagedoni është shmangur, por bisedat për përdorimin e Amendamentit të 25-të të Kushtetutës së SHBA-së për të larguar presidentin, me arsyetimin e paqëndrueshmërisë mendore, vazhdojnë të mbeten aktive.
Dhe kjo nuk është thjesht një lojë sallonesh. Udhëheqësit ushtarakë dhe anëtarët e kabinetit kanë reflektuar me siguri në mënyrë private dhe kanë pyetur veten se deri ku do të shkonin përkrah Trumpit, duke kaluar kufijtë e tyre moralë.
Demokratët kanë kërkuar hapur largimin e “Mbretit të Çmendur”. Por kurrë nuk e kisha menduar se do të dëgjoja Alex Jones nga Infowars, një teoricien konspirativ dhe një nga figurat e para të lëvizjes Make America Great Again, ta akuzonte Trumpin se po sillet si një “superkriminel” dhe të pyeste publikisht: “Si ta përdorim Amendamentin e 25-të kundër tij?”
Ky ligj lejon transferimin e pushtetit te zëvendëspresidenti, nëse presidenti në detyrë është fizikisht ose mendërisht i paaftë për të kryer detyrën. Le të jemi të qartë: rrëzimi i Trumpit në këto rrethana do të përfshinte një grusht shteti.
Nuk ka asnjë mundësi që ai t’ia dorëzojë pushtetin vullnetarisht J.D. Vance. Por brenda lëvizjes MAGA po zhvillohet një luftë që mund ta rrëzojë përfundimisht Trumpin. Influencues të djathtë me një ndikim të madh - Tucker Carlson, Candace Owens, Megyn Kelly dhe Jones - po e trajtojnë presidentin si një figurë të konsumuar dhe po flasin tani për një të ardhme pa të.
Duke e kuptuar këtë kërcënim, Trump po përpiqet fort të mos perceptohet si një “rosë e çalë”. Në vend që t’i injorojë këto sulme, ai reagoi me një shpërthim të furishëm në Truth Social, duke sulmuar këtë “katërshe” si figura të dështuara dhe humbës. “Ata kanë një gjë të përbashkët, IQ të ulët. Janë TË ÇMENDUR, NGATËRRESTARË dhe do të thonë çdo gjë për pak publicitet falas”, shkroi me zemërim Trump.
Kjo është ndoshta gjëja më e arsyeshme që Trump ka thënë kohët e fundit. Ndërkohë Jones u kundërpërgjigj plot mllef: “Trumpi aktual është një lëvozhgë e kalbur e Trumpit të dikurshëm”, duke pretenduar se kishte ndryshuar presidenti dhe jo ai. Por ajo që donte të thoshte Jones në të vërtetë, është se publiku amerikan ka ndryshuar mendim për Trumpin.
Përtej pikëpamjeve, këta katër “të çmendur” e njohin audiencën e tyre. Së bashku, ata kanë një shtrirje të madhe digjitale dhe mbi 10 milionë ndjekës në YouTube, që depërtojnë thellë në “Magasferë”.
Nëse mendojnë se do të marrin më shumë klikime duke e sulmuar Trumpin sesa duke e mbështetur, atëherë po marrin një vendim të arsyeshëm komercial. Sondazhi më i fundit YouGov/Economist tregon se 56 për qind e votuesve nuk e miratojnë mënyrën e qeverisjes së Trumpit, krahasuar me 37 për qind që e miratojnë.
Por s’ka nevojë të jesh meteorolog për të kuptuar se nga fryn era. Trump është i izoluar si në Zyrën Ovale ashtu edhe në Magasferë. Anëtarët e kabinetit dhe këshilltarët ushtarakë po distancohen me shpejtësi nga dështimi me Iranin.
Një artikull i detajuar në New York Times mbi origjinën e luftës përmbante hollësi të shumta nga ata që ishin në tryezën vendimmarrëse kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e shtyu Trumpin të vepronte.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, thuhet se e quajti “qesharak” vlerësimin izraelit mbi kapacitetet ushtarake iraniane. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, raportohet të ketë shtuar: “Është një marrëzi”.
Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Caine, ngriti shqetësime për rreziqet e mundshme. Shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, kishte dyshime. Vance, pasardhësi i mundshëm i Trump, u paraqit si një skeptik largpamës ndaj luftës.
Dhe tani hyn në skenë Melania Trump, me një arsye jo shumë të qartë për të ringjallur skandalin Jeffrey Epstein, që burri i saj kishte tentuar ta varroste. Edhe ti, Melania? Presidenti tha se u befasua nga vendimi i Zonjës së Parë për të dalë në podium dhe për të deklaruar: “Gënjeshtrat që më lidhin me të turpshmin Jeffrey Epstein duhet të marrin fund sot!”.
Vlen të kujtohet se Trump shpesh është më i fortë kur vihet me shpatulla pas murit. Demokratët duhet të ruhen nga mbështetja e thirrjeve për përdorimin e Amendamentit të 25-të kundër tij, në vend që ta mundin në zgjedhje.
Këto thirrje kujtojnë përpjekjet e mëparshme ligjore për ta kriminalizuar, të cilat vetëm sa e forcuan rikthimin e tij. Vance është dërguar në Pakistan për të udhëhequr bisedimet e brishta të paqes me Iranin. Ai e di mirë se Trump do ta fajësojë atë nëse dështojnë.
Nëse ka diçka që tregon se Trump është ende mendërisht i mprehtë, kjo është përpjekja e tij dinake për t’ia deleguar problemet e vështira zëvendëspresidentit të tij ambicioz. Nuk ka gjasa reale që Amendamenti i 25-të të përdoret kundër Trumpit.
Por po përgatitet terreni për një të ardhme pas Trumpit, e cila mund të vijë edhe para përfundimit të mandatit të tij në vitin 2028. Jones ka vënë re një mundësi, atë që ai e quan “shëndeti në rënie” i Trumpit.
Gjatë fundjavës së Pashkëve, u përhap një thashethem viral se presidenti ishte shumë sëmurë dhe po trajtohej në spitalin ëalter Reed. Nuk ishte e vërtetë. Por është e qartë se ai nuk është në formën më të mirë të mundshme.
Është thuajse 80 vjeç, vuan nga pamjaftueshmëri kronike venoze që shkakton ënjtje dhe mavijosje, dhe siç është përmendur shpesh muajt e fundit, ka spekulime në rritje mbi aftësitë e tij njohëse.
Jones pyeti një të ftuar në emisionin e tij, avokatin Robert Barnes, sesi mund të largohet Trumpi nga Shtëpia e Bardhë pa përdorur Amendamentin e 25-të. “Neutralizoje Trumpin, lëre të pretendojë se është ende president dhe raporto publikisht se po kalon një problem shëndetësor, dhe Vance të marrë drejtimin e vendit”, u përgjigj Barnes.
“Në fakt duhet diçka e tillë. Aq keq është puna…”, shtoi ai. Duket e tepruar? Po.
Nuk do të ketë ndonjë komplot të tillë absurd për ta bërë të duket sikur ai është ende president.
Por gjendja shëndetësore e Trumpit, mund të rezultojë në fund si rruga më e mundshme që Amerika të ndahet nga një komandant i përgjithshëm që po del nga kontrolli./ Përshtati "Pamfleti" nga “The i Paper”.
Ju qe jeni ne Shqiperi dhe komentoni kodra mbas bregut jo vetem qe nuk dini asnje gje se cfare ndodh ne Anerike por as nuk merrni mundimin te pyesni per opinion ata qe jetojne ne Amerike. Nuk hiqet Trumpi, mos shpresoni kot per gjepurat qe flasin demokratet ketu, dhe jo vetem kaq por sipas nje interpretimi interesant te kushtetutes Amerikane Trumpi mund te kandidoje perseri ne 2028. Te enderrosh nuk eshte gabim, keni te drejte ta beni kete.