TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Shtator 2024, 12:09

Perëndimi të mos fajësojë vetëm Kosovën, Kurti dhe Vuçiç po luajnë për pushtetin personal, t’u vihet “kufiri tek thana”

Shkruar nga Pamfleti
Perëndimi të mos fajësojë vetëm Kosovën, Kurti
Vuçiç dhe Kurti

Vuçiç dhe Kurti e dinë se vendet e tyre nuk do t’i bashkohen BE-së së shpejti. Prioriteti i tyre është ruajtja e pushtetit dhe jo respektimi i kërkesave të Brukselit. Udhëheqësit ballkanikë kanë mësuar se si të luajnë me Perëndimin. Vuçiç ka bërë pazare me udhëheqësit kryesorë - të Gjermaninë, Francës, SHBA - duke pasur njëfarë suksesi.

Premtimi për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ishte dikur formula magjike për zgjidhjen e të gjitha çështjeve territoriale dhe të sigurisë në Ballkan. Sot kjo po ndodh gjithnjë e më pak.

Dhe për këtë nuk ka provë më të mirë se sa tensionet e vazhdueshme midis Kosovës dhe Serbisë.

Në marsin e vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç miratuan një lloj një udhërrëfyesi të propozuar nga BE-ja, Marrëveshjen e Ohrit, që parashikohej të çonte drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes rreth statusit të Kosovës. Por që nga ajo kohë marrëveshje ka mbetur e pazbatuar.

Ajo që supozohej të ishte një arritje e madhe për kreun e politikës së jashtme të BE-së tashmë në largim, Josep Borrell, mund të shndërrohet në një dhimbje koke të madhe për pasardhësin e tij. Diplomatët dhe politikë-bërësit në Bruksel dhe Uashington fajësojnë vetëm një person:Albin Kurtin.

Kryeministri luftarak i Kosovës, ka marrë shumë kritika për shtypjen e institucioneve paralele

që veprojnë në veriun e vendit të populluar në shumicë nga serbët. Këtu përfshihet vendimi për mbylljen e 4 komunave besnike ndaj Beogradit, përfshirë atë të Mitrovicës, qendra kryesore urbane e rajonit verior.

Po ashtu, autoritetet e Kosovës kanë ndaluar importet serbe, duke shpërfillur lutjet e të dërguarit special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Michael Sarrazin. Prishtina ka vepruar njëlloj, duke injoruar të ashtuquajturat bisedime për normalizimin e raporteve dypalëshe, të mbikëqyrura nga zyra e Borrell, dhe nën këshillat e kryeqyteteve perëndimore.

Kurti mendon se lëvizjet e forta shpërblehen, dhe barra bie mbi evropianët dhe amerikanët.

Sipas këndvështrimit të Kosovës, Perëndimi ka përdorur standarde të dyfishta:e ka ndëshkuar Prishtinën për zbatimin e masave për respektimin e sovranitetit të saj, ndërsa vazhdon ta tolerojë Vuçiçin,i cili ka refuzuar të ndërpresë lidhjet me Rusinë dhe t’i bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj saj.

Ndaj Beogradit nuk u mor asnjë masë pas incidentit të dhunshëm në manastirin e Banjskës në shtatorin e vitit 2023, kur paraushtarakët e lidhur me shërbimet serbe të sigurisë sulmuan policinë kosovare, duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë. Ndaj Kurti e ka marrë mësimin dhe e ka zbatuar atë.

Ndërsa zyrtarët perëndimorë u shqetësuan kur në fillim të këtij viti autoritetet e Kosovës ndaluan përdorimin në veri të vendit monedhës serbe, dinarit, apo kur në vitin 2022 u kërkuan makinave të ndërronin nga serbe në kosovare, nuk vepruan kundër atyre lëvizjeve.

Në të dyja rastet Kurti arriti atë që donte. Çuditërisht, Vuçiç nuk shkoi shumë larg në reagimin e tij. Më herët, ai nuk e kishte ngurruar të luante me kartën e Kosovës, madje duke kërcënuar se do t’i kthente trupat në atë që Beogradi e konsideron si provincën e tij për të parandaluar “spastrimin etnik” të serbëve.

Tani ka të ngjarë që Vuçiç po llogarit se lëvizjet e forta të Kurtit do t’i sjellin dobi atij. Serbia po kalon “muajin e mjaltit” me BE-në. Në fillim, në korrik u firmos marrëveshja për minierat e litiumit, që mban firmën edhe të kancelarin gjerman Olaf Scholz. Më së afërmi në kohë, Beogradi shtroi tapetin e kuq për presidentin francez Emmanuel Macron, vizita e të cilit u shoqërua me nënshkrimin e një marrëveshjeje për blerjen e 12 avionëve luftarakë francezë Rafale.

Vuçiç po trajtohet mirë edhe nga Uashingtoni për shkak të furnizimit - nëpërmjet vendeve të treta - me municion të Ukrainës. Aq shumë, sa BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë gati të tolerojnë Serbinë për shkak të refuzimit të zbatimit të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.

Por një krizë në Kosovë mund ta rrezikojë këtë qasje. Për momentin, Vuçiç është shumë i lumtur teksa e sheh Kurtin të kthyer në “delen e zezë” të Perëndimit në Ballkan. Ngecja në vend e Kosovës në procesin integrues, vetëm sa nxjerr në pah mangësitë e strategjisë së zgjerimit të BE-së.

Nëse Brukseli nxitohet në pranimin e vendeve si Kosova dhe Serbia, rrezikon të importojë një çështje të pazgjidhur mbi sovranitetit, për të mos përmendur një Hungari të dytë të drejtuar nga Vuçiç, që është shumë i ngjashëm në sjellje me kryeministrin Viktor Orbán. Nga ana tjetër nëse vonohet, mosmarrëveshja midis këtyre vendeve do të nisë të acarohet më tej.

Vuçiç dhe Kurti e dinë se vendet e tyre nuk do t’i bashkohen BE-së së shpejti. Prioriteti i tyre është ruajtja e pushtetit dhe jo respektimi i kërkesave të Brukselit. Udhëheqësit ballkanikë kanë mësuar se si të luajnë me Perëndimin. Vuçiç ka bërë pazare me udhëheqësit kryesorë - të Gjermaninë, Francës, SHBA - duke pasur njëfarë suksesi.

Ndërsa Kurti ka zgjedhur politikën e faktit të kryer. Sipas çdo vlerësimi objektiv, të dy politikanët kanë pasur sukses në qasjet e tyre. Por problemi është se gjërat mund të dalin jashtë kontrollit. Edhe pse nuk duhet të jemi tepër alarmantë në lidhje me Kosovën, nuk këshillohet as vetëkënaqësia.

Përplasja e vitit të kaluar në Banjskë, na ka treguar se përshkallëzimi mund të ndodhë shumë shpejt, madje edhe me njerëz të vrarë. Të supozosh se udhëheqësit lokalë do të vepronin në mënyrë të arsyeshme dhe se nuk do ta kalonin pragun, nuk është një politikë e sigurt. Në fakt, fajësimi kryesisht i Kosovës, siç po ndodh muajt e fundit, mund të rrisë rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve.

Sidomos tani që po ndryshojnë drejtuesit në institucionet e BE-së, dhe kur zgjedhjet presidenciale në SHBA po nxisin akoma më shumë pasiguri. Prioriteti i Perëndimit duhet të jetë rifitimi i besueshmërisë. Për këtë synim, BE dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin “vija të kuqe” të qarta, dhe të reagojnë me forcë kur të shkelen ato.

Rinisja e bisedimeve për normalizimin e raporteve midis Serbisë dhe Kosovës, duhet të jetë në krye të listës së prioriteteve të përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas. Ndonëse Kosova mund të mos duket aq e madhe sa sfidat e tjera, siç janë luftërat në Ukrainë dhe Gaza, ajo vazhdon të mbetet një test kryesor për politikën e jashtme të BE-së./ Përshtati "Pamfleti Nga “Carnegie Endowement”

 

kosove-serbi albin kurti aleksandar vucic

Lini një Përgjigje