TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Maj 2026, 11:31

NATO dhe industria e argëtimit/ Çfarë fshihet pas takimeve me dyer të mbyllura?

Shkruar nga Pamfleti
NATO dhe industria e argëtimit/ Çfarë fshihet pas takimeve me
NATO

Takime të mbyllura me skenaristë, regjisorë dhe producentë, ndërsa një tjetër është planifikuar në qershor

NATO po zhvillon takime me dyer të mbyllura me skenaristë, regjisorë dhe producentë të filmit dhe televizionit në Evropë dhe SHBA, zbulon The Guardian, duke nxitur akuza se aleanca po kërkon të përdorë artin për të krijuar “propagandë” në favor të saj.

Aleanca ka zhvilluar tre takime me profesionistë të filmit dhe televizionit në Los Anxhelos, Bruksel dhe Paris, dhe pritet të vazhdojë këtë “seri bisedash intime” muajin e ardhshëm në Londër, ku do të takojë anëtarë skenaristë të Writers’ Guild of Great Britain (WGGB), që përfaqëson shkrimtarët profesionistë në Mbretërinë e Bashkuar.

Takimi i planifikuar në Londër ka shkaktuar shqetësim te disa nga të ftuarit, të cilët mendojnë se po u kërkohet të “kontribuojnë në propagandë për NATO-n”.

Tema e diskutimit në këtë takim, që do të mbahet sipas rregullit “Chatham House”, ku pjesëmarrësit mund të përdorin informacionin, por pa zbuluar identitetet, do të jetë “situata në zhvillim e sigurisë në Evropë dhe më gjerë”. Ish-zëdhënësi i NATO-s, James Appathurai, aktualisht zëvendësasistent sekretar i përgjithshëm për çështjet hibride, kibernetike dhe teknologjitë e reja, pritet të marrë pjesë së bashku me zyrtarë të tjerë të aleancës.

Në një email të WGGB-së, të parë nga The Guardian, thuhet se këto takime kanë çuar tashmë në “tre projekte të veçanta” në zhvillim, të cilat janë “frymëzuar, të paktën pjesërisht, nga këto biseda”.

Emaili shton se NATO është “ndërtuar mbi bindjen se bashkëpunimi dhe kompromisi, si dhe kultivimi i miqësive dhe aleancave, janë rruga përpara”, duke theksuar se “edhe nëse një mesazh kaq i thjeshtë gjen vend në një histori të ardhshme, kjo do të jetë e mjaftueshme”, sipas organizatorëve të aktivitetit.

Alan O’Gorman, skenarist i filmit Christy, i cili fitoi çmimin për filmin më të mirë në Irish Film & Television Awards 2026, e quajti takimin e planifikuar “të papranueshëm” dhe “qartësisht propagandë”.

“M’u duk pa ndjeshmëri dhe e çuditshme që paraqitej si një mundësi pozitive. Shumë njerëz, përfshirë edhe mua, kanë miq dhe familjarë ose vetë vijnë nga vende që nuk janë në NATO dhe që kanë vuajtur nga luftëra ku NATO ka marrë pjesë dhe i ka nxitur,” tha ai.

Ai mendon se këto takime janë një përpjekje e NATO-s për të “përhapur mesazhet e saj në film dhe televizion”.

“Ka një klimë frike në Evropë aktualisht se mbrojtja jonë është dobësuar,” tha ai, duke shtuar “e shoh këtë në kontekstin irlandez, ku ka pasur një shtytje nga disa media dhe nga qeveria për ta paraqitur NATO-n në mënyrë pozitive dhe për t’u afruar më shumë me të. Mendoj se shumica e irlandezëve nuk duan të përfshihen në luftëra jashtë vendit.”

O’Gorman shtoi se edhe skenaristë të tjerë të ftuar janë ndjerë “të ofenduar që arti mund të përdoret për të mbështetur luftën” dhe se u është kërkuar të “kontribuojnë në propagandë për NATO-n”.

Faisal A Qureshi, skenarist dhe producent me mbi 20 vite përvojë, aplikoi për të marrë pjesë në takim “për të parë nga afër se si do të ishte”, por u tërhoq për shkak të angazhimeve të tjera.

Ai tha se ekziston rreziku që krijuesit që hyjnë në këtë botë të brendshme të informacioneve ushtarake apo të inteligjencës “të joshen duke menduar se tani zotërojnë një njohuri të fshehtë”, ku “moraliteti zgjerohet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut mund të justifikohen për të mirën e përgjithshme”.

Qureshi vë në dyshim nëse një krijues do të jetë në gjendje të “sfidojë apo analizojë kritikisht” informacionin e marrë në këto takime.

“Atyre u jepet diçka që ka pamjen e së vërtetës, sepse vjen nga një autoritet që rrallë komunikon me publikun, dhe kjo krijon një ndjenjë privilegji për aksesin,” tha ai.

Mbështetësit e NATO-s kanë kërkuar më shumë bashkëpunim me sektorin artistik. Një raport i publikuar këtë vit nga think-tanku Centre for European Reform u bën thirrje qeverive të angazhohen me liderët kulturorë, përfshirë skenaristë dhe producentë, për të rritur mbështetjen publike për shpenzimet në mbrojtje dhe për të “treguar më mirë historinë pse këto investime janë të nevojshme”.

Në vitin 2024, tetë skenaristë, përfshirë një autor dhe producent ekzekutiv të serialit Friends, u ftuan në selinë e NATO-s në Bruksel nga Center for Strategic and International Studies, për të mësuar mbi politikat e sigurisë.

Grupi, që përfshinte edhe një skenarist të serialit Law and Order dhe një producent të dramës High Potential, u takua me sekretarin e atëhershëm të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Një zyrtar i NATO-s deklaroi: “Kjo iniciativë është e katërta në një seri sesionesh për shkrimtarët e letërsisë artistike në industrinë e argëtimit (përfshirë skenaristë, drejtues produksioni dhe autorë).”

Ai shtoi se iniciativa vjen si përgjigje ndaj interesit të shprehur nga vetë industria për të kuptuar më mirë NATO-n dhe funksionimin e saj, dhe se këto aktivitete përfshijnë dialog me përfaqësues të NATO-s, shoqërisë civile dhe komunitetit të think-tankëve.

Një zëdhënës i WGGB tha se “si sindikatë që përfaqëson skenaristët, ne marrim ftesa nga organizata të treta për aktivitete që mund të jenë të dobishme ose me interes profesional për anëtarët tanë. Këto ndërveprime nuk përbëjnë domosdoshmërisht mbështetje për këto organizata.”

Ai shtoi se ftesa e përcjellë nga NATO synon një diskutim të dyanshëm, ku skenaristët mund të bëjnë pyetje dhe të marrin atë që e konsiderojnë të dobishme. “Anëtarët tanë janë mendimtarë të pavarur – një aftësi e vlefshme që e sjellin në profesionin e tyre,” përfundoi ai. /Pamfleti/

 

nato producente takime propaganda

Lini një Përgjigje