
Sukseset e ekstremit të djathtë, sidomos 2 vitet e fundit, kanë ndërgjegjësuar shumë centristë të Bashkimit Evropian mbi rrezikun e uzurpimit të BE-së nga e djathta ekstreme, diçka që deri pak kohë më parë konsiderohej si një pamundësi konceptuale dhe praktike.
Partitë e ekstremit të djathtë, dolën më mirë se kurrë më parë në zgjedhjet parlamentare evropiane të qershorit. Tani dy aleanca të ekstremit të djathtë, janë grupimet e treta dhe të katërta më të mëdha në Parlamentin Evropian, përpara grupimit të qendrës, Evropa e Ripërtërirë.
Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen, doli partia më e madhe në Francë, gjë që e nxiti presidentin Emmanuel Macron të shpërndante parlamentin dhe të thërriste zgjedhjet e parakohshme. TK nuk fitoi një shumicë absolute, megjithatë u bë për herë të parë partia më e madhe në parlamentin francez.
Arritjet e të djathtës ekstreme në Francë - së bashku me sukseset në Gjermani, Itali, Holandë dhe gjetkë në Evropë - kanë shkaktuar jo pak shqetësim. Sukseset e ekstremit të djathtë, sidomos 2 vitet e fundit, kanë ndërgjegjësuar shumë centristë të Bashkimit Evropian mbi rrezikun e uzurpimit të BE-së nga e djathta ekstreme, diçka që deri pak kohë më parë konsiderohej si një pamundësi konceptuale dhe praktike.
Nga këndvështrimi i këtyre centristëve të alarmuar, nacionalizmi i së djathtës ekstreme përbën një kërcënim themelor për projektin e integrimit evropian. Sipas tyre, e djathta ekstreme është një lloj force aliene, në thelb e kundërt me BE-në, anti-evropiane. Por një mendim i tillë, mbështetet tek një keqkuptim themelor si mbi të djathtën ekstreme, ashtu edhe ndaj vetë BE-së. Në fakt, e djathta ekstreme dhe BE-ja janë shumë më të përputhshme, sesa do të donin ta besonin shumë njerëz. Vizioni i të djathtës ekstreme, që e sheh Evropën si një bllok të bardhësh të krishterë, nuk është në thelb kundër projektit liberal të integrimit evropian. Përkundrazi ka qenë gjithnjë pjesë e tij.
Në fakt, ndërsa politikanët liberalë si Macron flasin gjithnjë e më shumë për Evropën në termat e civilizimit, po përputhen gjithnjë e më shumë vizionet e qendrës së djathtë “pro-evropiane” me ato të së djathtës ekstreme euroskeptike. Në rast se e djathta ekstreme do të bëhej edhe më e fuqishme brenda BE-së nga sa është aktualisht, blloku nuk do të shpërbëhej automatikisht siç e imagjinojnë jo pak njerëz.
Përkundrazi, ai ka të ngjarë të vazhdojë më tej në rrugën që gjendet tashmë, atë që unë e kam quajtur “kthesa qytetëruese” e projektit evropian. Menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare evropiane, kryeministri hungarez Viktor Orban krijoi një grupim të ri të quajtur Patriotët e Evropës, një emërtim që përshkruan tensionin e dukshëm midis nacionalizmit dhe qytetërimit në imagjinatën e së djathtës ekstreme.
Anëtarët e ekstremit të djathtë, e quajnë veten si nacionalistë dhe evropianë. Ata nuk janë automatikisht kundër idesë së unitetit evropian. Por kanë prirjen të jenë mosbesues ndaj integrimit të mëtejshëm, dhe preferojnë atë që ata e quajnë një Evropë të shteteve sovrane.
Megjithatë ky nuk është një pozicion ekstrem apo vetëm i tyre. Kështu mendonte edhe presidentit i famshëm francez Charles de Gaulle. Përveç thjeshtëzimit të kuptimit ndaj së djathtës ekstreme, duke u fokusuar ekskluzivisht tek nacionalizmi i saj, shumë analistë e zyrtarë e kanë idealizuar BE-në si një projekt kozmopolit, ashtu si disa amerikanë idealizojnë Shtetet e Bashkuara, dhe nisur nga kjo qasje e cilësojnë si “jo-amerikan” ish-presidentin Donald Trump.
Shumë njerëz në Evropë, thonë se kur zgjedhin të mendojnë për veten si evropianë dhe jo si francezë, gjermanë e kështu me radhë, ata në fakt e mendojnë veten si qytetarë të botës. Kryeministrja britanike Theresa May e cilësoi BE-në si një projekt kozmopolit, kur ndërsa mbronte Brexit-in deklaroi në vitin 2016:”Nëse beson se je një qytetar i botës, atëherë je një qytetar i askundit!”.
Mbështetësit e integrimit evropian - pra të heqjes së barrierave për lëvizjen e kapitalit, mallrave dhe njerëzve brenda Evropës - flasin shpesh për të si të ishte integrim global. Kur BE-së iu dha Çmimi Nobel për Paqen në vitin 2012, kreu i atëhershëm i Komisionit Evropian José Manuel Barroso, tha se projekti evropian kishte treguar “se është e mundur që popujt dhe kombet të bashkohen përtej kufijve, dhe të kapërcehen dallimet midis ‘atyre’ dhe ‘ne’“.
Por në realitet, BE-ja ka qenë gjithmonë një projekt analog me nacionalizmin dhe jo të kundërtën e tij. Mund të quani rajonalizëm, një gati-nacionalizëm në një shkallë më të madhe, kontinentale. Mbështetësit e saj pëlqejnë të besojnë se ajo mund të bazohet vetëm tek vlerat qytetare.
Por rajonalizmi evropian, ka përfshirë gjithmonë edhe elementë etnikë dhe kulturorë të lidhur me krishterimin dhe të bardhët. Këta elementë etnikë dhe kulturorë të identitetit evropian, nuk u zhdukën në vitin 1945 pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Përkundrazi, ato ekzistuan dhe ndikuan mbi vetë projektin evropian, që në kontekstin e Luftës së Ftohtë, përfytyrohej sa në termat e civilizimit aq edhe ideologjikë.
Nga ana tjetër, ka një version të veçantë amerikan që priret ta idealizuar BE-në si një model multilateralizmi, si antitezën e gjithçkaje që përfaqëson Trump. Megjithatë, BE-ja është tashmë shumë më Trumpiane sesa e kuptojnë shumë amerikanë, veçanërisht në qasjen e saj ndaj emigracionit.
Edhe ajo si SHBA-ja e ka ndërtuar një mur. Kufiri jugor i BE-së, është shumë më vdekjeprurës se sa kufiri jugor i Shteteve të Bashkuara. Që nga viti 2014, mbi 30.000 njerëz kanë vdekur në përpjekje për të kaluar Mesdheun, mbi 5 herë më shumë se numri i njerëzve që kanë vdekur duke kaluar shkretëtirën Sonoran apo lumin Rio Grande në të njëjtën periudhë.
Sipas organizatës Human Rights Watch, politika e BE-së ndaj emigrantëve është thjesht t’ii “lënë të vdesin”. Këto dy keqkuptime - pra që e djathta ekstreme është nacionaliste dhe që BE-ja është në thelb kozmopolite - kanë krijuar një frikë të madhe si mund të duket një BE e drejtuar nga ekstremi i djathtë.
Në fakt, për ta konceptuar si mund të duket një BE e ardhshme e ekstremit të djathtë, mjafton që të imagjinoni bllokun duke ecur më tej në drejtimin që po ndjek prej një dekade, sidomos mbi çështjet rreth identitetit, migrimit dhe Islamit. Që nga kriza e refugjatëve në vitin 2015, qendra e djathtë pro-evropiane ka imituar gjithnjë e më shumë të djathtën ekstreme për këto çështje.
Në këtë drejtim, Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë (PPE), ka luajtur një rol në integrimin dhe normalizimin e ideve të ekstremit të djathtë, një qasje e ngjashme me rolin e luajtur nga Partia Republikane në Shtetet e Bashkuara. Figura kryesore është Ursula von der Leyen, kristiandemokratja gjermane e cila u rizgjodh në korrik për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian.
Kur u zgjodh për herë të parë si presidente e Komisionit Evropian në 2019, ajo krijoi një pozicion të ri, Komisionerin Evropian për Promovimin e Mënyrës Evropiane të Jetës, me synim koordinimin e një qasjeje të re të BE-së ndaj migracionit. Si në emër ashtu edhe në funksionimin e saj, kjo zyrë e re e bëri të qartë se migrimi nuk ishte thjesht një problem politikash, por një kërcënim kulturor për Evropën.
Ndërsa e djathta ekstreme ka vazhduar të rritet, PPE thotë se duhet të kundërpërgjigjet duke marrë masa edhe më të ashpra për të ndalur migracionin sesa ka marrë tashmë që nga viti 2015. Pas zgjedhjeve në Holandë të vitit të kaluar, të fituara nga Partia e Lirisë e Geert Wilders, liderët e PPE si Manfred Weber, u shprehën se mënyra për të mposhtur “populizmin” ishte ndalimi i hyrjes në Evropë të azilkërkuesve.
Dhe sipas modelit të krijuar nga marrëveshja e nënshkruar në 2016 midis BE-së dhe Turqisë, Brukseli ka paguar shtetet autoritare në Afrikën e Veriut për t’i ndaluar me dhunë emigrantët që kalojnë Mesdheun, pavarësisht pretendimeve të unionit për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Duke e nënvlerësuar prej kohësh të djathtën ekstreme, elitat e politikës së jashtme evropiane po vetëdijësohen dalëngadalë mbi mënyrën se si ajo po ndikon në BE. Por për shkak të mënyrës se si ata e idealizojnë BE-në dhe e imagjinojnë të djathtën ekstreme si një entitet të huaj, e keqkuptojnë marrëdhënien midis të dyve.
Nuk arrijnë të kuptojnë se sa e djathta ekstreme është e natyrshme në BE, dhe jo një kërcënim i jashtëm për të. Kjo nga ana tjetër e bën të duket sikur ekziston një zgjidhje e drejtpërdrejtë për mundësinë e një mandati të dytë të Trump:një “Evropë autonome” e çliruar nga varësia e saj nga Shtetet e Bashkuara.
Por mbështetja tek shtetet e tjera anëtare të BE-së, që kanë qeveri të ekstremit të djathtë apo që mund t’i kenë ato në të ardhmen e afërt, rrezikon të shkaktojë një krizë tjetër./Përshtati "Pamfleti", nga “Foreign Affairs”
Shënim: Hans Kundnani, studiues në Institutin Remark në Universitetin e Nju Jorkut.
Lini një Përgjigje