
Përkujtimorja e sulmit të 11 shtatorit bëri bashkë politikën në SHBA. Presidenti Joe Biden, zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe ish-presidenti Donald Trump u shfaqën bashkë në përkujtimoren e 11 shtatorit në Manhattan të mërkurën në mëngjes.
Harris dhe Trump nuk ishin takuar kurrë përpara se të debatonin me njëri-tjetrin në Filadelfia të martën, por ata shtrënguan duart kur e panë njëri-tjetrin në ceremoninë e qytetit të Nju Jorkut.
Harris u shfaq përkrah Presidentit Joe Biden dhe Trump qëndroi pranë kandidatit të tij, senatorit JD Vance nga Ohio.
Ditën e sotme Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe mbarë bota përkujtojnë 23-vjetorin e sulmeve të përgjakshme të 11 shtatorit 2001. Sulmi ndaj kullave binjake ishte kryer me 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyes, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.
Fillimisht njëri aeroplan i rrëmbyer ishte përplasur mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke krijuar një çarje të thellë në ndërtesë dhe duke shkaktuar zjarr, ndërsa 17 minuta më vonë një aeroplan tjetër pasagjerësh u përplas mbi kullën jugore.
Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona. Në mesin e viktimave në kullat binjake ishin 2.752 persona, prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë të 70 kombësive të ndryshme.
Ceremonitë në Nju Jork dhe Uashington do të nisin me një minutë heshtje, në kohën kur ndodhën sulmet.
Ekspertët shprehen se 11 shtatori 2001 ndryshoi shumë gjëra në botë. Këto ngjarje u bënë shkak për nisjen e një fushate të gjerë të udhëhequr nga SHBA-të kundër terrorizmit.
Lini një Përgjigje