TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Shtator 2024, 14:30

Katër arsyet pse lufta në Ukrainë mund të përfundojë vitin që vjen

Shkruar nga Zalmay Khalilzad
Katër arsyet pse lufta në Ukrainë mund të
Foto Ilustrim

Opsionet më realiste janë një zgjidhje së shpejti e konfliktit, ose një zgjidhje pas shumë viteve të tjera lufte të përgjakshme, ku gjërat do të jenë në përgjithësi njëlloj.

Janë të paktën 4 arsyet kryesore pse lufta në Ukrainë mund të përfundojë vitin e ardhshëm, ndërsa ka shumë arsye të tjera përse ajo mund të vazhdojë për të ardhmen e parashikueshme. Më kryesorja midis këtyre të fundit, është hendeku i madh midis Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky mbi kushtet e mundshme.

Megjithatë duket se po dominojnë faktorët që favorizojnë përfundimin e luftës. Cilët janë ata?

Faktori i pari është lëvizja e shkëlqyer dhe e guximshme ushtarake e Ukrainës në Rusi në rajonin e Kurskut. Në një periudhë afatshkurtër, ajo ka qenë shumë ndikuese, duke e futur luftën brenda Rusisë dhe duke treguar se kjo e fundit është e pambrojtur.

Ky zhvillim, ka të ngjarë ta ketë bërë më të diskutueshme midis rusëve vazhdimin e luftës në Ukrainë nga ana e Putinit. Po ashtu, sulmi kundër Rusisë ka qenë një përforcues i moralit midis ukrainasve. Gjatë pjesës më të madhe të këtij viti, ata kanë pasur shumë probleme ushtarake dhe po vuanin ekonomikisht, duke sjellë rrjedhimisht edhe zbehjen e mbështetjes për luftën.

Sulmi në Kursk ngadalësoi edhe rënien e mbështetjes politike perëndimore për luftën në Ukrainë. Ajo i ka imponuar Rusisë kosto ushtarake shtesë, por edhe në imazhin e saj në arenën ndërkombëtare. Dhe nëse forcat ukrainase do të jenë në gjendje të mbajnë territorin rus që kanë pushtuar javët e fundit, ai mund të jetë një mjet pazari në çdo negociatë për përfundimin e luftës.

Së dyti, sulmi i ukrainasve në Rusi ka sjellë jo pak rreziqe. Sepse rreth 10.000 trupa janë tërhequr nga misioni i tyre i mëparshëm i mbrojtjes në Ukrainën Lindore. Kjo zhvendosje krijoi mundësi për Rusinë, të cilat ajo i ka shfrytëzuar, veçanërisht në Donetsk, ku trupat e Putinit vazhdojnë të përparojnë.

Taktikat ruse po sillen në një mënyrë gjithnjë e më brutale, duke shkaktuar rritje të numrit të viktimave dhe të plagosurve tek ukrainasit, si në fushën e betejës në Ukrainën Lindore ashtu edhe në pjesë të tjera të vendit, ku vazhdojnë bombardimet ruse me dronë dhe raketa. Objektivi i rusëve duket të jetë gjymtimi i infrastrukturës energjetike të Ukrainës në prag të dimrit të ardhshëm.

Moska i ka shtuar sulmet kundër stacioneve energjitike në Ukrainë, dhe kjo qasje ka të ngjarë të vazhdojë. Rezultati mund të jetë furnizimi me energji për vetëm rreth 12 orë në ditë, çka do të përbënte një barrë e konsiderueshme për popullatën civile, dhe ka të ngjarë ta bëjë edhe më jopopullor vazhdimin e luftës.

Së treti, opsionet e Rusisë dhe Ukrainës për një përshkallëzim ushtarak më të madh janë shumë të kufizuara dhe të rrezikshme. Ukraina do të donte një numër të madh armësh me rreze të gjatë, me të cilat mund të kërcënojë akoma më shumë Rusinë, apo edhe përfshirjen më të drejtpërdrejtë të NATO-s ose anëtarëve të saj në këtë konflikt.

Udhëheqësi ukrainas dhe ekipi i tij, ka të ngjarë të gjykojnë se këto janë hapat që mund ta çojnë luftën në favor të tyre. Megjithatë, perspektivat për të dyja opsionet nuk janë të mira, dhe kjo për shkak të rreziqeve të mundshme që lidhen me përshkallëzimin dhe konfliktin midis Rusisë dhe Perëndimit, siç vlerësohet nga udhëheqësit kryesorë në SHBA dhe të tjerët në Perëndim.

Ndërkohë, Rusia ka kërcënuar jo rrallë se edhe mund t’i përdorë armët e saj bërthamore. Por një lëvizje e tillë do të kishte rreziqe në shumë fronte, dhe nuk ka gjasa të ndodhë përveçse në rrethana aq ekstreme sa t’i bëjnë ato shumë të pamundura. Opsionet më realiste janë një zgjidhje së shpejti e konfliktit, ose një zgjidhje pas shumë viteve të tjera lufte të përgjakshme, ku gjërat do të jenë në përgjithësi njëlloj.

Së katërti. Tendencat në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, nuk favorizojnë një zgjatje të luftës për një periudhë të pacaktuar. Roli i SHBA-së ka qenë shumë i rëndësishëm në mbështetjen e rezistencës heroike të Ukrainës. Evropianët kanë qenë burimi i dytë më i rëndësishëm i mbështetjes së Kievit.

Megjithatë, pas zgjedhjeve tona presidenciale të nëntorit, Shtetet e Bashkuara kanë të ngjarë që ta reduktojnë me kalimin e kohës mbështetjen e tyre për Kievin. Nëse fiton sërish, Donald Trump do të ushtrojë shumë shpejt presion për një zgjidhje diplomatike. Po edhe nëse fiton Kamala Harris, do ta ketë të vështirë të ruajë nivelet aktuale të mbështetjes ndaj Ukrainës.

Prirja në Evropë, dhe sidomos në Gjermani pas zgjedhjeve të fundit rajonale, në të cilat dolën shumë mirë grupimet që e kundërshtojnë mbështetjen e Ukrainës, ka të ngjarë ta detyrojnë  Berlinin që ta ndryshojë jo pak qasjen ndaj kësaj lufte. Kancelari gjerman Olaf Scholz, ka shpallur tashmë vendosmërinë e tij për të nxitur arritjen e një marrëveshje paqeje përmes një konference paqeje, në të cilën në dallim nga konferenca e fundit e paqes në Zvicër, duhet të përfshihet edhe Rusia.

Pas zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë duhet qëtë jenë dakord me një zgjidhje të negociuar të luftës në Ukrainë si objektivin e saj kryesor. Në mbështetje të këtij qëllimi, strategjia duhet të ketë 2 drejtime:mbështetja për Ukrainën duhet të mbetet e fuqishme, sepse pa këtë Putini nuk do të jetë i interesuar për një zgjidhje të negociuar të konfliktit. Së dyti, të ketë një angazhim po aq energjik me Rusinë dhe Ukrainën mbi modalitetet e negociatave dhe krijimin e kushteve për një rezultat të arsyeshëm të bisedimeve./ Përshtati "Pamfleti" Nga “National Interest”

Shënim:Zalmay Khalilzad, ish-ambasadori i SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

lufta rusi-ukraine

Lini një Përgjigje